Uniformat e reja të policisë, Tahiri: Çështje dinjiteti

Prezantohen uniformat e reja të Policisë së Shtetit.

Në aktivitetin e organizuar në Ministrinë e Brendshme, ministri Saimir Tahiri theksoi se çështja e uniformave nuk është thjesht çështje veshjeje, por çështje dinjiteti.

Në Policinë e Shtetit sa më shumë punë kërkohej aq më shumë braktiseshin ata që duhet të bënin punën.

Sa më shumë integritet nevojitej aq më shumë mungesë besimi kishte. Përveç mungesës së buxhetit, infrastrukturës, mjeteve teknologjisë kushteve të punës e shumë të tjera si këto, punonjësit e policisë nuk mund të ndiheshin rehat as me rrobat e veta.
Para pak kohe, uniformë quhej dhe ashtu duhet të ishte, por nuk ishte uniformë por tjetër formë. Sot është një ditë e rëndësishme. Nga sot do të kemi uniforma të reja,  dhe mbi të gjitha cilësore për mbi 9 mijë punonjës policie
.”- deklaroi ministri Tahiri.

Fjala e plotë e Ministrit Tahiri:

Inderuar zoti Kryeministër

të nderuar deputetë të Komisionit të Sigurisë,

të nderuar partnerë,

të nderuar pjesëmarrës,

Nëse do kishte një punë ku vihej re gropa e madhe ndërmjet pritshmërisë së publikut nga njëra anë dhe mungesës së mbështetjes nga qeveria për ta përmbushur këtë pritshmëri nga ana tjetër, ishte padyshim puna në Policinë e Shtetit. Ku sa më shumë punë kërkohej, aq më shumë braktiseshin ata që duhet të bënin punën. Sa më shumë dinjitet duhej, aq më shumë degradim kishte. Sa më shumë integritet nevojitej, aq më shumë korrupsion e mungesë besimi kishte.

Pasqyra më e mirë e boshllëkut ndërmjet asaj që duhej e asaj që bëhej, ishte pa asnjë diskutim Policia e Shtetit. Ku përpos mungesës së buxhetit, mungesës së infrastrukturës, mjeteve, teknologjisë, kushteve të punës, e shumë të tjera si këto, punonjësi i policisë nuk kishte mundësi të ndjehej rehat dhe me rrobat e veta. Dhe këtë nuk e them as për ekzagjerim e as gallatën gati popullore për ata që zihen me rrobat e veta. Në fakt është e vërteta ajo deri para pak kohëve. Uniformë quhej dhe ashtu duhet të ishte, por në të vërtetë nuk ishte uniformë; ishte tjetër formë për çdo polic.

Sot është një ditë shumë e rëndësishme, dhe për këtë dua të falënderoj pa asnjë diskutim partnerët tanë turq, që pas 3 vjet këmbënguljesh tona e veçanërisht të Kryeministrit, përfunduam bashkë këtë projekt të rëndësishëm për Policinë Shqiptare.  Kjo nuk është çështje veshjesh. Kjo është mbi të gjitha çështje  dinjiteti  për punonjësit e Policisë dhe besimin e publikut tek uniforma që përfaqëson ligjin në rrugë.

Nga sot do kemi uniforma të reja, të plota për çdo stinë, e mbi të gjitha mjaft cilësore, për mbi 9.000 punonjës policie: për Qarkullimin Rrugor, për Rendin, për Shqiponjat dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ne gjetëm një polici të varfër në arsim. Hapëm Akademinë e Sigurisë për të fituar sfidën më të madhe me mungesën e dijes. Ndaj sot Policia është më e edukuar e më e qytetëruar në krahë të publikut.

Gjetëm një Polici të varfër. Kjo qeveri rriti pagat që në vitin e parë me 25%. E do rrisë përsëri pagat e policisë që nga 1 marsi i vitit tjetër. Gjetëm një Polici të varfër në mjete, në infrastrukturë, në teknologji. Po mbyllim gropën e së kaluarës, me mjete të reja, infrastrukturë bashkëkohore, e risi teknologjike që zvogëlojnë korrupsionin e përmirësojnë mundësinë për ti shërbyer publikut.

Nga institucioni më i pabesuar nga qytetarët, Policia sipas të gjitha sondazheve është institucioni më i besuar në vend.

E mbi të gjitha, gjetëm një polici të varfër nga puna e rezultatet. Sot çdo tregues, flet për një histori suksesi me plot mundësi për të fituar çdo sfidë që kemi para.  Është ulur numri i vrasjeve dhe i vjedhjeve. Është rritur lufta kundër drogës dhe pasuria kriminale e sekuestruar. E kështu mund të vazhdoja gjatë duke përmendur treguesit.

Dhe po të dëgjoni ata që na kritikojnë, na thonë 2 gjëra. E para “Mos u krahasoni me qeverinë e kaluar”. E dyta “Shifrat nuk janë të rëndësishme”.

Për të parën kanë të drejtë në fakt. Ne jemi të dënuar të krahasohemi me pritshmërinë e qytetarëve, por këtë do ta bëjmë (e nuk ka mënyrë më të mirë) vetë, duke i treguar publikut çfarë kemi lënë pas, sa rrugë kemi bërë deri këtu, e mbi të gjitha, sfidat që kemi përpara.

Për të dytën, mbetesh pa fjalë. Sepse e gjithë bota e mat rezultatin me statistika dhe me shifra.  Por ne jemi shumë të hapur e shumë të gatshëm. Le të na e zgjedhin kritikët mënyrën si duan ata të matim ne punën, dhe ne jemi dakord. Mjafton të mos na sjellin për fakte akuzat dhe shpifjet.

Policia sot sulmohet sepse nuk i shërben askujt tjetër përveç ligjit. Dhe të jeni të gjithë të  bindur që në rast se Policia nuk do i kishte shërbyer ligjit, nuk do sulmohej aspak.  Ndaj çdo sulm, është vetëm konfirmimi për rrugën që kemi zgjedhur. Dhe sa më shumë të na sulmojnë e hedhin baltë, aq më shumë ne duhet të punojmë. Sepse beteja jonë më e madhe, nuk është lufta kundër paligjshmërisë, por lufta për të fituar çdo ditë e më shumë besimin e qytetarëve.

Për këtë shkak, shumë shpejt do fillojmë pilotimin e një modeli tërësisht të ri të Policit të Zonës në policimin në komunitet, duke fuqizuar rolin e policit të zonës për ta kthyer në pikën e referencës dhe partnerin më të parë të qytetarit. Polici i zonës që nuk të shfaqet më te dera për ndonjë hall, por do jetë aty për të të ndihmuar dhe për të të shërbyer, duke ndërtuar në komunitetin e lagjes mekanizma të tillë shoqërorë që bëjnë të mundur garantimin e përbashkët të sigurisë.

E po kështu, shumë shpejt do hapim dyert e Policisë së Shtetit për të rinjtë e të rejat që duan të shërbejnë vullnetarisht në Polici. Si në çdo vend të botës, edhe këtu duhet të fillojmë të mirëpresim të gjithë ata që qoftë edhe 2 orë të lira, në 1 apo 5 ditë të javës duan t’i shpenzojnë duke shërbyer në Polici, për komunitetin e tyre, për qytetin dhe për njerëzit. Polici vullnetar, është hapësira për t’u bërë bashkë me qytetarët, duke i përfshirë vetë ata në një përpjekje që nuk mund të jetë as vetëm e qeverisë, as vetëm e policisë, por duhet të jetë përpjekja e shoqërisë, e të gjithëve ne.

Janë disa qindra, brenda pak ditësh, kërkesat e të rinjve e të rejave për të shërbyer disa orë vullnetarisht në Polici, në një kryqëzim me policinë e qarkullimit rrugor, pranë një shkolle, apo pranë komunitetit të lagjes me policinë e rendit. Sepse mundësitë tona për t’u bërë bashkë, janë të pafund.

Ndaj unë i falënderoj të gjithë këta të rinj dhe të reja dhe u them se shumë shpejt ne do jemi gati.

Ligjin e ruajmë të gjithë bashkë. Fëmijëve tanë i shërbejmë të gjithë bashkë. Drejtësinë e ndërtojmë të gjithë bashkë. Shqipërinë që duam, e bëjmë të gjithë bashkë.

Ndaj investimi njerëzor sot, është padyshim mundësia më e mirë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë nesër.

Urime për uniformat e reja. Dhe jepuni dinjitetin e merituar duke u shërbyer qytetarëve.

Ju faleminderit!