Seria A në një tjetër skandal, edhe Erjon Bogdani i përfshirë në afera

Futbolli në Itali goditet nga një tjetër valë hetimesh të kryera nga organet e drejtësisë mbi agjentët e futbollistëve dhe thyerjen e drejtësisë sportive.

Prokuroria italiane, prej një kohe të gjatë po heton shkeljet e Kodit të Drejtësisë Sportive dhe rregullores së Agjentëve të Futbollistëve, dhe në rezultatet paraprake të këtij hetimi është dalë në përfundimin se 16 klube (Inter, Juventus, Napoli, Palermo, Chievo, Lazio, Genoa, Pescara, Catania, Cesena, Ternana, Vicenza, Livorno, Portogruaro, Grosetto dhe Regina) janë fajtorë me përgjegjësi direkte për kryerjen e një sërë veprimesh të palejuara.

Nga hetimet e Prokurorisë, është përpiluar një listë e gjatë me emra zyrtarësh të klubeve dhe agjentë futbollistësh të cilët rezultojnë përgjegjës për shkeljen e rregullave gjatë ushtrimit të detyrave përkatëse raporton Panorama Sport.

Mes emrave të përshirë, është edhe ai i djalit të Luciano Moggit, Alessandro Moggi, i cili ushtron profesionin e agjentit të futbollistëve.

Në shkeljet që i janë gjetur atij, raporti i Prokurorisë italiane përmend në tre raste emrin e ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare, Erjon Bodgani, i cili kishte si menaxher Moggin.

Sipas asaj që shkruhet në raport, kontratat që Moggi ka kryer për futbollistin shqiptar me klubet e Chievos, Cesenas dhe Sienas, rezultojnë të kenë shkelje në rregullat e konfliktit të interesit.