Ministri Tahiri reperave shqiptarë: “Mos gjuaj, por duaj”. Ja si ia kthejnë ata…

Fushata e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Mos gjuaj, por duaj”, e cila u lançua një ditë më parë, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin sa i përket rrezikut të mbajtjes së armëve dhe përdorimit të jashtëligjshëm të tyre, ka “shigjetuar” veçanërisht artistët.

Ishte ministri Saimir Tahiri ai që tha se shoqëria nuk duhet të ndjekë shembullin e pasqyruar nga këngëtarët në videoklipet e tyre.

Por të pyetur nga “GSH”, dy prej artistëve të rrymës hip-hop, treguan se nuk janë dakord me deklaratën, madje duke lënë të kuptohet se do të vazhdojnë t’i përdorin armët në videoklipet e tyre.

“Ne jemi artistë dhe thjesht improvizojmë, por nuk kërkojmë të na marrin shembull”, ka deklaruar Stresi.

Ndërsa Besnik Canolli, i njohur ndryshe si 2Po2, ka thënë se si një artist i vërtetë, ai nuk ka lidhje me armët.

“Mendoj se repi, veçse është art, është edhe një lëvizje, që paraqet edhe vetitë negative. Nuk janë vetëm artistët shqiptarë që përdorin armë në videoklipe”, tha reperi nga Kosova.