Lazimi: Posta Shqiptare e ka nisur rrugëtimin e saj drejt inovacionit

U zhvillua sot forumi Ndërkombëtar “Smart  Balkan Forum”, ku në fokus janë zhvillimet inovative dhe risitë teknologjike në shoqëritë publike dhe private.

Në këtë aktivitet pjesëmarrës ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, i cili foli për rolin e institucionit që ai drejton. Gjatë fjalës së tij, z. Lazimi u ndal në faktin se ështe e qartë se postat sikurse shumë industri e biznese të tjera, nevojitet që të gjejnë modele të reja biznesi të cilat reflektojnë tregun e sotëm dhe nevojat e konsumatorit.

Me tej, z. Lazimi shtoi se Posta Shqiptare manaxhimin e inovacionit nuk e konsideron si një koncept apo nje proces të lehte, sepse jo domosdoshmërisht idetë e reja përkthehen në rritje volumesh dhe të ardhurash, prandaj deri më tani Posta Shqiptare është treguar mjaft e kujdesshme në hapat që ka hedhur apo planifikuar drejt inovacionit.

Gjatë fjalës së tij z. Lazimi tha se Posta Shqiptare duhet të gjejë një pozicionim të ri në treg, që do të thotë dixhitalizim, por edhe përdorim më eficencë të burimeve aktuale duke i vënë ato në përdorim të një shërbimi më të përsonalizuar ndaj konsumatorit. “E-commerce është një mundësi e vërtetë biznesi që ne e kemi parë si potencial të së tashmes, duke menduar të zhvillojmë edhe një platforme autentike të Postës Shqiptare të një tregu dixhital ku konsumatorët të blejnë online dhe njëkohesisht të marrin edhe shërbimin postar nga ne”-tha z. Lazimi.

Një theks i rëndësishëm nga kjo administratë i është vënë një tjetër projekti inovativ që ka të bëjë me projektin Digital Post Office, i cili fokusohet kryesisht tek zonat rurale dhe periferike. Nëpërmjet këtij projekti synohet një zgjidhje teknike për të dixhitalizuar pjesën e mbetur të rreth 200 zyrave postare që nuk janë të lidhura me sistemin qëndror të Postës Shqiptare.

Një ndër prioritetet e Postës Shqiptare vazhdon të mbetet shërbimi ndaj klientit, i cili është një mundësi e shkëlqyer për inovacion dhe si pasojë Posta Shqiptare është shumë e interesuar për ta përmirësuar dhe zhvilluar atë më tej. Në kuadër të një shërbimi më të mirë ndaj klienteve janë edhe Bankomatet Postare të cilët do të luajnë rolin e një zyre postare që shpërndan pakot. Këto Paisje Automatike janë konceptuar që t’u japin mundësi klienteve të tërheqin pakot e tyre në mënyrë automatike, të vetshërbehen 24 orë në 24 e të mbarojnë punë më shpejt duke shmangur radhët që krijohen në zyrat postare që shpërnadajnë pakot.

Në fund të fjalës së tij, Z. Lazimi theksoi se barrierat e brendshme dhe të jashtme që hasen në drejtim të inovacionit, janë shumë të rëndësishme për të kuptuar dhe për t’u ndërgjegjësuar për pritshmëritë e Postës Shqiptare  dhe të klientëve tanë, pasi duhet të jemi realist për kushtet dhe stadin aktual të zhvillimit të vendit. Madhësia e tregut është një tjetër barrierë, pasi Shqipëria është një treg i limituar, me fuqi blerëse të moderuar dhe hezitues për ndryshime dhe adaptime teknologjike. “Gjithsesi, ne tashmë e kemi nisur rrugëtimin tonë drejt ndryshimeve dhe transformimit të domosdoshëm, i cili do të jetë i gjatë por i sigurtë. Inovacioni nuk është thjesht opsion por domosdoshmëri për ekzistencën e operatorëve postar në treg dhe shpresoj që të ecim më shpejt me hapin e kohës sikurse dëshirojnë klientët dhe partnerët tanë”- përfundoi z. Lazimi.