Manjani: Burgu nuk është spital. Totozani: 114 persona në burgun e Zaharisë, të dënuar në mënyrë të paligjshme

Të dënuarit që vuajnë dënimet e tyre në burgjet e Shqipërinë ankohen për kushtet në këto institucione. Një javë më parë, “News 24” përcolli pamjet brenda qelive të burgut të Zaharisë në Krujë, ku të dënuarit jetojnë mes kushteve tejet të vështira.

Situata, sakaq, nuk paraqitet shumë ndryshe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit në vend.

Emisioni “Njerëz në fokus” me gazetaren Ola Bruko risjell në vëmendje situatën në burgjet shqiptare. Duke folur për “News 24”, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani theksoi se po punohet për të ndryshuar situatën në këto institucione. Manjani tha se së shpejti përfundon burgu i Shkodrës, dhe pas kësaj do të ketë një rishpërndarje të të burgosurve.

Sakaq, ministri theksoi se duhet që të zbatohen edhe dënimet alternative, për të shmangur mbipopullimin në burgje.

“Pikëpamja ime ka qenë dhe mbetet jo për çdo gjë burgu është alternativë. Ka masa të tjera që duhet përdorur për çështje të caktuara, në varësi të veprave penale. Pra duhet të përdoren edhe dënimet alternative. Kjo nuk është një përgjegjësi e Drejtorisë së Burgjeve, por e të gjithëve. Me fillimin e vitit të ri ne do të hapim një burg të ri që është në përfundim e sipër, ky është burgu i Shkodrës. Kjo na jep mundësinë që të burgosurit të trajtohen më mirë”, tha Manjani.

Duke u ndalur në rastin e burgut të Zaharisë, ministri Manjani tha se “ata persona nuk duhet të ishin në burg, por të trajtoheshin nga ana mjekësore. Kujtojmë se në këtë burg ndodhej edhe një person me aftësi të kufizuar, i cili kishte nevojë për më shumë trajtim mjekësor.

“Drejtoria e Burgjeve nuk është spital, ne nuk mund të ofrojmë shërbim të specializuar mjekësore, por ndihmë të parë. Ata persona nuk duhet të ishin në burg, por të trajtoheshin. Është e pamundur që të sëmurët të trajtohen në burg. Nuk i takon burgjeve të merren me të sëmurë. Në burg nuk ka shërbim të specializuar shëndetësor. Ka marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë për konsultat në burgje”, u shpreh ministri.

Kreu i Drejtësisë u ndal edhe tek amnistia duke u shprehur: “Kam përshtypjen se s’ka burgje të tjerë si Zaharia. Larg idesë së realizimit të burgut të hapur. Kemi shumë për të bërë në burgjet e mbyllur. Gjykatat të aplikojnë dënimet alternative. Amnistia është një zgjidhje e përkohshme, nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Kemi filluar disa analiza paraprake për amnistinë. Nëse do çmohet për një amnisti, do të bëhet”.

Panelistët e ftuar në studio kanë mbështetur mundësinë e zbatimit të dënimeve alternative, sidomos për ata persona që kanë kryer vepra penale në kushte të caktuara, dhe që kanë rezultuar më pas me probleme psikike.

Avokati i Popullit Igli Totozani se në burgun e Zaharisë janë 114 persona të dënuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, këta persona nuk kanë qenë të përgjegjshëm, apo në kushte të caktuara psikike. Totozani thotë se në vendimin e Gjykatës për këta persona nuk është dhënë dënim me burg, por rikuperim i detyrueshëm, nisur nga gjendja e tyre shëndetësore, psikike, pasi janë me problemet të shëndetit mendor.

Ai tha se këta persona duhet të rehabilitohen dhe të trajtohen, dhe jo të mbyllen në biruca.

“Nëse do të kërkohet analizim i kësaj situate, shteti shqiptar do të detyrohet të paguajë miliona për dëmshpërblimin e secilit prej këtyre personave që janë mbyllur në burgje, ndërkohë që duhet të trajtohen në kushte të veçanta, me mjek, psikoloh, psikiatër”, tha Totozani.

/BW