Një debat me turbofolk!

Edi Rama mbrojti interesat kombëtare në Serbi, ashtu siç ka bërë sa herë që ka pasur përballë Aleksandër Vuçiçin. Dhe interesat kombëtare nuk janë subjekt i një qeverie dhe i një shteti të vetëm shqiptar. Sepse dihet që sot, fatmirësisht, ka më shumë se një shtet shqiptar në Ballkan. Zilitë personale, bërrylat e thikat e vogla pas shpine të politikës së ditës në Tiranë e Prishtinë…

Nga Skënder Minxhozi

 Rrallë ka ndodhur që një vizitë e një kryeministri shqiptar në një vend tjetër, të ketë lënë pas një vazhdë kaq të gjatë komentesh, analizash, lëvdatash, sharjesh e reagimesh nga më të ndryshmet. Vizita e Edi Ramës në një forum ekonomik në Serbi i pati të gjitha këto bashkë, madje në një shkallë të paimagjinueshme. Duket sikur një ushtri politikanësh, komentatorësh dhe analistësh (pa harruar masën e stërmadhe gri të popullit të blogjeve e forumeve), mezi prisnin, që të merrnin penën e tastierën dhe të hidhnin aty një sasi të paprecedent reagimesh në lidhje me ato që Rama e Vuçiç i thanë njëri-tjetrit në atë aktivitet. E ka fryrë këtë furtunë në gotë edhe teknologjia e komunikimit, e cila sot e bën qimen tra edhe për tema shumë më pak serioze.

Tashmë kemi dy qëndrime: i pari, i cili thotë se një kryeministër i Shqipërisë ka të drejtë të ngrejë çeshtje sensitive që i përkasin Shqipërisë dhe Kosovës, qoftë edhe me palën serbe, e cila shihet si kundërshtari historik i të gjithë shiptarëve. Dhe e cila, ka statusin e kundërpalës, në tryezën e vështirë të dialogut Beograd-Prishtinë, në lidhje me listën e gjatë të nyjeve që kanë mbetur pa zgjidhur mes dy vendeve. Kemi edhe qëndrimin e dytë, atë më agresivin këto ditë, sipas të cilit Rama ka shkelur vijën e kuqe, duke marrë pozitën e paternalistit dhe të Babait të Kombit, në raport edhe me atë pjesë të shqiptarëve që normalisht do të duhet të jenë subjekt i shtetit të ri kosovar. Ndërsa është duartrokitur nxehtësisht kur ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia, gjatë vizitës së tij të parë në Beograd, kryeministri shqiptar ka ndarë kësaj rradhe me thikë opinionet e dy kampeve. Njërit, atij që e sheh gjithë këtë histori në një optikë normaliteti shqiptar dhe kampit tjetër, atij që ka nisur të bërtasë për një skandal i cili në fakt duket së largu që ka shumë “nënshtresa”, disa prej të cilave shumë pak “patriotike” dhe “parimore”.

Analistë të shumtë nga Kosova janë marrë gjatë këto ditë me kritikën ndaj Edi Ramës. Disa kanë shkruar se ai nuk duhet të flasë për Kosovën në Serbi, pasi ka miratuar në Tiranë një ligj plehrash (një marrëzi e këtij tipi nuk ka shumë nevojë për koment dhe duket e gatuar në Tiranë, më shumë se në Prishtinë)! Të tjerë kanë evokuar historira pafund, disa herë qesharake, që tregojnë sipas tyre se shqiptarët nuk i duan kosovarët. Këta mendimtarë lagjesh, citojnë psh edhe rrethana komike të tipit: disa restorante në Shqipëri venë muzikë serbe, aq sa klientët kosovarë janë detyruar ta hanë levrekun nën tingujt e turbofolkut sllav! Edhe këta replikues duket që larg se motivohen nga mllefi dhe emocionet për persona dhe situata të tjera, më shumë sesa per ato që tha Edi Rama në Serbi!

 Në këtë debat pasionant dhe shpesh me tone foklorike, ka megjithatë logjikë dhe arsye, në të dyja anët e analizës për vizitën e fundit të Ramës në Serbi. Është logjike për shembull të thuash se qeveria shqiptare duhet të ketë kujdes që të mos marrë kreun e panelit, kur diskutohet me Beogradin, pasi kjo është një tezë që i pëlqen mjaft serbëve, sepse taktikisht nënvizon idenë se shteti kosovar nuk është subjekt i aftë për të qenë palë në bisedime. Është gjithashtu me vend që kryeministri i Shqipërisë të ketë kujdes me “kallot” e politikanëve në Kosovë, të cilët nuk duan që të mbesin “pa bileta”, kur ëshët fjala për çeshtje që objektivisht i takojnë punës së tyre së përditshme. Dhe dialogu me Serbinë është padyshim një punë e përditshme e politikës së sotme kosovare.

Megjithatë, nga gjetja e pluseve dhe minuseve të një vizite, deri tek gjuajtja e saj me gjithfarë frazash e akuzash, të cilat tejkalojnë edhe vizitën, edhe cakun normal të të bërit debat mes dy anëve të kufirit, qëndron në mes një hendek shumë i thellë. Në të cilin duket se po mbytet sot arsyeja e shëndoshë dhe aftësia për të mbajtur dorën dhe gojën, para një pazari fjalësh, rrenash, komplotesh të paqena dhe manipulimesh gjithfarësh. Edi Rama mbrojti interesat kombëtare në Serbi, ashtu siç ka bërë sa herë që ka pasur përballë Aleksandër Vuçiçin. Dhe interesat kombëtare nuk janë subjekt i një qeverie dhe i një shteti të vetëm shqiptar. Sepse dihet që sot, fatmirësisht, ka më shumë se një shtet shqiptar në Ballkan. Zilitë personale, bërrylat e thikat e vogla pas shpine të politikës së ditës në Tiranë e Prishtinë, nuk kanë pse e devijojnë produktin e një vizite që as do të ribëjë kufinjtë dhe as do të përmbysë vijat gjeopolitike mes serbëve dhe shqiptarëve. Vizitës së Edi Ramës i është dhënë një përmasë që nuk e ka. Qoftë edhe duke e gjuajtur me gurët e patriotizmit fals në të dy anët e kufirit shtetëror. Ky debat ngjan vërtet me një nga ato këngët e turbufolkut, ku ritmi dhe tonet e larta të zërit të këngëtarit të trullosin, më shumë sesa të kënaqin… (Java News)