Ndahet nga jeta, ish-presidenti grek, Kostis Stefanopulos

Ish-presidenti i Greqisë Kostis Stefanopulos ka ndërruar jetë mbrëmjen e së dielës, në moshën 90-vjeçare. Shtypi grek shkruan se ai kurohej në gjendje të rëndë prej disa ditësh në një spital të Athinës.

Stefanopulos kishte ndërlikime në rrugët e frymëmarrjes. Ai ka qenë një personalitet i rëndësishëm i jetës politike të Greqisë.

Ish-presidenti ishte zgjedhur në këtë post në mars të vitit 1995. Ndërsa pesë vjet më vonë u rizgjodh duke u bërë i pari kryetar shteti në Greqi që merr votat e dy partive më të mëdha të Parlamentit.

Gjatë presidencës së tij, në tetor të vitit 2004 Stefanopulo ka vizituar edhe Shqipërinë, ku ka ndarë qëndrime të kundërta për çështjen çame me ish-presidentin Alfred Moisiu.

Në fund të vizitës së tij 3-ditore ai ka vizituar edhe zonat e minoritetit grek dhe fshatin Dhrovian, prej nga vjen edhe origjina e gjyshit të tij.