PD, Vokshi: I papërgjegjshmi, kryeministri Rama, dhe propaganda për ‘shëndetësinë falas’

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e ka quajtur kryeministrin Edi Rama një “turist të papërgjegjshëm” që bën propagandë për “dështimin e tij më të madh, shëndetësinë falas” ndërkohë që spitalet në vend janë në ditën e tyre më të keqe.

“Nga New Yorku, turisti Edi Rama na foli për ato që ai i quan “arritje në shëndetësi”. Foli nga New Yorku ku ka hapur ekspozitë të skicave të tij me paratë e Vilma Nushit, me paratë e shëndetit të shqiptarëve. Nga suita e tij shumë luksoze , shumë e shtrenjtë në New York, “i papërgjegjshmi” kryeministër, bën propagandë për dështimin e tij më të madh, “shëndetësinë falas” ndërkohë që tërë vendi është i përmbytur dhe mijëra familje, burra, gra e fëmijë i ka lënë në mëshirë të fatit,” është shprehur Vokshi përmes një deklarate për mediat.

Sipas saj, asgjë nuk mund ta fshehë më gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia sot.

“Asnjë video, nuk e fsheh të vërtetën e shëndetësisë në vend. Asnjë sajesë nuk fsheh dot humbjen e jetës së 6 pacientëve me HIV/AIDS për mungesë barnash. Asnjë postim nuk fsheh dot vuajtjen e pacientëve me kancer apo dhimbjen e familjarëve të tyre që i ka lënë pa kurim apo ‎ata mijëra të tjerë që enden vuajtshëm spitaleve që i ka lënë si në gjendje lufte.

Rama ndau me klientët e tij mbi 320 milionë euro për koncesionet në shëndetësi, ndërkohë që spitalet janë në ditën më të keqe, nuk ka ilaçe, nuk kanë shtretër, mungojnë mjetet bazike.”

Shëndetësia u ka kushtuar shumë shqiptarëve këto 3 vite, ndërkohë që u bë biznesi më fitimprurës për Ramën-Beqën e klientët e tyre,” thotë deputetja e PD-së duke përfunduar se ditë më të zeza do të vijnë, pasi Rama ka planifiuar në buxhetin 2017, koncesione të tjera klienteliste.