Tensionet Rusi-Perëndim: Luftë e Tretë Botërore, apo Luftë e Dytë e Ftohtë?

Palët sfidojnë njëra-tjetrën përmes manovrave ushtarake. Ashtu si asnjëherë më parë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, avionët luftarakë dhe anijet luftarake po i afrohen njëra-tjetrës

Kur Vladimir Putin u zgjodh president i Federatës Ruse në vitin 2000, shumë personave brenda dhe jashtë Rusisë në kokë u vërdalliseshin pyetjet: “Kush është ky Putin?” dhe “Ku po shkon Rusia?” Aktualisht, kanë kaluar 16 vite që kur Putin filloi me ceremoni detyrën në Pallatin e Kremlinit. Krahas periudhës 2008-2012, kur për shkak të detyrimeve kushtetuese në vend të tij kaloi Dmitry Medvedev, Putin tërë këtë periudhë ka qenë në kabinën e timonit të Rusisë. Përveç kësaj, gjithsecili ishte në dijeni se Putini ishte padroni i vërtetë pas perdes edhe gjatë periudhës sa ushtronte detyrën e kryeministrit.

Ndërsa brenda vendit sigurohej rend politik nëpërmjet politkave të fuqishme dhe konsekuente, jashtë vendit u hap rruga e një sigurie ekonomike me rritjen rekorde të çmimeve të naftës dhe gazit natyror. Në saj të kësaj, pas viteve me lëkundje dhe probleme të vërteta politike dhe ekonomike, Rusia e mileniumit të ri me Putinin filloi që sërish t’i kujtojë vitet e Rusisë së fuqishme dhe potente. Putin, i cili me ndihmën e karakteristikave të një lideri karizmatik që u përgjigjej pritjeve të popullit rus arriti të fitojë mbështetje të jashtëzakonshme te opinioni publik, arriti në kuptimin e plotë të fjalës ta rikthejë Rusinë në skenën ndërkombëtare.

Çdokush ndan mendimin e njëjtë se Rusia aktualisht është kthyer në arenën ndërkombëtare. Tjetër çështje për të cilën po ashtu çdokush ka mendim të njëjtë, është se me kthimin e Rusisë është kthyer edhe atmosfera e “Luftës së Ftohtë” mes viteve 1947 dhe 1991, për të cilën mendonim se kishte ngelur në librat e historisë. Në mënyrë serioze, ka arritur të bëhet e përfolur mundësia që kjo atmosferë, të cilën do të mund ta emëronim si “Lufta e Dytë e Ftohtë”, të shndërrohet në konflikt të ngrohtë. “Lufta e Parë e Ftohtë” që thuajse hipotekoi shekullin e kaluar, nuk arriti ta zvarritë botën drejt një “Lufte të Tretë Botërore”, edhe krahas të gjitha ftohtësive. Vallë, a e shtyjnë zhvillimet aktuale botën drejt “Luftës së Dytë të Ftohtë”, apo e shtyjnë drejt “Luftës së Tretë Botërore?”