Vjen romani i ri i Arlinda Gumës,  “Terma humanitarë si fjala bombardim”

Një titull i pazakontë… një histori e pazakontë… madje edhe një kopertinë e pazakontë nga Renè Magritte, e cila të fut në një gjendje disi surreale… Dhe një fjalë: “bombardim”, me të cilën aq shumë na janë mësuar veshët këto kohë…  Një roman që i kapërcen hapësirat e temave lokale dhe një qëndrim antikonformist i autores ndaj situatës globale. Në hyrje të romanit shkruhet se botimi mundësohet nga Martin Camaj Gesellchaft, një shoqatë kulturore në Mynih, Gjermani, e një emër i tillë, duket edhe ai një garanci e konsiderueshme për cilësinë e romanit.  Po sjellim për lexuesit një përmbledhje të fabulës së romanit, shkruar në kopertinën e pasme të tij:

Një nëpunës i një misioni humanitar, në kontinentin Afrikan, bëhet rastësisht dëshmitar i një bombardimi, sa tragjik aq edhe grotesk. Ai kërkon të shkruajë një artikull për gazetën “The New York Times”, menjëherë pas përfundimit të misionit dhe kthimit në qytetin e tij të lindjes; “një qytet mesdhetar që duket sikur jeton i gjithi në një tablo të Monet-së.” Por, ku ta dijë se edhe atje, në qytetin e tij të lindjes, e pret “një tablo e bombarduar”…

Pas romanit “Bulevardi i Yjeve”, “Terma humanitarë si fjala bombardim” është një tjetër titull sarkastik i autores Arlinda Guma, i cili fshikullon dritëshkurtësisë burokratike të organizatave ndërkombëtare në vendet e botës së tretë.  Një fiction i ndërtuar mbi një ngjarje të vërtetë, e cila çuditërisht ka kaluar jashtë vëmendjes së opinionit ndërkombëtar.  Një fiction që nuk e kursen aspak ironinë dhe humorin e zi, ndaj subjektivizmit të gjeopolitikës globale.  Romani përshkohet edhe nga një linjë e dytë, jo më pak e rëndësishme, e cila të mbështjell me një atmosferë delikate, vegullish, mirazhesh të panjohura, “si të dala prej përplasjes së disa epokave me njëra-tjetrën”, që personazhi rreket i pështjelluar t’i deshifrojë… Ndërkohë që, një tjetër vegulli, një dashuri që duket sikur ka marrë një tren që ngurron të niset, e shoqëron atë “me një pikëllim të largët”, që migron edhe në sytë e statujave të qytetit të tij “impresionist”. “Ato mund të mos kishin një gjymtyrë, ndoshta disa, madje mund të mos kishin fare as kokë, por pikëllima do të ishte gjithmonë aty, duke fërgëlluar trazim.”  Dy subjekte romanesh në një… dhe një fill i ngrënë prej kohërave, që i mban të lidhur së bashku…“me një shkëlqim humnerash”…

Ndërsa këtu në vijim, një copëz, shkëputur nga romani: “Lajmet mbi muzeun e Louvre-it nuk kishin të mbaruar. Kësaj radhe, policia kishte arrestuar nj vizitor, “të shqetësuar mendërisht”, i cili kishte tentuar t’i mbulonte sytë me skoç, portretit të Monna Lisës.

Folësja sqaronte se, kur vizitori ishte pyetur në polici, përse kishte dashur ta kryente atë veprim, ai ishte përgjigjur qetësisht se vështrimi i Monna Lisës e shqetësonte.

Dhe nuk e ka pasur krejt gabim, tha me vete H., pastaj u kthye nga djaloshi, ende i turbulluar prej lajmit që sapo kishte dëgjuar. Një shqetësim planetar ndihej ngado… dhe burimi do të ishte, si gjithmonë; një Monna Lisë… apo thjesht një Lisë.”

Një roman për lexues inteligjentë.  Një roman për ata që mendojnë… dhe që nuk lejojnë t’ua manipulojë shijet propaganda mediokre e të ashtuquajturave “institucione letrare”. Kërkojeni këtë roman… Ai ju pret në një cep të heshtur të librarisë, i shurdhuar nga marketingu që u bëhet librave përbri tij. Pra, “Terma humanitarë si fjala bombardim”, një roman për lexues me mendje të bukur…