Gjetan Keta, ‘oksigjen’ Shqipërie për duelin vendimtar

Një duel që mund t’i shërbejë Gjetan Ketës për të bërë kthesën e madhe të karrierës së tij në boksin profesionist. E tillë është sfida e 3 Dhjetorit që boksieri shqiptar do të zhvillojë në Gjermani kundër talentit vendas, Vincent Feigenbunz. Pas stërvitjes intensive në Aplet e Austrisë, Gjetani dhe trajneri i tij, Ismail Keta janë zhvendosur që prej një jave në bregdetin e Durrësit për fazën e dytë përgatitore. Vëllai dhe trajneri i tij, Ismail Keta zbulon arsyen e transferimit të përkohshëm në vendin tonë në prag të një dueli vendimtar për karrierën e Gjetanit.

“Pas fazës përgatitore në 2500 metra në Alpet e Austrisë ku niveli i oksigjenit është i ulët, menduam të vazhdonim këtu në bregdet ku niveli i oksigjenit është i lartë. Besoj se kjo pjesë e stërvitjes do ta ndihmojë shumë Gjetanin”.

Në vijim, ai shton se kjo është një përballje që mund të hapë spirale të reja në karrierën e Gjetanit, prandaj edhe tensioni një muaj përpara kësaj sfide është i madh. Dy vëllezërit nga Bulqiza po respektojnë me përpikëri fazën përgatitore. Dietë e rreptë, vrap në natyrë dhe më pas stërvitje në bregdetin e Adriatikut. Gjetani e pranon se përgjegjësia për këtë sfidë është e madhe.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari më të ri dhe të suksesshëm por unë jam stërvitur mirë dhe e pres me optimizëm këtë duel”.

Fakti që kundërshtari nuk ka pranuar një sfidë shtesë në rast të një disfate të Gjetanit, e motivon edhe më shumë 34-vjeçarin shqiptar për të synuar fitoren. Dueli mes Ketës dhe Feigenbutz ishte programuar fillimisht për t’u zhvilluar në datën 23 Shtator, por organizatorët kërkuan shtyrjen duke caktuar 3 Dhjetorin për shkak të zhvendosjes së duelit në një sallë më të madhe për shkak të interesimit të madh. /supersport/