“Tani nuk kam çfarë të bëj, e vrava gruan time”

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, uniformat blu prangrosën një shtetas, pasi ky i fundit qëlloi për vdekje ndaj bashkëshortes së tij, Afize Lila, si dhe plagosi kunatën.

Tani nuk kam çfarë të bëj, e vrava gruan time“. Kështu mësohet të jetë shprehur para policisë, 56-vjeçari nga Ndroqi, Kasëm Lila. Autori ka pranuar vrasjen e bashkëshortes dhe përpara uniformave blu ka shprehur pendesë për krimin e kryer.

Ndërkohë, të afërmit e tij janë shprehur se 56-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas tyre, për kushteve të vështira ekonomike, nisur edhe nga ndërprerja e pensionit të paaftësisë, KEMP-it, Lila nuk përdorte më as ilaçet. Si rrjedhojë shëndeti i tij mendor kishte ardhur në përkeqësim të vazhdueshëm.

“I ndërprenë pensionin dhe ka 3 javë që nuk ka pirë ilaçet. Ta shikoje në pamje të jashtme ishte shumë në rregull, por e kishte defektin në tru. Nga ndërprerja e “KEMP”­it u bë i dhunshëm”– thonë të afërmit.

Krimi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pas një konflikti të çastit mes dy vëllezërve. Për të shmangur përplasjen mes vëllezërve, kanë ndërhyrë bashkëshortet e tyre, të cilat njëherazi rezultojnë të jenë motra. Në sherr e sipër, Kasëm Lila ka qëlluar me çifte në drejtim të bashkëshortes së tij, Fize Lila, 47 vjeçe, duke e lënë të vdekur, ndërsa ka plagosur edhe kunatën, Zyra Lila.