​”Mbetjet”, Shalsi e Balla: Kemi bërë ndryshime në ligj, vijojnë konsultimet

Mazhoranca ka bërë ndryshime në ligjin për importin e “Mbetjeve”. Lajmin e dhanë sot deputetët e PS, Eduard Shalsi dhe Taulant Balla, pas takimit të zhvilluar me përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP).

Si një prej nismëtarëve të ligjit të Mbetjeve, Eduard Shalsi, u shpreh se është rënë dakord për përcaktimin e kuotës së importit dhe përpunimit si dhe detyrimi për bashkitë me qëllim ndarjen e mbetjeve në burim.

Kemi një diskutim si asnjëherë më parë për plehrat apo mbetjet në Shqipëri. Është arritur një fitore që ka të bëjë me sensibilizimin e të gjithë aktorëve politik e shoqëror të çdo individi që menaxhimi i mbetjeve është një problem madhor që duhet parë si një sfidë e cila nuk mund të fitohet vetëm nga politika, por nga e gjithë Shqipëria. Kemi qenë të hapur për çdo lloj propozimi e ideje që do ta bëjë më të mirë nismën tonë.

Me një pjesë të shoqërisë civile nuk biem dakord, jemi dhe kemi qenë të hapur për çfarëdolloj iniciative.

Kemi vendosur kuotat mes asaj që do importohet dhe do përpunohet në Shqipëri. Po diskutojmë dhe po shohim me shumë vëmendje, heqjen e ngarkesave fiskale për industrinë e riciklimit. Ka taksë për ndotjet në Shqipëri. Bashkitë duhet të fillojnë ndarjen e mbetjeve ne burim”, u shpreh Shalsi.

“Kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjo për fuqizimin e industrisë së riciklimit. Zgjidhim një hall 25-vjeçar për trajtimin e mbetjeve urbane në Shqipëri. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë proces dëgjesash dhe konsultimi”, deklaroi nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

I pyetur për tezën e referendumit, pas insistimit të kryedemokratit, Lulzim Basha, Eduard Shalsi tha se preferon të flasë për çështje serioze.