Rrokaj: LSI duhet të ketë qëllim të jetë forcë e parë politike

Një prej tre kandidatëve për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, profesori i njohur Shezai Rrokaj, i ftuar në studion e lajmeve të Ora News, tha se synimi kryesor i LSI-së nuk duhet të jetë se me kë të bëjë koalicione, por që të jetë forcë e parë në mënyrë që të drejtojë qeverinë.

Rrokaj: LSI-ja është një platformë që unë kam, nuk duhet më shumë të synojë se me kë të bëjë koalicion, por më shumë të synojë të fitojë zgjedhjet. Unë nuk e kuptoj se si një parti politike synon të marrë pushtetin. Ky është pak definicion synimi i saj. Nuk mund një parti më shumë t’i kushtojë rëndësi se me kë do të bëjë koalicion se sa çfarë duhet të arrijë. Detyra e LSI-së është të synojë marrjen e pushtetit, pra daljen forcë e parë. Ky është synimi kryesor. Pastaj, koalicionet duhet të mësojmë t’i bëjmë, sepse koalicionet duhet të bëhen mbi baza platformash nga njëra anë, përputhshmërie platformash. Për sistemin fiskal ne kemi qenë për taksën e sheshtë, pra për rëndësinë themelore që ne i kushtojmë biznesit.

I pyetur nëse kishte garën më të fortë, me Metën apo me Spahiun, Rrokaj tha, tha se garën në këtë parti e kishte me vizionin e vet.

Rrokaj: Unë garën e kam me vizionin tim. Në qoftë se vizioni im do të gjejë shtrat në Konventë, në programin politik të partisë e kam të fituar. Unë garën si akademik e kam bërë. Garën për Tiranën e kam fituar. Unë jam futur në LSI në vitin 2008, sepse jam një ndër ata anëtarë që formuan Komitetin për mbrojtjen e Kushtetutës. Aty punohet më mirë për rininë. Unë mendoj që i detyrohemi shumë të rinjve tanë, që t’u japim pak shpresë se ku vend duhet të bëhet dhe mund të bëhet nga shqiptarët.

Rrokaj tha se shqiptarët kanë nevojë për projekte zhvillimi.

Rrokaj: Këto gjëra, LSI-ja duhet t’i shikojë ballë për ballë në dobi të interesave të qytetarëve dhe të dalë me një alternativë bindëse, se si alternativa e saj është dhe mund të jetë fituese në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht ky ngërç 26 vjeçar, i lodhshëm për shqiptarët dhe aspak shpresëdhënës i sherrit kalorësiak duke u bërë qesharak i grykësisë, arrogancës. Unë kam ardhur për të sjellë këtë pjesë.