PO NDODH/ Forca të shumta të policisë greke grupohen pranë kufirit shqiptar

Ditën e sotme ka patur një shkëmbim zjarri mes policisë së kufirit grek dhe trafikantëve të drogës. Forca të shumta të policisë greke, Departamentit të ruajtjes së kufirit, forca të ndërhyrjes kundër terrorizmit dhe të antitrafikut kanë rrethuar zonën ku ndodhi shkëmbimi.

Gjithcka filloi kur grupi i policisë, pjesë e Departamentit të Filatit për kufirin ishte duke kryer patrullim në një zonë të pyllëzuar në afërsi të fshatit Anavriti dhe fshatit Lia, shumë pranë kufirit greko-shqiptar.

Gjatë patrullimit janë gjetur të fshehur pesë çanta të mëdha me kanabis. Në momentin që policia ka arritur në vendin ku ishin çantat, sipas policisë greke një trafikant shqiptar që kishte rolin e ruajtjes së drogës ka hapur zjarr ndaj policisë greke.

Policia greke i është kundërpërgjigjur zjarrit, por shqiptar arriti të shpëtonte duke lëvizur në zonën e pyllëzuar.

Në vendngjarje ndodhen forcat OPKE, Prokuroria dhe Departamenti i Rojes Kufitare, duke marrë pjesë me forca të shumta. Forca të tjera, por edhe helikopterë janë duke patrulluar terrenin në një zonë të gjerë në të gjithë perimetrin me kufirin shqiptar. Policia beson se në zonë ndodhen edhe trafikantë të tjerë.

(Sarandaweb)