Gjetan Keta më 3 dhjetor përballë Feigenbutz

Gjetan Keta do të zbresë në ring më datë 3 dhjetor për të sfiduar një ndër boksierët më të talentuar në Gjermani, Vincent Feigenbutz. 33 vjeçari ka vijuar përgatitjet intensive, fillimisht në alpet e Austrisë nën përkujdesjen e trajnerit të tij Ismail Ketës e më pas është stërvitur në plazhin e Durrësit. Tashmë Keta po përmbyll fazën e përgatitjeve në Mynih për të qënë plotësisht gati për duelin e rradhës.

Kjo përballje do të zhvillohet në qytetin e lindjes së Feigenbutz, Karlsruhe dhe mbështetja për 21 vjeçarin i mbiquajtur “ Iron Junior” do të jetë maksimale, megjithëse nuk do të mungojnë as tifozët e Gjetanit, si kundër ishin herën e fundit pjestarë të familjes së heroit Adem Jashari.

Në atë rast mbështejta i shërbeu shumë boksierit kuqezi i cili mposhti me pikë kazakun Vasili Sarbayev, megjithatë tashmë e pret një betejë shumë më e vështirë.

Natyrisht freskia është në krahun e gjermanit, por përvoja flet për Gjetanin dhe një sukses eventual kundër Feigenbutz do ta katapultonte në majat e boksit europian.

“Mike Tysoni” shqiptar deri më tani numëron 21 fitore 17 prej të cilave me “knock-out”  dhe 3 humbje në boksin profesionist, ndërsa triumfon prej 9 sfidash rradhazi. Kjo vërteton formën optimale që po kalon 33 vjeçari në prag të këtij dueli shumë të rëndësishëm.