Kush është Spiro Nika, anëtari i “Gentit”, i akuzuar për rrëmbimin e 17-vjeçares në Sarandë

Zbulimi i anëtarëve të bandës së famshme të drogës në Greqi “Genti”, po zbulon detaje të reja rreth këtyre trafikantëve.

Spiro Nika mësohet se ka ndryshuar identitet për t’i shpëtuar policisë. Sot ai është banor i fshatit Çuke në Sarandë, 47 vjeç, dhe para se të ndërronte identitet, ka patur emrin Abaz Halit Taqe.

I njohur si pjesë e “Grupit të Konispolit”, Abaz Taqe është dënuar nga Gjykata e Lartë më 23.05.2002 me 15 vjet burg për veprën penale “rrëmbim personi”.

Me të njëjtin vendim u dënuan edhe dy persona të tjerë bashkëpunëtorë në veprën penale të rrëmbimit, edhe këta banorë të Konispolit, Flamur Rako, me 25 vjet burg, e Haxhi Idrizi, me 18 vite burg.

Ngjarja e bujshme për të cilën akuzohen tre personat, mes tyre edhe Abaz Taqe, ka ndodhur në 27 qershor 1997 në fshatin Vrinë, rreth 1 km larg qytetit antik të Butrintit dhe rreth 20 km larg qytetit të Sarandës, shkruan “BalkanWeb”.

Flamur Rako, Haxhi Idrizi, Abaz Taqe e Elton Korça, që të katërt banorë të Konispolit, akuzohen se kanë rrëmbyer 17-vjeçaren D. Dh; në një ngjarje ku Rako akuzohet se ka vrarë me armë zjarri edhe babanë e17-vjeçares, J. Dhimitri.

17-vjeçarja është mbajtur atëherë për disa ditë nga rrëmbyesit e fshehur në Syrin e Kaltër, ndërkohë që është liruar pak ditë pas ngjarjes, tek një hotel në qytetin e Sarandës, ku në përpjekje për lirimin e 17-vjeçares pati edhe një shkëmbim zjarri, gjatë së cilit mbeti i vrarë njeri prej rrëmbyesve, pikërisht Elton Korça.

Edhe sot ka ngelur mister vrasja e Elton Korçës, pasi askush nuk u identifikua si autor i vrasjes. Duke qenë se nuk u kap nga policia për gati 10 vite pas dhënies së vendimit, Abaz Taqes iu shua dënimi në vitin 2012 nga Gjykata e Sarandës.

Mes të arrestuarve në Greqi, si pjesë e bandës së drogës, është edhe Martin allias Ani Brakaj. Ky i fundit rezulton person në kërkim në Shqipëri, i dënuar me 10-vjet burg, pasi ka tentuar të trafikojë 21 kg marijuanë drejt Greqisë në vitin 2012.

Droga iu kap dy të rinjve në një hotel në Sarandë, ndërkohë që Brakaj ishte përgjuar teksa kontrollonte trafikun nga burgu i Koridhalos në Greqi.