Luan Rama: Jo më parodi në Kuvend

Mosrespektimi i rendit të ditës nga deputetët në Kuvend, përplasi deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama me drejtuesen e seancës, deputeten socialiste Valentina Leskaj.
Rama i kërkoi të ushtrojë përgjegjësinë e saj, duke zbatuar sanksione ndaj shkelësve të rregullores së Kuvendit.
Por nga ana tjetër Leskaj tha se nuk është faji i saj pse disa nga deputetët bëhen qesharakë.
Luan Rama: Nuk është faji juaj si drejtuese e seancës që deputetët nuk dinë të orientohen në rendin e ditës dhe nuk gjejnë dot ekuilibrat e nevojshëm për të folur për atë për të cilën jemi mbledhur. Por është përgjegjësia juaj të zbatoni rregulloren. Kur deputetët ndërhynë në kundërshtim me rregulloren të zbatohen sanksionet që parashikon rregullorja. Ne këtu vimë të diskutojmë për rendin e ditës dhe as të bëjmë batuta, as ta kthejmë seancën e parlamentit në një parodi publike për të cilën na qeshin të tërë. Prandaj ju lutem shumë zonja drejtuese e seancës, ushtroni përgjegjësitë tuaja të drejtimit të seancës së Kuvendit.