Për mësuesit arsimimi nuk përfundon në universitet

Nga Fran GJOKA/Përvetësimi i metodologjisë se mësimdhënies e mësimnxënies, përpunimi shkallë – shkallë i metodave që kanë ne qendër nxënësin, që venë në lëvizje të menduarit aktiv, krijues dhe kritik të tyre, përbëjnë një kërkesë të vazhdueshme për mësuesit. Atje ku flet vetëm mësuesi dhe nxënësi nuk aktivizohet ne pasurimin e temës së mësimit, përvetësimi i dijeve nga nxënësit është në nivele të ulëta, mendimi i tyre nuk prehet dhe bota emocionale varfërohet. Nëse mësuesi ka kërkesa të larta dhe ritmikë pune ditore ndaj vetes e nxënësve të tij, ecën përpara e përparon. Nëse kënaqet me pak dhe nëse mendon se nxënësit nuk dine e nuk kanë nivel, ndërkohë që ai vetë i di të gjitha, atëherë mësuesi “plaket” në diturinë dhe aftësinë profesionale dhe me kalimin e kohës përfundon në një mësues të mykur, që punon me atë që ka mësuar dikur. Është e domosdoshme që mësuesit të jenë gjithnjë në kërkim të së resë, të sistemojnë e punojnë duke mos menduar vetëm për sot, që në të ardhmen të mos ndihen fajtor për nivelin e dobët të ushtrimit të profesionit në të sotmen dhe për rokadën pasojave që do të mbajnë mbi shpatulla në brezat pasuese. Të mësohemi të jemi gjithnjë kërkues ndaj vetes, grupit me të cilin punojmë dhe sistemit shoqëror aktual, të cilit i përkasim, ndryshe e ardhmja do të flasë vazhdimisht në kohën e ardhme të largët. Mësuesi i aftë është ai që mësimdhënien dhe të nxënit i konsideron të lidhura e të ndërvarura nga njëra-tjetra, duke krijuar një klimë bashkëpunimi, përgjegjësie, vetëvlerësimi të ndërsjellë, të shoqëruar me ndjenjën e respektit, të humanizmit e të vlerave të dukshme sociale. Në ato orë mësimi ku nuk marrin pjesë aktive dhe gjatë gjithë kohës se 45′ të dy palët, ora e mësimit nuk mund të konsiderohet e realizuar. Përpara mësuesit del si detyrë e vazhdueshme që të shtohen përpjekjet e një pune të mirëfilltë diferencuese me ata nxënës që shprehin ngadalësi dhe të tjerë që shprehin ritmin e ulët dhe hera-herës edhe ngritje e zbritje në të mësuarit dhe të të nxënit sidomos në fillim të vitit mësimor, pasi krijohen brenda klasës grupime artificiale nxënësish me ndryshime të dukshme në formimin e tyre të përgjithshëm, gjë që e vështirëson organizimin e mësimit në mënyrë të re, që kërkon që të gjithë nxënësit të aftësohen për të marrë pjesë aktive në mësim. Dihet tashmë, se pjesë shumë e rëndësishme e mësimdhënies dhe mësimnxënies është edhe përmirësimi i strukturës së orës së mësimit, zëvendësimi i mekanizmit të punës ballazi me të gjithë klasën me punën me grupe sipas niveleve që ato paraqesin. Është i njohur fakti se ndryshimet në metodë janë të ngadalta. Ato nuk pasqyrojnë gjith­një ndryshimet e shpeshta dhe të shpejta të arsimit në përmbajtje dhe në organizim. Për arsyen e thjeshtë se metodologjia në tërësi dhe ajo e mësimdhënies në veçanti janë disi më konservatore se elementët e tjerë që lidhen me reformimin e sotëm të shkollës.

Është kjo arsyeja që trajnimi dhe vetëtrajnimi i punonjësve pedagogjikë është intensifikuar dhe konsiderohet detyrë parësore, imperative dhe perma­nente për të gjithë faktorët dhe aktorët e interesuar për sektorin më të rëndësishëm, për zhvillimin dhe kulturimin e shoqërisë, për emancipimin e saj dhe kulturimin e vlerave demokratike.

Problemi që shtrohet aktualisht para mësuesve është i thjeshtë në dukje, por që lidhet ngushtësisht me atë sepse ësh­të e domosdoshme puna e diferencuar me individët dhe grupnxënësish dhe sa mundësi organizative dhe teknike ka mësuesi për ta realizuar atë me efektivitet. Dihet se për arsye të diferencave në zhvillimin mendor të traditës e mjedisit familjar, të kulturës së ambientit, ku është rritur fëmija, të cilësisë dhe të normave e standardeve që plotëson shkolla nga mund të ketë ardhur nxënësi, të nivelit të ulët ekonomik dhe të problemeve të tjera sociale, nxënësit e një klase nuk kanë të njëjtin formim, nuk zotërojnë lëndën me të njëjtin nivel, nuk përqendrohen sa e si duhet në mësim, kanë interesa të llojeve të ndryshme e, pse jo, edhe të ekstremeve për dijen e shkollën, mundet që të kenë sjellje e mënyra komunikimi të ndryshme, dëshira nga më të habitshme e forcé, vullnet të niveleve të diferencuara. Keq kur s’di, por është më keq kur nuk di as të përfitosh nga përvojat e asaj pjese të botës, e prezantuar me një literaturë të bollshme nga vendet më të zhvilluara të qytetëruara dhe të pasura, që në themelin e zhvillimit të tyre kanë arsimimin e individit dhe të shoqërisë, ndaj synimi themelor i çdo mësuesi të sotëm mbeten risitë didaktike të vlefshme e me bindjen se kjo kategori nxënë­sish me dobësi do t’i përvetësojnë bazat e programit mësimor, se edhe ato shkallë-shkallë do të bëhen pjesë aktive e orës së mësimit, se do të bëhen të pëlqyeshëm në sytë e shokëve për vete e shoqërinë. Puna e diferencuar e individuale krijon kushte optimale për një mësim që vë në lëvizje masën e nxënësve dhe që krijon hapësira për të gjithë, duke garantuar një sukses sado të vogël në mësim.

Ky sukses sado i vogël përbën garanci për suksese të tjera.

Çdo mësues i sotëm ka mundësi, së paku, të punojë me tre nivelet e nxënësve, çka do t’i përgatitë psikologjikisht ata për mundësitë e përvetësimit të pro­gramit pavarësisht nga vështirësitë dhe boshllëqet që ata do të paraqesin. Mjafton që të evidentohen dobësitë, mënyra dhe shkalla e tyre dhe pastaj punohet lehtësisht me synime të qarta, duke zhvilluar mësim normal, por i organizuar në mënyrë të re. Beteja më e fortë kundër të mësuarit me hope zhvillohet brenda orës së mësimit, prandaj i kërkohet mësuesit të çlirohet nga disa metoda tradicionale që pengojnë pjesëmarrjen aktive të nxënësve në mësim. Kjo arrihet po të frenohet të mësuarit aktiv, kritik e krijues, që bën të mundur angazhimin e tyre në kërkim të plotë me shfrytëzimin e fjalës së mësuesit, tekstit të literaturës plotësuese dhe të burimeve të tjera të mundshme. Ata, duke përpunuar këto të dhëna që gjejnë nga kërkimet e bëra në rrugë individuale apo në grup, ndihmojnë dukshëm në rritjen e cilësisë së punës së diferencuar.

Së pari, puna e diferencuar arrin rezultat kur realizohet mbi bazën e njohjes së veçorive psikologjike, të shkallës së formimit të aftësive e shprehive të fituara nga nxënësit.

Së dyti, ajo duhet parë në dy drejtime: në plotësimin e zbrazëtive të nxënësve dhe për të nxitur më tej prirjet, interesat në fushën e kërkimit shkencor në lëndët që dëshirojmë.

Së treti, forcimi i interesit ndaj të më­suarit në klasë dhe përgjegjësisë së çdo nxënësi ndaj detyrës së ngarkuar.

katërti, kryesorja është përgatitje e lartë ditore e mësuesit, veçanërisht brenda orës së mësimit.

Të gjitha këto burojnë nga kujdesi e përgjegjësia për të ngritur cilësinë e punës me individë dhe grupe nxënë­sish.

Si përfundim, mund të themi se në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar duhet të punohet për forcimin e pozitës së nxënësve brenda dhe jashtë mësimit, d.m.th, për aftësimin e tyre, që të realizojnë me sukses edhe vetëformimin e përgjithshëm shkencor etik si domosdoshmëri për t’i zgjidhur në mënyrë të pavarur, aktive, kritike e kri­juese individualisht apo në grupe detyrat që i ngarkohen, sepse kështu do të sigurojnë edhe në të ardhmen pozicionin në shoqëri si punonjës dhe si njerëz, që përbëjnë bazën e formimit të personalitetit të tyre.