Kukësi fiton me përmbysje ndaj Teutës

Tre pikë që mund të kenë vlerën e një trofeu në fund të sezonit. Kukësi mposhti me përmbysje në transfertë Teutën me rezultatin 2-1 duke mbrojtur pathyeshmërinë në këtë edicion, por më kryesorja duke konservuar kreun e renditjes. Ata që i dhuruan këtë sukses bluve ishin Rangel dhe Kushtrim Lushtaku që zhvleftësuan avantazhin fillestar të durrsakëve me Bangal.

Trajneri Gjoka e nisi këtë sfidë në emergjencë të plotë, pa Shametin, Pashajn, Kariokën, por më kryesorja pa goleadorin Pero Pejic. Teuta në ngritje këto javët e fundit gjeti golin shumë shpejt me Artur Maganin, por sulmuesi ndodhej në pzoicion të dukshëm jashtë loje pas gjuajtjes së Gripshit, në fakt për durrsakët do kishin qënë më mirë që  22 vjeçari mos të kishte ndërhyrë, pasi sfera po i drejtohej rrjetës.

Në anën tjetër kuksianët pretenduan për një 11 m , si pasojë e një pengimi të Grecës në zonë, por nuk pati pa rregullësi për Jorgjin.

Në pjesën e dytë, më saktë pas vetëm 23 sekondash Teuta kaloi në epërsi me Faisal Bangal.

Një harkim i Hodos gjeti Mustën i cili shërbeu me kokë për sulmuesin 21 vjeçar i cili e dërgoi me forcë në rrjetë. U duk se me aq shumë mungesa dhe në dizavantazh do të ishte thuajse e pamundur për blutë verior, por skuadra e Gjokës tregoi karakter dhe rivendosi ekuilibrat me lojtarin e aktivizuar nga stoli Rangel.

Një goditje dënimi e ekzekutuar nga Alla u devijua me kokë nga sulmuesi brazilian duke përfunduar pas krahëve të Shpëtim Moçkës.

Kuksianët fituan moral dhe në minutën e 85-të gjetën golin e suksesit me një tjetër lëvizje të zgjuar të trajnerit Gjoka, Kushtrim Lushtakun.

Mesfshori 27 vjeçar i sapoaktivizuar, përfitoi nga një top i kthyer nga mbrojtja durrsake duke shkarkuar të djathtën e tij drejt e në rrjetë.

Një gol vërtetë me peshë të pallogaritshme për blutë, sidomos duke marrë në konsideratë handikapin e madh të mungesave që kjo skuadër kishte në këtë sfidë. Nëse Kukësi shpallet kampion, ky sukses do të jetë një prej emblemave të sezonit.