Kanabisi, Rama: Qëndrim personal i Manjanit për përdorimin e ushtrisë. Shkrimet e mediave të huaja, “të paguara”

Intervista:

Faleminderit që keni ardhur menjëherë pas një vizite shumë të polemizuar në fakt zoti Rama edhe në një kontekst të rëndësishëm për kryeministrin e vendit…

E keni fjalën për vizitën në Beograd?

Sigurisht!

Një polemikë artificiale brenda një oborri shumë të ngushtë njerëzish ndërkohë që besoj që për popullin shqiptar këndej dhe andej kufirit nuk ka pasur arsye për asnjë polemikë.

Këtë radhë duke se mesazhet ishin të njëjta por pati një atmosfera krejtësisht tjetër në lidhje me deklaratat tuaja. Ju e prisnit? Çfarë ndodhi realisht sipas jush? 

Krejtësisht atmosferë tjetër në Beograd apo në trojet tona?

Në trojet tona, andej dhe këndej Drinit.

Unë mendoj që në trojet tona të paktën duke u nisur nga reagimet e pafundme të njerëzve në rrjetet sociale impakti ka qenë shumë pozitiv dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë parapara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës dhe nga ana tjetër duke ndeshur një reagim ndryshe që nuk do të thotë se në anën serbe ka përparuar ideja e njohjes së pavarësisë por do të thotë që është mirë që ne të imponojmë këtë normalitet që do të thotë një e vërtetë e jona e pakontestueshme të thuhet qartë dhe përherë edhe në mes të Beogradit. Duke i mësuar dhe ata, veshët e tyre me këtë të vërtetë që nuk janë mësuar ta dëgjojnë atje brenda dhe për më tepër të thënë publikisht.

Përse e thënë nga ju dhe jo nga vetë kosovarët? Kjo është akuza që iu bëhet. P.sh. në takimin e Nishit a ishte e ftuar pala kosovare?

Unë nuk shoh asnjë lidhje në këtë dualizim sepse pala shqiptare e Kosovës flet në emër të Kosovës. Unë nuk flas në emër të Kosovës por për Kosovën dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën.

A i kërkuat ju palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit?

Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente. Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës unë flas për Kosovën.

Dhe kur flisni për Kosovën, a flisni dhe për gjëra utilitare, siç janë disa elementë të rëndësishëm për vetë kosovarët që ata vetë i kanë renditur siç janë: mospengimi i kalimit nga Kosova në Serbi nëpërmjet Merdares p.sh. i të gjithë shtetasve të tjerë përveç kosovarëve vetë, duke qenë se e trajtojnë kështu një çështje të brendshme ende Kosovën, serbët; pjesëmarrja në CEFTA, prefiksi telefonik i Kosovës, linja e interkonjeksionit, i keni bërë këto biseda me Vuçiç, a po ndihmoni për këto? A po thjesht kërkoni një njohje?

Patjetër, sigurisht që unë i bëj të gjitha bisedat që janë në interes jo thjesht të Kosovës por janë në interes edhe të Shqipërisë por janë në interes edhe të Serbisë sepse për mua duhet bërë çmos që të insistojmë në principin që çdo gjë e mirë që ndodh në njërin nga vendet është një e mirë që ndodh për çdo vend. Edhe vetë momenti i bllokimit të linjës së interkonjeksionit që në fakt është pasojë e një fakti tjetër që përpara se të çelet linja,Kosova duhet të anëtarësohet në agjencinë evropiane të shpërndarjes së energjisë. Është trajtuar nga unë si një nevojë reciproke e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe si nevojë në një proces të fuqizimit të lidhjeve të bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Ata që ju akuzojnë zoti Rama, pak a shumë kanë këtë argument që në fakt ka një logjikë të vetën se mënyra se si sillet zoti Rama në Beograd me ato që çfarë deklaron për Kosovën i shkon për shtat tezave serbe, të cilat duan ta cilësojnë Kosovën një çështje të tyre të brendshme dhe në fakt marrëdhëniet me shqiptarët, ta kenë me Tiranën zyrtare, me Edi Ramën. Ju pse heshtët kur u deklarua për Nish-Durrës pa përmendur Prishtinën?

Asnjëherë nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që rruga që kryeministri serb e quan “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës, gjithmonë është folur Nish-Prishtinë-Durrës, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë. Këto janë muhabete njerëzish që i japin punë vetes duke bërë patriotin profesionist dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen për të cilën duhet të jemi të gjithë të interesuar.

Cila është përmbajtja zoti Rama?    

Përmbajtja është që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është në funksion të lehtësimit apo të favorizimit, apo të çfarëdoni ta quajmë të Serbisë, një politikë hapje, dialogu bashkëpunim me Serbinë por është në funksion në radhë të parë të interesit tonë, të interesit të qytetarëve tanë në Shqipëri dhe në Kosovë. Sepse ne nuk e rrisim dot aq sa për të bërë një kapërcim të madh ciklik ekonominë tonë as në Shqipëri as në Ksoovë në rast se nuk e shikojmë rajonin si një treg të përbashkët. Ne mund të rritemi me 3.5 % këtë vit. Është shumë në krahasim me zero presje diçka me ku e gjetëm ekonominë. Mund të rritemi dhe me 4% por na duhet patjetër të shkojmë përtej 5% për të pasur një ekonomi e cila e impakton drejtpërdrejt në mënyrë të ndjeshme familjen dhe buxhetin e familjes.

Një treg por secili me identitetin e vet, kështu të paktën deklaron pala kosovare. Çfarë i konsideroni deklaratat e ministrit të jashtëm.  

Nuk më rezulton  që në tregun e përbashkët gjermanët, francezët apo të tjerët të kenë humbur identitetin e tyre, përkundrazi.

Por Kosova do ta negociojë vetë pjesën e vetë në këtë treg. Kjo është ajo dhe të mos bëjë Rama lidershipin e rajonit.

Nuk bëj unë dhe nuk bën qeveria shqiptare asnjë negociim në emër të Kosovës e përsëris prapë. Unë përfaqësoj qeverinë shqiptare dhe vullnetin tonë të palëkundur për të çelur një kapitull të ri në rajon duke i hapur rrugë një transformimi politik në funksion të një transformimi ekonomik dhe social. Është interesi i fëmijëve tanë, në Shqipëri në Kosovë dhe fëmijëve në Serbi. Nuk mund të vazhdojnë të ushqehen popujt tanë me plagët e së shkuarës. Ne duhet jo vetëm të projektojmë të ardhmen por të bëjmë çmos që e ardhmja të jetë nesër jo pas 100 vjetësh.

A kemi sot ne një problem me qeverinë e Kosovës? Duke iu kthyer sërish deklaratave të ministrit të jashtëm. A janë ato deklarata zyrtare, sepse nuk besoj se është përgjigjur në titull personal…

Ne nuk kemi asnjë problem me qeverinë e Kosovës. Ne nuk kemi problem me lidershipin e Kosovës dhe unë as nuk i marr fare shënim deklarata momentale që janë shprehje emocionale dhe me thënë të drejtën mungesë thellimi në përmbajtjen e një momenti të caktuar.

A keni pasur konsultime me kryeministrin e Kosovës përpara Forumit të Nishit ose pas këtyre polemikave?

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, s’kemi asnjë problem të kësaj natyre dhe unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar. Sigurisht secili në detyrën e vet. Unë nuk kam marrë përsipër dhe nuk do marr kurrë përsipër të bëj detyrën e udhëheqësve të Kosovës. Unë kam marrë përsipër të bëj detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.

Keni marrë përgjigje për çështjet që sipërpërmendëm, linjën e interkonjeksionit, kalimin në Merdarë…

Mos harrojmë një gjë që unë e kam diskutuar linjën e interkonjeksionit me kryeministrin serb në Paris, e kam diskutuar në Beograd. Por në të njëjtën kohë në Sarajevë ministri ynë i Energjisë e ka ngritur problemin në tryezën e komitetit të energjisë dhe ka një deklaratë zyrtare që i kërkon Serbisë që të zgjidhë problemin deri në 31 dhjetor. Pra, ne i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion…

Por çështjet janë ende pezull, apo jo? Ato që përmenda të paktën…

Sepse është një proces i vërtetë paqeje dhe nuk është një proces i lehtë, sepse po të ishte i lehtë nuk do ishte një proces paqeje. Ju e mbani mend shumë mirë që dy vjet më parë për një balonë që kaloi në stadium u duk sikur këtu do plaste lufta e tretë ballkanike. Ka rrugës momente që janë sensitive për të dyja palët. Por një gjë është e sigurt, që sa më shumë ne të flasim, sa më shumë shqiptarët të flasin me serbët, aq më shumë shanse ka që problemet të zgjidhen. Nëse rrimë duke i bërë gola njëri-tjetrit, atëherë faktikisht nuk ka fitimtarë në funksion të projektit të transformimit të rajonit në një treg të përbashkët.

A jeni ju i gatshëm, përveçse për të folur për Kosovën siç thatë deri tani dhe jo në emër të saj, edhe ta ndërmjetësoni Kosovën që ajo të jetë pjesë e tavolinave ku ju jeni?

Nuk ka nevojë Kosova për mua si ndërmjetës, sepse procesi i dialogut ka në krah, apo në të dyja anët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Unë nuk marr përsipër t’i jap askujt këshilla të pakërkuara. Kemi pasur patjetër momente me udhëheqësit në Kosovë ku kemi diskutuar, jem i konsultuar por në terma jashtëzakonisht miqësorë, informalë si midis vëllezërish për një çështje që na intereson të gjithëve.

Pse Ivo Andriç për citatologji?

Pse jo?

Pse jo Qosja, Kadare, Rugova?

Tani kjo është…

Sepse është antishqiptar…

Këto janë dokrra hini si puna e Goran Bregoviçit që pse Goran Bregoviçi duhet të merrte çelësin e qytetit.

Nuk është e njëjta gjë, se në fund të fundit Bregoviç ishte një këngëtar, ky ka qenë ambasador, një shkrimtar…  

Është një muzikant i madh dhe përsëri në funksion të faktit që ne shqiptarët kur miku vjen në shtëpi nuk e pyesim për biografinë. Kështu thotë të paktën Kushtetuta jonë e parë, Kanuni. Kështu që këta patriotët e mëdhenj që rrinë qëmtojnë si ata censorët e kohës së Enverit dhe të Titos mbi detaje që nuk kanë pikë rëndësi bëjnë mirë të marrin e të lexojnë kanunin.

Ç’lidhje ka kanuni me Ivo Andriç që njihet për tezat e tij antishqiptare…

Fola për pjesën e parë. për sa i përket referimit tek Andriçi, unë iu referova një shkrimtari të madh serb dhe nuk citova ndonjë frazë antishqiptare por një frazë shumë aktuale për procesin ku ne jemi ku ai thotë “Ka një hapësirë të errët midis frikës dhe shpresës dhe shumë njerëz e kalojnë jetën në këtë errësirë. Duke shkuar drejt shpresës ne mund të dalim nga errësirat”.

Do ta rizgjidhnit edhe pas sensibiliteteve që krijoi?

Nuk jam nga ata që pendohem për gjërat që i bëj me zemër. S’kam asnjë arsee të gjykoj se pse njeri mendon kështu, pse njeri mendon ashtu. Shyqyr që ka njerëz që mendojnë krejt ndryshe nga unë sepse po të ishim të gjithë dakord do ishim në një sistem tjetër që  nuk është sistemi që kam dashur ndonjëherë, por ama unë jam unë, ata janë ata.

Mund të kishte edhe shkrimtarë tjetër po aq të famshëm, jo antishqiptarë, që kanë prodhuar aq shumë teza për asimilimin e shqiptarëve, pushtimin e Shkodrës…

Nëse do bëja një referat për letërsinë…

Ju jeni kryeministri i Shqipërisë.

Nëse do bëja referat për letërsinë atëherë po. Por kjo lloj kapje pas hijeve të së shkuarës për të nxjerrë përfitime sot është një profesion në Shqipëri dhe Kosovë.

Si quhet?

Është profesioni i patriotit. Këta janë patriotë profesionistë që nxjerrin bukën duke u marrë me këto dokrra. Këto mua nuk më interesojnë.

Le të qëndrojmë sërish tek historia, tek një histori tjetër problematike siç është Greqia, them problematike port shkak të disa deklaratave që së fundmi ministri i jashtëm grek ka artikuluar, i cili kujton forcën greke, ushtrinë, flotën etj. Duket si një deklaratë lufte, i keni lexuar besoj këto deklarata, çfarë mendoni?

Mendoj që është një deklaratë për konsum të brendshëm, në opinionin publik grek dhe mua më ndjell një buzagaz të lehtë miqësor.

Asgjë më shumë? Është ministri i Jashtëm… Kemi një problem ne me qeverinë greke lidhur me çështjen çame?

Jemi dy vende anëtare të NATO-s, dhe siç e dimë ne e dinë dhe fqinjët tanë grekë, kështu që këto lloj deklaratash janë konsum i brendshëm që nuk është i panjohur në politikën greke dhe s’ka asnjë problem për ne. Nuk i marrim dot seriozisht si kërcënime, sepse unë nuk i konsideroj kërcënime, i konsideroj një shprehje vetëndjehjeje nga ana e fqinjëve tanë atje brenda. Por ne s’kanë çfarë force na tregojnë fare.

A ka sot tension mes Tiranës dhe Athinës për çështjen çame dhe a është futja në koalicion e Shpëtim Idrizit një element që e ka akseleruar disi këtë lloj tensioni?

Ne jemi në Shqipëri dhe jemi këtu në lirinë dhe të drejtën tonë për tu futur e për të dalë në skenën politike si të duan. Kemi të drejtën tonë për të ndërtuar koalicionet që duam dhe nuk e imagjinoj dot që ne të kemi vërejtje se me kë bën koalicion në Greqi një X me një Y. Prandaj e kam thënë dhe e përsëris se çfarë bëjmë ne këtu me politikën tonë dhe me njëri-tjetrin nuk është një çështje ku presim këshilla apo presim vërejtje nga fqinjët tanë.

Kërkesa keni pasur për mospërfshirjen e PDIU-së në koalicionin qeverisës?

Ka pasur një deklaratë që Ministria e Jashtme greke të kishte një opinion se kush u zgjodh nënkryetari i parlamentit në Shqipëri. A e imagjinoni dot ju që Ministria jonë e Jashtme të ketë një opinion dhe ta bëjë publik, duke shprehur rezervë për nënkryetarin e parlamentit grek, që unë as nuk e njoh dhe as kam fare kuriozitet ta di se kush është. Eshtë e njëjta gjë. Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie simetrike me Greqinë dhe me të gjithë. Ne nuk jemi as superfuqi, as nuk mendojmë që jemi të veçantë dhe të tjerët duhet të na dëgjojnë dhe të na rrinë gatitu. Nuk i imponohemi askujt. Ne thjesht kemi një princip, brenda 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë vendosim ne. Dhe interesat tona nuk negociohen, as në Athinë, as në Beograd dhe asgjëkundi tjetër. Interesat tona negociohen këtu midis nesh.

Asnjë qeveri nuk ka pranuar një ministër çam, në kabinet. Ka qenë kërkesa e Athinës kjo apo jo?

Duhet të pyesni kryeministrat më parë nëse kjo ka qenë kërkesa e Athinës. Por unë di të them kaq, që kërkesa të tilla nëse ka pasur në të shkuarën, nuk mund të ketë në qeverinë time.

A ka një lloj tensioni brenda koalicionit tuaj me zotin Meta dhe zotin Idrizi. Një gazetar i njohur, zoti Baze në një editorial të tij tha diçka të tillë, që në fakt ka një luftë midis Metës dhe Ramës dhe jo midis Greqisë dhe Serbisë. Duke patur parasysh miqësinë që ju i shprehni Serbisë dhe një lloj tensioni me Greqinë. Ka një luftë midis Metës dhe Ramës?

Unë kam kuptuar një gjë që lufta midis meje dhe Ilir Metës, që kurse ne jemi bashkuar në një koalicion është një nga burimet që frymëzojnë gazetarinë tonë dhe vazhdimisht prodhon skenarë, prodhon tablo sinoptike, prodhon analiza. Por luiftë midis meje dhe Ilir Metës nuk ka. Ne jemi në një koalicion jo në një parti. Nëse më tregoni një koalicion, jo këtu por në të gjithë Europën që nuk ka fërkime, kontradikta, atëherë unë do tju them, po paska dhe një të tillë. Unë ju them që në funksion të reformave koalicioni ynë është më kompakt se çdo koalicion tjetër që ka në Europë. Kur bëhen përpjekje për të bërë reforma në vende të tjera të Europës, koalicionet shkojnë deri në përplasje të natyrës që një parti del me ministrat në protestë, partia tjetër rri me ministrat në zyrë. Ne nuk kemi gjëra të tilla. E mbaruat me çështjen çame?

Nëse keni mbaruar ju…

Unë doja vetëm të theksoja këtë, që çështja çame thuhet çështje çame për tu kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë dhe ndoshta përsëritja thjesht si çështje çame për tu kuptuar lë shpesh herë dhe shteg për të bërë dhe abuzime, spekulime të natyrës jo ata bashkëpunuan me nazistët jo andej , jo këtej. Jo, s’ka lidhje farë. Kjo është një çështje e Shqipërisë, është në dosjen e diskutimeve që do bënim me Greqinë, meqë ra fjala ne me Greqinë nuk kemi ndonjë tension luftarak, ne me Greqinë kemi që nga dita e parë disa kërkesa të thjeshta, për tju dhënë marrëdhënieve një hov të ri. Askush nuk mund ta mohojë, as ata nuk e mohojnë që marrëdhëniet kanë pësuar një ngërç me paktin famëkeq të detit, të cilin ne e kundërshtuam dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi. Po ashtu ne kemi një tjetër çështje që ne duam të zgjidhet. Dhe duam të zgjidhet jo sepse duam tensione, por pikërisht sepse duam paqe harmoni, vëllazëri me fqinjët tanë të dashur, që është ligji i luftës. Unë i mirëkuptoj grekët kur thonë ç’është kjo, kjo është një gjë kot. Meqë është një gjë kot, ta fshijmë këtë gjë kot, mos ta lemë aty. Dhe aq kot nuk është. Ne kemi gatishmërinë që këtë gjë ta zgjidhim me dialog. jemi në dialog të vazhdueshëm dhe unë personalisht mund t’ju them që me qeverinë e kryeministrit Cipras e kemi intensifikuar këtë dialog.

Shqetësimi im është gjë tjetër. Ju folët për një mbarëvajtje kaq të madhe..

Se u ndjeke shumë e kërcënuar, mos u shqetëso!

…mbarëvajtja e koalicionit, ju po thoni që e keni në tryezën e bisedimeve çështjen çame, ndërkohë që gjatë vizitës së tij Zoti Meta thuajse nuk e artikuloi. Ka këtu ndonjë problem?

Gaboni gjithmonë kur kërkoni që unë dhe Ilir Meta të flasim njësoj. Nuk jemi njësoj, nuk flasim njësoj. Jemi në koalicion, nuk jemi as në një parti, as në një tipologji si njerëz. Jemi dy parti të ndryshme dhe jemi dy tipa komplet të ndryshëm.

Ju po thoni që janë dy qëndrime krejtësisht të ndryshme për çështjen çame?

Jo unë nuk thashë këtë. Mos kërkoni që kur dëgjoni Ilir Metën t’ju kujtohet Edi Rama apo kur më dëgjoni mua t’ju kujtohet Ilir Meta se kjo nuk ndodh.

A po mendoni ta zëvendësoni LSI-në me PDIU-në si aleate qoftë edhe për një koalicion parazgjedhor?

Ta zëvendësoj?

Po, ta zëvendësoni, ta ndryshoni.

LSI-ja është në vendin e vet dhe PDIU-ja është në vendin e vet. Ne sigurisht jemi në vendin tonë. Nuk e kuptoj pse ta zëvendësojmë.

Dibra tregoi që patët një bashkëpunim shumë më të madh me PDIU-në se me LSI-në…

Konteksti në Dibër ishte i tillë që pati një angazhim më të madh nga ana e PDIU-së por nuk mund të thuhet që s’pati interesim nga LSI-ja pasi ju kujtoj që të dyja rastet që unë kam qenë në Dibër kam qenë i shoqëruar me figura të larta të lidershipit të LSI-së.

Por dhe diferencën sapo e thatë vetë: impenjim të madh të PDIU-së dhe një lloj interesimi nga LSI-ja.

Pati një angazhim atje më të madh për shkak dhe të një strukture shumë vibrante që ka PDIU-ja në atë zonë.

Ju keni thënë se shumë shpejt do të shpallni vendimin për koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e 2017-ës. Kur do ta bëni këtë?

Kjo është një çështje që formalisht dhe normalisht duhet pritur edhe për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së sepse ju e dini që LSI-ja është në një fushatë intensive për zgjedhjen e kryetarit. Mbase të zgjidhet kryetari i LSI ne do ulemi dhe do diskutojmë.

Ndërkohë që unë duke besuar që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje mendoj që kjo do të jetë një formalitet pasi në diskutimet tona me kryetarin aktual të LSI-së, herët e fundit jo vetëm që nuk është vënë në pikëpyetje koalicioni në 2017-ën por është folur për domosdoshmërinë e një funksionimi edhe më të mirë të tij.

Pra ju nuk e diskutoni këtë gjë. LSI-ja do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të 2017-ës?

Nuk e diskutoj, sepse Ilir Meta nuk e ka vënë në diskutim këtë çështje. Por, sigurisht ata janë edhe në fushatë tani dhe kuptohet që fushata ka ato të vetat. Kur të mbarojë fushata, kur të zgjidhet kryetari ne do ulemi dhe do diskutojmë përsëri dhe unë besoj që nuk do ketë surpriza.

A do ta votoni Ilir Metën si president në maj të 2017-ës?

Kjo është një temë për të cilën ne do diskutojmë brenda koalicionit dhe kur të diskutojmë brenda koalicionit të jeni e sigurt që News24 do ta ketë lajmin më shpejt se të tjerët për shkak se është edhe më e shpejt në dhënien e lajmit me sa kam parë kohët e fundit.

Faleminderit shumë z. Kryeministër për komplimentet për televizionin, shtëpinë më të madhe të informacionit…

Nuk është kompliment, është puna juaj. Ju nuk bëni koncerte, ju lajme bëni. Po nuk ishit të parët dhe në lajme atëherë ç’kuptim ka?!

Do doja të flisnim për një ish-mikun tuaj, Ben Blushin, i cili javën e kaluar deklaroi tërheqjen e tij nga PS. Ju e gjetët në atë parti në fakt. Ai ju ndihmoi që ju të hynit në atë parti. Si ndiheni për largimin e tij?

Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që  tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin.

Si ndiheni kur njeriu thuajse i vetëm në atë kohë që iu kundërvu Nanos dhe mbështeti fuqimisht hyrjen tuaj në parti u detyrua të largohet për shkakun tuaj, duke iu bërë ju fajtorin kryesor?

Kjo është histori dhe për historinë unë preferoj të flas kur të kem mbaruar punë me aktualitetin dhe aktualiteti im është deri kur unë do të jem në krye të qeverisë.

A është e vërtetë që në 2009-ën ka pasur një marrëveshje xhentëllmenësh mes ju e Blushit të ngjashme si Toni Blair dhe Gordon Brown? Në një intervistë në këtë studio Blushi u përgjigj me një “no coment” por nuk e mohoi…

Unë them të kalojmë tek pika tjetër sepse është humbje kohe tani të merremi me Blushin.

Ai lajmëroi formimin e një partie të re. Mendoni që mund ta dëmtojë kjo gjë PS-në, mendoni që mund të marrë vota socliasitësh në 2017-ën nëse do të paraqitet në zgjedhje?

Unë mendoj që në këtë fazë mllefi atomik me PS-në, Blushi është mirë të bëjë një roman tjetër se sapo për partinë e Blushit s’do ketë as punë, as roman, këtë di unë.

Është e vërtetë që i keni kërkuar votën për një mocion që po përgatitej?

Unë t’i kërkoja votë anëtarëve të PS-së? Nuk kam kërkuar votë sepse nuk kam dyshuar për asnjë moment që anëtarët e grupit parlamentar përfshi edhe Ben Blushin nuk do ta përkrahnin një mocion të tillë nëse ky do të ndodhte.

Blushi tha që ka vënë kusht rikthimin e demokracisë dhe zgjedhjeve në parti?

Dakord, kjo është pjesa e romanit pastaj.

Ju e mohoni që ja keni kërkuar votën?

Absolutisht po!

Mohoni gjithashtu që i keni ofruar poste ministrore zonjës Hafizi?

Kujt?

Zonjës Mimoza Hafizit.

Për Ben Blushin edhe mund të shpenzonim pak kohë se i ka bërë nja tre romane. Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem.

Nuk është etike për një grua, një shprehje e tillë, qoftë edhe nga kryeministri…

Është një shprehje e njohur kjo dhe nuk ka lidhje fare dhe mos ma vini gjithmonë këtë përpara është etike për një grua, është etike për një burrë sepse unë nuk i ndaj njerëzit në burrë e në gra. Unë i konsideroj të gjithë të barabartë kur është fjala për të diskutuar për politikën dhe mes njerëzish që janë të përfshirë në politikë. Disa duke bërë punë, disa duke ngrënë përshesh por kjo është një çështje që nuk i ndan njerëzit në burra dhe në gra. Përsheshi është përshesh edhe kur e hanë burrat edhe kur e hanë gratë.

A ka vend konspiracioni, në fakt edhe shumë qytetarë na kanë shkruar në facebook se Ben Blushi është lojë e PS-së për të mbledhur votat e të pakënaqurve?

Tani vërtetë keni kaq shumë kohë në dispozicion ju për t’u marrë me këtë mikrotemë. Unë mendoj që ka tema të tjera të rëndësishme për të folur. Është mirë të flasim për Shqipërinë.

Ku e pozicioni veten?

Ne jemi e majta e shekulli të ri dhe jemi të palëkundur në vijën tonë, e cila në qeverisje po jep rezultate.

Kjo është më e rëndësishme. Se për të folur për seksin e engjëjve mund të flasim të gjithë por rezultatet janë aty.

Qëndrojmë tek punët tona, punët e Shqipërisë…

Mirë e gjetët në fakt, se këtu futen punët tona.

…dhe çështjet që shqetësojnë qeverisjen. Zoti Rama jemi në tetor. Mund të bëjmë një bilanc të luftës kundër kanabisit. Në përfundim të misionit të përbashkët, të Guardia di Financa dolën edhe shifrat se janë asgjësuar rreth 99.8% e sipërfaqes së evidentuar. Duket si një shifër joreale, ndërkohë që në brigjet e vendeve fqinje vazhdojnë thuajse çdo ditë, për të mos e ekzagjeruar..të bllokohet drogë.

Jo, jo thuajeni edhe dy herë në ditë

Si mendoni për këtë?

Tani çfarë domethënë kjo shifër e pabesueshme dhe pse është e pabesueshme. Me çfarë instrumentesh e verifikoni ju pabesueshmërinë e një shifre që e jep një nga institucionet më serioze në botë për luftën kundër krimit më të sofistikuar, Guardia di Financa. Pse kjo është e pabesueshme?

Duket si joreale, sepse ju i mëshoni fort kësaj shifre kaq të rëndësishme, 99.8%, por bëhet fjalë vetëm për sipërfaqet e evidentuara që po sipas Guardia di Financës është vetëm 17% dhe nuk e dinë se çfarë bëhet me pjesën tjetër…

Nuk e keni dëgjuar mirë Guardia di Financën.

Ok, na e shpjegoni ju atëherë si qëndron çështja…

Sepse mënyra se si funksionon.. e para e punës pse Guardia di Financa? Guardia di Financa ka një teknologji shumë të sofistikuar për këtë çështje që ne nuk e kemi, avionë fotografikë që fluturojnë mbi territorin e Shqipërisë dhe skanojnë territorin e Shqipërisë. Dhe nuk është 17% e sipërfaqes së mbjellë me kanabis..

Të evidentuar..

Jo, është 17% e territorit, ku mund të kultivohet kanabisi, sepse ata nuk mund të marrin Bllokun, as nuk marrin qytetet, as nuk marrin plazhet dhe as nuk marrin tokat bujqësore. Pra ato i skartojnë. Ata flasin për ato 17% të territorit ku ka hapësirë për t’u bërë një gjë e tillë. Pra, vetëm 17% e këtij territori është e mbjellë. Kjo është ideja, e para, sepse avioni kalon, ka bërë fluturime më shumë se sa asnjëherë tjetër..

Avioni kalon, siç kaloi edhe avioni i gazetarëve dhe i panë edhe vetë gazetarët…

Ka bërë fluturime më shumë se sa asnjëherë tjetër, avioni. Ka qenë komplet i lirë për të bërë fluturime, çka e nënvizon Guardia di Financa, ka ..

42 ka bërë gjithsej, 35 vitin e kaluar, 39 një vit më herët..

Po pse sa herë duhet t’i kalojë Shqipërisë për ta bërë këtë skanim?!

Në këtë situatë edhe 2 herë në ditë..

Po pse? Pse mbillet në mëngjes dhe të kanë thënë që korret pasdite ajo?!

Për të evidentuar edhe ato zona që kanë qenë të pavidentuara..

Nëse ju doni se si është e vërteta mos dëgjoni mua, mos dëgjoni Saimir Tahirin, dëgjoni Guardia di Financën. Guardia di Financa ka shprehur konsideratat më të shkëlqyera për bashkëpunimin me policinë shqiptare dhe më vjen shumë keq që mediat e kazanit dhe të tjera kanë marrë një deklaratë të një prokurori I cili ka folur në një emision në RAI dhe që ka konfirmuar për ne dhe nuk e ka patur fjalën për policinë e shtetit, por për gjyqësorin, sepse ai s’ka lidhje fare në punë me policinë e shtetit dhe pot ë them edhe një herë tjetër që nëse këtu ka një përpjekje të dëshpëruar për të krijuar mitin e Kolumbisë që është një turp dhe faqja e zezë për ata që e nxjerrin nga goja dhe që mundohen t’ia bëjnë Shqipërisë këtë peshqesh.

Po flasin të gjitha mediat ndërkombëtare…

Cilat media?

The Huffington post, The Hill, Guardian..

Huffington post është një sourse ku mund të shkruajnë lirisht artikuj dhe editoriale kush të dojë. The Hill ka botuar një shkrim të paguar. Shkrimi është paguar nga Shqipëria.

Nxirrni fakte për këtë..

Nuk më intereson fare se çfarë faktesh, tani.. shkrimi është paguar në kuptimin që siç bëhen në Amerikë shkrime të lobuara.

A keni fakte për këtë, zoti Rama?

Unë di çfarë flas, ju që jeni të merakosur për fakte mirë është t’i referoheni fakteve përpara se t’i referoheni llafeve të kazanit. Se këto janë fjalë kazani që të gjitha. Dhe nuk po mohoj unë që në Shqipëri ka një problem, por ky është një problem që ka lindur në vitin 2013. Ky është një problem I trashëguar në Shqipëri. Shqiptarët kanë mbjellë kanabis në të gjithë territorin e Shqipërisë prej vitesh dhe këtë e konfirmojnë komunikatat sekrete të policisë së shtetit gjatë kohës së qeverisë së mëparshme. Dhe siç thotë edhe Guardia di Financa, e cila ka hyrë në operacion në vitin 2012, sasia e mbjellë këtë vit është shumë më e vogël se sa sasia e mbjellë në vitin 2013. Por në atë kohë policia I mbante sekret, mediat nuk e kishin këtë akses, nuk ishte koha që kap telefonin, bëj një video dhe çoje nëpër Facebook.

Po Cataldo Motta, kryeprokurori i Leçës thotë që ka shtim, thotë që në Itali vjen shumë më tepër…

A ka mundësi të mos merremi….

Por edhe vetë shifrat e Guardia di Financës e thonë këtë, zoti Kryeministër. Më lejoni t’ua them. Atëherë 323 hektarë në qershor-korrik 2013, në 2015 44 hektarë, në 2016 213 hektarë.

Më fal po 323 është më e madhe se 213?

Po ishte edhe Lazarati brenda..

Po pse Lazarati nuk quhet?!

Pyetja është kjo? Ju keni vajtur në mes të problemit. E asgjësuat atë. Çafër ndodhi që një vit më parë funksionoi dhe tani u shtua, u mbush e gjithë Shqipëria?

Dakord, pra e dëgjova pyetjen. Nuk është kështu. I bini shumë shkurt dhe dilni shumë gjatë. Është si po të them unë që ka një shtim të sipërfaqes nga vjet, sivjet që vjen edhe si rezultat i shtimit të fluturimeve dhe i një sasie shumë më të madhe fotografish dhe këtë herë Guardia di Financa nuk ka pas kufizim, nuk ka patur nevojë të kërkojë leje do shkojmë këtu apo atje. Dhe kjo sigurisht ka sjellë evidentimin e më shumë sipërfaqeje. Nga ana tjetër ka patur një taktikë nga kultivuesit që zhvillohet shumë më shopejt për t’ju shmangur goditjes nga policia që nuk diskutohej që do vinte. Dhe kjo farë sipas Guardia di Financës prodhon 6 herë më pak si sasi.

Zoti kryeministër, 900 bimë u korrën dje në Rinas

Dakord, po më pyesni mua?! E ku është pyetja?

Ne po na mbillet në shtëpi kanabisi, sa kilometra nga Tirana

Jo moj zonjë nuk është kështu. Unë nuk them nuk ka. Unë them që që nga viti 2013  këtij fenomeni I është shpallur një luftë frontale, e vendosur kudo.

Po keni dështuar atëherë..

Zonjë, lufta e policisë së shtetit, matet me sa ke shkatërruar, nuk matet me sa janë mbjellë. Nëse doni të flasim për mbjelljen kjo është temë tjetër.

E policisë është edhe ajo, parandalimi

Jo, nuk është e policisë. Parandalimi kërkon një strategji, për të cilën ne kemi punuar prej më shumë se një viti dhe një plan të tërë masash për të demotivuar mbjelljen e kanabisit që “çuditërisht” ndodh në zonat, ku dikur ka qenë e zhvilluar blegtoria. Nuk ndodh mbjellja e kanabisit në toka bujqësore, të cilat prodhojnë për tregun vendas dhe për eksportet. Aty s’i shkon mendja njeriu të mbjellë kanabis, sepse janë në rregull, janë në punën e tyre. Dhe janë pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë nga pikëpamja e mbjelljes dhe e korrjes së produkteve. Ndodh në ato zona të vështira, të varfra, ku kryesisht është zhvilluar më parë blegtoria. Dhe çfarë duhet të bëjmë ne?! ne duhet të bëjmë atë që kemi projektuar, një strategji për parandalimin për të incentivuar familje, komunitete, në zona më të thella, aty ku mbillet kanabisi, që të mos shkojnë pas kësaj kulture, port ë shkojmë pas kulturave të tjera. Dhe kjo nuk është diçka që e shpikëm ne. mandej kemi patur edhe një diskutim edhe me partnerët ndërkombëtarë, kemi marrë edhe miratimin në parim që do të na ndihmojnë,për këtë politikë parandaluese, ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë shprehen me superlative për punën e policisë së shtetit, shprehen me superlative për luftën frontale, sepse edhe në Amerikë, kokaina aty ishte gjithë kohës. Ishte Ronald Regan që e ktheu në një çështje publike, sepse e shpalli luftën hapur, ndërkohë që ajo luftë zhvillohej siç bëhej këtu përpara.

Ta dëgjojmë çfarë thotë ky prokurori italian, që i pret çdo ditë ngarkesat nga Shqipëria…

Ç’më duhet mua. Prokurori italian merreni dhe thuaji, e keni patur fjalën për policinë e shtetit apo autoritetet gjyqësore. Autoritetet shqiptare nuk konsiderohet policia. Edhe në gjuhën e tyre i thonë policia. Këtu ka një problem shumë të madh. me këtë kolumbi, pse po i hap Bashkimi Europian negociatat? Morëm statusin e vendit kandidat m,bpas katër vitesh refuzimi dhe sot në vetëm 3 vjet ne e çojmë Shqipërinë tek rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave. Si ndodh kjo? Do hapë Bashkimi Europian negociatat me Kolumbinë?

Shifrat që ju jepni janë impresionuese, 99.8%, por jo vetëm kaq…

Më falni se mua më krijon problem kur dikush gabon, nuk ndërron madje dhe pastaj insiston pa ndërruar argument. Nuk jap unë shifra, ajo është shifra e Guardia Di Finanza. Nuk shoh asnjë arsye të dyshoj tek Guardia Di Finanza duke dëgjuar Flamur Nokën. apo Nok Flamurin. Unë shoh arsye për të besuar tek Guardia Di Finanza. Unë nuk po them që kjo nuk është një problem. Përpjekja për ta kthyer në një problem që medemek ka lindur tani, po zhvillohet tani dhe është pjesë e planit kriminal të qeverisë, është në vetvete sa qesharake aq e turpshme, aq dhe kriminale.

Ju po thoni që në këto nivele ka qenë edhe më përpara në të gjithë Shqipërinë, apo ka qenë thjesht ajo që ne kemi njohur Lazaratin?

Jo nuk ka qenë thjesht ajo. Mjafton ti referoheni komunikatave të policisë, kur ministër i brendshëm ishte Nok Flamuri, Bujar Nishani, Lul Basha dhe do shikoni që është e gjitha e shpërndarë në të gjithë territorin.

Po nuk ka patur kapje të tilla kaq intensive në anën tjetër të Adriatikut…

Faji ynë është që i kapim?

Gazetari italian i ka ballafaquar ministrin tonë të Brendshëm, Saimir Tahirin dhe Cataldo Mottan…

Gazetari italian ka qenë në një fushë ku ishte shkatërruar kanabisi si fillim. Të pranojmë realitetin e Flamur Nokës? apo të pranojmë realitetin e një Kolumbie në mes të Europës. Unë nuk e pranoj kurrë këtë. Unë di që kjo qeveri është e para që i ka hapur luftë frontale këtij fenomeni dhe kjo qeveri publikon rregullisht nëpërmjet Policisë së Shtetit të gjitha rrënjët. I keni parë ju titrat tuaj. Edhe 10 rrënjë dalin publikohen. Faji jonë është që i kapim? Faji jonë është që i bëjmë publike? Kush është faji jonë?

Është faji jonë që i bëjmë publike këto?

Unë nuk ju thashë që është faji juaj, sepse ju i merrni vesh nga policia.

I marrim vesh dhe vetë ne. I keni parë reportazhet e Klodiana Lalës, Artan Hoxhës, News24, sakrifikojnë veten e tyre, janë në rrezik.

Po patjetër, unë di këtë, që policia e shtetit ka shkatërruar gjithçka që i del përpara. Këtë di unë, kjo është e vërteta.

A jemi në kontroll të të gjithë territorit. A ka gjëra që ne nuk i dimë?

17% do të thotë e zonave të mundura, nuk do të thotë zonat ku mund të mbillet kanabis. Nuk kanë vajtur të monitorojnë Tiranën qytet, apo amfiteatrin e Durrësit. Historitë me përralla, me sensacione për të mbushur kronikat me namin që po bëhet këtu. Këtu një nam po bëhet, luftë kundër këtij fenomeni. E fituam me Lazaratin, do ta fitojmë dhe këtë.

Ku janë bosët e këtij fenomeni, mirë bohçet, po bosët investitorët kryesorë të këtij biznesi po themi kështu në thonjëza?

Është bërë numri më i madh i arrestimeve të bëra ndonjëherë për këtë fenomen.

Kush janë bosët e këtij trafiku?

Është kapur gjithkush që është gjetur i lidhur me këtë. në qoftë se ju e parafytyroni sepse ju kanë nxitur fantazinë që këtu është një Eskobar diku i fshehur, ose jam unë që drejtoj me telefon dhe s’po e kapin, kjo është një fantazi filmash. Ajo që thotë prokurori italian është që kërkohet një ndërveprim më i mirë midis autoriteteve gjyqësore për të bërë pikërisht pjesën ndjekjes dhe të hetimeve. Sikur kjo Kolumbia shqiptare të ishte jo kaq saç thonë këta, por të ishte 1/10 e kësaj të jeni të sigurt që ne sot do të tregoheshim me gisht nga partnerët europianë.

Kush po ju duartroket kaq shumë, mund të na bëni një listë?

Lexoni raportet e DASH, raportet e Bashkimit Europian. Vetë fakti që marrim së shpejti rekomandimin pozitiv për të hapur negociatat këto janë duartrokitjet.

Ka pjesëtarë të kabinetit tuaj që e mendojnë ndryshe këtë çështje, zoti Manjani ka folur sot për të futur ushtrinë për tu marrë me çështjen e kanabisit…

Ky është një opinion, çfarë mendon ndryshe këtu?

Ju thoni ne na duartrokasin, e kemi çështjen nën kontroll, zoti Manjani thotë na duhet të fusim ushtrinë.

Mua mos më vër në gojë gjëra që nuk i them sepse fillon më ofendon inteligjencën pastaj. Unë po them që ne i kemi hapur luftë frontale këtij fenomeni. Tani çfarë bisede të bëjmë këtu. Ky është një opinion,ka dhe opinione të tjera, por këtu problemi nuk është shkatërrimi. problemi është parandalimi dhe nuk kemi pse të humbim më kohë se më duket se edhe ti je e afasionuar nga kjo ideja e Kolumbisë dhe e gazetarëve dhe këngëtarëve të përfshirë në këtë rrethin ku është politika ku është vënë droga, e ke parasysh me atë muzikën salsa.

Dua të ndalem tek çështja e kërcënimit të kryeprokurorit zoti Kryeministër. A keni një koment në lidhje me këtë çështje?

S’kam asnjë dijeni për kërcënimin e prokurorit të përgjithshëm. Sepse unë nuk i marr informacionet e kësaj natyre nga mediat. Nuk me ka shprehur asnjë shqetësim prokurori për kërcënim. Kjo është një histori që e keni krijuar ju, e përsërisni ju dhe në fund kërkoni dhe llogari. Se si mund të ngresh një re të tillë, kur nuk ke prova kjo është pastaj histori tjetër.

Kryeprokurori është e vërtetë që nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar…

Dhe meqë ai nuk e ka mohuar, ju thoni që kjo ka ndodhur. Kjo është media shqiptare.

Ju nuk besoni se ka patur kërcënim?

Çfarë duhet të besoj unë në këtë mes, dhe pse duhet të kem një problem besoj, s’besoj. Unë kam pyetur prokurorin e përgjithshëm më ka thënë s’ka asnjë problem, shëndet mirupafshim. nuk më ka sjellë asnjë të dhënë të kësaj natyre, jemi takuar normalisht.

A ka përplasje mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, ka këndvështrime të ndryshme dhe për ngjarje të caktuara…

Përplasje? Teoria e burimeve të konfirmuara nga prokuroria që dalin nga një kazan dhe shkojnë tek kazani tjetër riciklohen dhe më pas shiten në tezgat e të gjitha mediave. Përplasje mes prokurorisë dhe policisë, nuk ka.