Drafti për drogën, për konsum vetjak nuk dënohesh

Droga, duket se prej kohësh është kthyer në një problem madhor për qeverinë dhe për të shmaguar vështirësitë për mungesën e një legjislacioni të plotë, Ministria e Brendshme ka hartuar një draft të plotë me një sërë ndryshimesh. Drafti final tashmë i dërguar në Këshillin e Ministrave dhe së shpejti pritet t’i kalojë për shqyrtim edhe Parlamentit.

Në draft, vec të tjerash, theksohet se neni aktual 283 i Kodit Penal, i cili është më problematiku në zbatimin e tij nga prokuroria dhe gjykata, sipas propozimit të ri, thuhet që konsumi dhe mbajtja për përdorim vetjak e një sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo penale, duke u bazuar edhe në praktikën e shumë vendeve europiane.

Sipas draftit, për 70 përqind të personave konsumatorë të narkotikëve që policia kap, nuk procedohen penalisht nga prokuroria. Edhe në nenin 284, përveç kultivimit të narkotikëve propozohet të përfshihet dhe tregtimi i farërave. Këtu propozohet një përshkallëzim i dënimeve në bazë të rrezikshmërisë së veprës penale.

Të gjitha këto ndryshime të propozuara në Kodin Penal, referuar draftit, janë ndërmarrë pasi është e nevojshme të shoqërohen me miratimin edhe të një neni transitor që do të sanksionojë zbatimin e neneve të mëparshme deri në miratimin e ligjit për përcaktimin e sasive të lëndëve dhe bimëve narkotike që do konsiderohen për konsum vetjak, në sasi të vogla dhe në sasi të mëdha.