Mirakaj: Dosje politikanësh të zhdukura? Faktet do tregojnë të vërtetën

Flet për “Koha Jonë” Simon Mirakaj, anëtar në Autoritetin për Informimin me Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Intervistoi: Redjon Shtylla

Hapja e dosjeve, nuk është më një premtim, por një punë që do i shihet drita. Me ngritjen e komisionit dhe të Autoritetit për Informimin me Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, puna nis së shpejti. Njëri prej anëtarëve është dhe Simon Mirakaj nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai shprehet se, cilat janë pritshmëritë e tij në këtë proces, ku edhe shton se:”Kontrolli do të fillojë me administratën e lartë, për deputetët e kështu me radhë. Edhe njerëzit sipas ligjit, kanë të drejtën që të shohin dosjen e vet, gjithsecili”.

Çfarë do të thotë hapje e dosjeve dhe si pritet që të realizohet ky proces?

Dosje kanë personat që janë ndjekur nga Sigurimi i Shtetit, ata që janë arrestuar, dosje kanë ata që kanë ndihmuar që të arrestohen ata që ishin kundër frymës, ata që kanë vrarë bashkëpunëtorët. Fillimisht u paraqitën pranë Komisionit të Ligjeve, dy projektligje. Një projektligj nga shoqëria civile dhe nga një qeveria, me iniciator ish-ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe maxhoranca aprovoi ligjin e qeverisë. Në ligj ishte përcaktuar që me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit do t’u krijonte një autoritet prej 5 anëtarësh, 2 të zgjedhur nga Parlamenti, 1 shoqëria civile, një nga ish-të përndjekur dhe një nga qeveria. Për këto 5 vende, aplikuan 11 persona pranë Komisionit të Ligjeve, ku dy u skualifikuan, një prej tyre nuk plotësonte kriteret, ndërsa një tjetër u tërhoq. Ligji parashikonte që një muaj pas aprovimit të ligjit nga Parlamenti, do të niste punë autoriteti, por zvarritjet dihen dhe më 17 nëntor të 2016, autoriteti u zgjodh nga Parlamenti.

Me ngritjen e komisionit siç ju e përmendët, cilat janë pritshmëritë në këtë proces të veshur me mister?

Kur do të ballafaqohemi me dokumentacionin, sigurisht që do të kemi një ligj që e ka të përcaktuar ecurinë e këtij komisioni edhe ecurinë e këtij autoriteti. Do të plotësohet edhe organika sepse nuk është ky autoritet që do të merret me hapjen e dosjeve. Kjo është situata aktuale, ku pasi të përcaktohet godina, të vijnë dokumentacionet që sipas ligjit duhen të dorëzohen arshivat. Kontrolli do të fillojë me administratën e lartë, për deputetët e kështu me radhë. Edhe njerëzit sipas ligjit, kanë të drejtën që të shohin dosjen e vet, gjithsecili. Por përjashtim do të ketë për ato dosje që nuk cenojnë sigurinë kombëtare. Në të gjithë Europën post komuniste ka mbaruar lufta e hapjeve të dosjeve si në: Gjermani, Poloni, Çeki e si gjithmonë Shqipëria është e fundit për t’i dhënë zgjidhje problemeve.

Hapja e dosjeve, mbyll një debat të gjatë, por një debat rihapet, ku opozita, e cila nuk votoi për këtë komision, ku edhe në këtë autoritet ajo nuk ka një përfaqësues. Si e shihni këtë situatë që kërkon të mbyllen dosjet pa u hapur procesi?

Unë do të flas me gjuhën e ligjit të aprovuar nga Parlamenti. Sipas ligjit, dy anëtarë për këtë komision, i përcakton Parlamenti, por nuk e ka të ndarë, një maxhoranca dhe një opozita. Sipas mendimit tim, që një ligj që të ketë jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri, do të ishte mirë që edhe opozita të kishte përfaqësuesin e vet. Por për këto dy vende vakante të Parlamentit, u paraqitën tre kandidatura. Opozita kërkoi që kandidatura e maxhorancës të jetë një dhe një opozita sepse sipas nënkryetarit të Parlamentit, Edmond Spaho, kishin rënë dakord me kryetarin e grupit të PS-së që një do ta paraqiste opozita dhe një kandidat maxhoranca, por kjo nuk ndodhi. Opozita nuk mori pjesë në votim, ku u hodh edhe në votim propozimi i opozitës, i cili gjatë votimit në Parlament nuk mori votat e duhura për të qenë pjesë e autoritetit. Kjo është zgjedhja e autoritetit.

Deklarata, por dhe akuza ka pasur sa i takon eliminimit të dosjeve të politikanëve në nivele të larta të ish-Sigurimit në periudha të caktuara të tranzicionit?

Që në 1992 kur doli ideja e hapjeve të dosjeve ka pasur diskutime të ndryshme, interpretime, hipoteza, por kur të ndodhemi para një fakti, atëherë mund të japin mendime duke u mbështetur gjithmonë në dokumentet e paraqitura. Të gjitha këto janë supozime, por do të shohin nëse dosje të politikanëve janë zhdukur apo jo. Gjithsesi është një shprehje e popullit që thotë: “Atje ku ka zë, nuk është pa zë”, por kur të ndodhemi përballë fakteve do të flasin nëse janë zhdukur apo jo.

Duke u bazuar tek drafti i fundit i miratuar në komisionin përkatës, a mund të bëjmë një lidhje për vonesën e mos hapjeve të dosjeve, me personat e inkriminuar?

Shqipëria është një vend i vogël, ku miqësitë apo lidhjet familjare, lidhjet e ndryshme dhe kjo besoj që është  arsyeja e mos ballafaqimit me dosjet, me të kaluarën. Koha është e duhur edhe pse siç e kam theksuar, ligji ka gabimet e tij. Në këndvështrimin tim, dekriminalizimi duhet ishte paralel me dekomunizimin, nuk mund të ketë zhvillim, pa luftuar këtë të këqija. Çdo e keqe e ka rrënjën te e keqja më e madhe, te komunizmi. Dekriminalizimi duhet të jetë paralel me dekomunizmin, sepse komunizmi krijoi njeriun e ri, të një të riu që ishte edukuar me teorinë marksiste-leniniste. Ky ishte provimi i parë që duhet që t’i të plotësoje në maturë, njohuri fillestare komuniste, provimi i parë e nëse e kaloje mirë këtë provim, të gjithë të tjerat,  e kishin lehtësuese. Kjo ishte forma e njeriut të ri, por këtu tek ne në ditët e sotme nuk mungon intelekti dhe mund të ballafaqohemi me të vërtetën. Komunizmi disave i ka hyrë në gjak, e është e vështirë që të dalë prej aty ku ndodhet. Shpresoj tek brezi i ri, që do të marrë fatin e këtij vendi në dorë.

Mendoni se hapja e dosjeve, do të sjellë trazira sociale në nivel qytetar?

Nuk besoj se do të ketë trazira, sepse kur nuk pati trazira në kohën kur dolëm nga burgjet e komunizmit. Në të kundërtën, unë besoj se do të ketë një përfitim të shpirtit, një qetësi të këtyre gjërave.

Deputetë aktualë e kanë parë me pesimizëm nisjen e këtij komisioni, duke u shprehur se do të jetë selektiv dhe do të përdoret për qëllime politike?

Nuk besoj sepse në këtë komision tre janë ish-të përndjekur politikë. Edhe kryetarja e këtij komisioni, Gentjana Sula ka pasur gjyshin e saj, i cili ka vdekur në burgun e Burrelit dhe nuk i dihet varri. Ky komision ka intelektualë, të cilët nuk kanë shumë influencë politike, por janë profesionistë në detyrën e tyre.

Kur dalin faktet e para?

Ajo varet nga institucionet sepse janë ato, të cilat do të sjellin dhe dosjet, listën e personave që do të verifikohen nga ky autoritet.

E vizituar “Bunk’Art 2”, me çfarë emocionesh u larguat?

Për mua, nga çdo krah që vjen puna për dekomunizimin  mbështes. Unë kam qenë kundra bunkerit, për ndërtimin e tij nga ana estetike. Harmonia e ministrive, nuk e pranon një bunker me përmasa aq të mëdha, aq sa është bunkeri. E vizitova muzeun dhe të them të vërtetën, më emocionoi kur e pashë bunkerin në atë mënyrë, të vendosjes së martirëve, ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Është bërë diçka që duhet përshëndetur, por mendoj që muzeu do të ishte më mirë mbi tokë, tek piramida dhe do të kishte një hapësirë më të madhe. Ajo që më bën përshtypje është që ne nuk kemi ligje që ndalojnë simbolet e komunizmit, pasi ende shohim që përvjetorë na dalin përsëri me portretin dhe me parulla për diktatorin. Ka vend për interpretim dhe hije dyshimi. Do të ishte mirë që gjysma e bunkerit të ishte në tokë sepse bunkeri është simbol i komunizmit, kështu që në vështrimin e parë, të lë përshtypje të keqe, sidomos shtresën e ish-të përndjekurve.