Kryeministri Rama ka shumë të drejtë për hyrjen e studentëve në Universitete

Edi Rama ka folur sot hapur për strategjinë e tij qeveritare dhe personale për hyrjen e studentëve në Universitete. Ka folur saktë, ndër rastet e pakta këto muajt e fundit. Ja se ç’tha kryeministri Rama:

Ky është vetëm fillimi i një procesi ku konkurrenca duhet të ashpërsohet vit pas viti dhe ku hyrja në universitet duhet të bëhet më e vështirë, jo më e lehtë për të siguruar që kush del nga universiteti  është një shërbëtor i ditur i këtij populli dhe  këtij shteti. Sepse efekti zinxhir i këtij shkatërrimi që fillonte nga klasa e parë nuk përfundon kur studenti del nga universiteti, por vazhdon kur studenti merr diplomën, fiton të drejtën të marrë në dorë fatet e njerëzve. Dhe çfarë është mbjellë korret pastaj në kurriz të atyre që me të drejtë presin që të kenë një shtet që shërben me cilësi, të kenë një tërësi institucionesh që projektojnë të ardhmen dhe administrojnë të tashmen”, u shpreh kryeministri.

Hyrja në Universitet duhet të jetë për talentet dhe për ata që studiojnë për të qenë konkurrues me Europën. Për ata që ata kanë pasion në jetë për t’u bërë të ditur dhe për të qenë administratorët e jetës publike dhe sektorit privat. Jo “administrator” në sensin e të qenit shef apo drejtor, por për atë që zotëron dije në fusha të ndryshme. Nuk mund të hyjë kushdo në universitet. Aspak. Këtu e ka shumë mirë kryeministri Rama.

Vetëm standarde rigoroze për universitet shtetërore dhe ato private mund të rrisin cilësinë e studentëve. Dhe që të dalin studentë të mirë, duhet që procesi i pranimit të jetë i saktë që në fillim kur ata pranohen në fakultete. Pasi nëse një maturant nën mesatare hyn në universitet është thuajse e pamundur që të përfundojë student i shkëlqyer.

I keni parë studentët tanë shqiptarë që kur konkurrojnë në SHBA, dhe Europë apo edhe në Japoni se sa dije duhet të kenë? Keni pyetur ndonjë prej tyre se sa orë duhet të studiojnë? I keni pyetur se as bukën nuk kanë kohë ta hanë, pasi u duhet të studiojnë pa ndërprerje për marrë provimet apo për të qenë me nota të mira?

Pyesni dhe bëjeni mirë llogaritë! Nuk mundet të hyjë kushdo në universitet. As në ato shtetërore, por as në ato private. Gjithnjë e më e vështirë duhet të jetë, pasi kështu rritet cilësia e tyre. Dhe jo si sot, ku në çdo pallat ke pesë deri në dhjetë juristë me diploma! Kur i pyet se ç’është ligji të thonë me idiotësi shembullore se “ligji është vend pune..”. Është mbushur Shqipëria me idiot të tillë. Ndaj sa me pak hyjnë në universitet edhe me mirë bëhet vendi. Të paktën ata që dalin duhet ta meritojnë.