Kosova më 10 janar 2017 vendos sistemin e drejtësisë në veri të vendit

Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit më 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës

Në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi me datën 10 janar 2017. Në njoftimin e publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se bisedimet në Bruksel për këtë çështje zgjaten dy ditë dhe u arrit marrëveshja për obligimet zbatuese dhe dinamikat e zbatimit të marrëveshjes.

Në njoftim theksohet se ministrja për Dialog, njëherësh kryenegociatore, Edita Tahiri, ka deklaruar se dakordimi i arritur sot në Bruksel ka rëndësi të madhe për Kosovën, sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e tij, sepse institucionet shtetërore të drejtësisë më 10 janar 2017, do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit. Sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit më 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, deri me 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me 10 janar 2017.