Rama-Meta, dyshja fituese 2017

Përfundimi i procesit zgjedhor në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe rizgjedhja në krye të saj të Ilir Metës i hap rrugën dhe procesit të caktimit të koalicioneve zgjedhjeve. Negociatat zyrtare pritet të hapen pas datës 5 dhjetor, kur të përfundojë dhe zgjedhja e strukturave partiake të LSI. Gjithsesi, zgjedhjet në LSI dje e dhanë një mesazh politik përsa i përket koalicionit dhe vazhdimësisë së tij. Ilir Meta mori 76 për qind të votave, ndërsa dy kandidatët Përparim Spahiu dhe Shezai Rrokaj që në platformat e tyre kërkonin që të ishte LSI-ja ajo që përcaktonte rregullat e lojës në koalicion morën 24 përqind. Mesazhi politik i votimit në partinë e dytë në koalicion është vijimi i normalitetit në qeverisjen PS-LSI. Të paktën, në bazë të votave që kanë marrë kandidatët e LSI-së, ky pritet të jetë dhe qëndrimi partisë në momentin e diskutimit të aleancave. Dhe natyrisht që kështu duhet e do të ndodhë. Mundet të ketë kushte të reja nga LSI, por Ilir Meta do të mbetet në koalicionin e natyrshëm të së majtës. Meta e di mirë, nisur nga eksperienca më e bollshme ndër vite në politikë, se vetëm përbashkimi i së majtës e mban PS-LSI në pushtet për të vazhduar reformat. LSI ka plot oferta, edhe nga e djathta, por edhe nga partia e Blushit për të krijuar një Pol të Tretë Politik. Por ka preferuar të vazhdojë koalicionin e ndër muajt në vijim të skicojnë një marrëveshje me precize për vitin 2017-2022.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e cila ndodhej mes dilemave për aleatë të rinj në qeveri e ka kuptuar se i duhet një forcë politike që i garanton stabilitet në koalicion dhe votat e nevojshme për të kaluar çdo reformë. Megjithë problemet gjatë tre viteve, qejfmbetjet apo gërricjet politike me dy forcave kryesore, LSI-ja për asnjë moment nuk e ka vendosur në dyshim mazhorancën. Asnjëherë nuk ka patur dilema për koalicionin. Edhe kur pranë Metës kanë pëshpëritur zëra për braktisje të PS-së dhe Edi Ramës, ai pra Kreu i LSI ka hedhur poshtë çdo ofertë nga krahë të ndryshëm politikë. Dhe e ka bërë në emër të parimit, marrëveshjes dhe miqësisë me Ramën.

Bashkimi i PS dhe LSI, i Edi Ramës dhe Ilir Metës, ka treguar se mbetet e vetmja formulë për të mbajtur të majtën në pushtet. Provat e tjera u kaluan të gjitha gjatë viteve 2005-2013. U testua forca e PS, u provuan koalicione të tjera dhe përfundimi ishte se e majta mbetej në opozitë. Koalicioni i vitit 2013 ishte lëvizja më e zgjuar politike e Edi Ramës dhe sjellja më e natyrshme e Metës si pjesë e së majtës. Përveç ideologjisë, koalicioni faktoi se është superior në numra, ç’ka u konfirmua dhe në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2013 dhe zgjedhjet lokale të vitit 2015. Ky superioritet numerik i jep garancinë vazhdimit të reformave dhe çdo programi qeverisës që kanë të dyja forcat politike. Aq me tepër se LSI do të marrë me shumë vota se në vitin 2013 dhe në zgjedhjet vendore 2015.

Në këtë situatë, kur PS-ja ndodhet në fazën e saj më të mirë organizative dhe kur LSI-ja vjen si një forcë tashmë e konsoliduar me mbi 50 mijë anëtarë, zgjedhjet e vitit 2017 duken si një sfidë e lehtë për t’u fituar, nëse janë bashkë në koalicion. Aq me tepër se kanë edhe një opozitë ende të pa formëzuar për të krijuar frymë e besim. Të dyja forcat politike, PS-LSI, tashmë kanë përvojën e një mandati qeverisës bashkë dhe i kanë përcaktuar prioritet mbi të cilat duhet të ecin në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht, probleme mund të ketë. Tek e fundit probleme ka edhe brenda vetë partive. Edhe në një familje krijohen probleme e qejfmbetje.  Por për sa kohë  Rama dhe Meta i kanë të qarta objektivat për në BE dhe rritje të ekonomisë, edhe presionet nga brenda strukturave të partive nuk do dominojnë vendimet politike të drejtuesve të koalicionit.

Nëse dëgjojnë thënie veshi nga servilët që mund t’ju rrijnë rrotull atëhere gabimi është i të dyve. Nëse ulen dhe debatojnë për një koalicion të ardhshëm sa me efektiv atëhere dyshja Rama-Meta do ta qeverisë vendin edhe për katër vite të tjera.