Përlotet aktorja që luftoi kancerin: Dua t’i jap uratat vajzës sime për shërbimin

Një shembull për tu marrë, një sfidë ndaj jetës dhe guximit për tu rikthyer në teatër, aty ku nisi dhe jetën. E tillë nis historia e aktores së njohur, Hajrie Rondo. Pas betejës me sëmundjen e rëndë, Rondo u rikthye në skenën e teatrit, me dramën shqipe “Tre Dhëndurët”. E ftuar në emisionin “Rudina” në Klan aktorja u përlot kur i kujtuan një kolazh të roleve që ajo kishte luajtur.

Më pas aktorja, shumë e dashur për publikun shqiptar, tregoi kalvarin e vuajtjeve në luftën ndaj sëmundjes.

“Unë jam në fazën e mjekimit, me kimioterapi. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale të zorrës së stomakut. Kjo më dobësoi dhe nuk e mora dot veten, por luftoj, luftoj aq sa unë kam në dorë, sa mund të bëjë. E para është optimizmi, që është gjëja më e mirë, pastaj ushqyerja, këshillat me mjeken. Të gjithë mjekët më thonë: shikoje jetën me ngjyra të bukura”.

Aktorja dha dhe një mesazh për të gjitha gratë shqiptare, e ajo është kontrolli i shpeshtë. Ajo solii dhe rastin e saj, që tek ajo ishte krijuar rezonanca manjetike, e cila duhet bombarduar.

“Femrat të bëjnë kontrolle sa më të shumta, që ta kapin në kohë. Kjo është dhe porosia dhe këshilla e gjithë mjekëve. Tek mua rezonanca manjetike tregoi një masë që duhej bombarduar, që të luftohej. Në këtë sëmundje me mirë njerëz me kanë mbështetur dhe kjo është një terapi. Ngjitja ime në skenë ishte për të dhënë një mesazh me këtë rol, kush ka rëndesa të tilla dhe në veçanti grave që të luftojnë, ta mbajnë jetën me dhëmbë. Jeta është e bukur dhe duhet jetuar”.