Nishani: Mbështes referendumin për mbetjet

Presidenti i Republikës në një intrevistë për ABC News ka argumentuar se pse mbështet referendumin, si shumica e vërtetë që duhet dëgjuar për çështjen e importit të mbetjeve, kreu i shtetit ka kritikuar ashpër Pamekën për raportin ndaj punës së Prokurorisë. Raporti i tij me zbatimin e ligjit të vettingut dhe kanabisi si rrezik shoqëror janë tjera momente të intervistës që Merita Haklaj zhvilloi sot me kreun e shtetit. 

Gazetarja (Merita Haklaj): Zoti President faleminderit që pranuat këtë intervistë. Janë disa çështje në fakt të aktualitetit të ditës si zhvillime të reformave të rëndësishme, por edhe ligjeve që prekin, janë sensibël për shoqërinë. Më i fundit është vendimi juaj për të rikthyer në Parlament ligjin për importin e mbetjeve. Ju keni bërë një arsyetim të gjatë në fakt, është një ligj që ka pasur një diskutim të hershëm edhe është kthyer fuqishëm edhe në debatin politik por edhe të shoqërisë civile apo grupeve të interesit të interesuara për këtë ligj. Ju siç e theksova i keni dhënë arsyet tuaja, megjithatë është një ligj që ju e keni votuar në 2011, gjithashtu është një ligj që keni dekretuar të kalojë në referendum, popullsia të pyetet. Si e keni parë edhe veten të përfshirë në këtë proces ndërsa sa keni marrë vendimin ?

Presidenti Nishani: Së pari në aspektin e vendimmarrjes apo të qëndrimit politik është në të drejtën e sovranit të çdo maxhorance politike që të ndërmarrë një iniciativë ligjore që beson në ndëmarrjen e saj, në fillesën e ndërmarrjes së saj që i shërben disa çështjeve pozitive qoftë në aspektin legjislativ, qoftë në aspektin e çështjeve zhvillimore. Por, në momentet kur një iniciativë politike e jetësuar me legjislacion gjen një kundërshtim masiv në opinionin publik atëherë është detyrë e çdo maxhorance politike, e çdo vendimmarrësi, kryesisht e ligjvënësve që të reflektojnë dhe të shkojnë në përputhje me reagimin e opinionit publik kur ai është një maxhorancë dukshëm e cilësuar. Kështu që besoj se që nga vitit 2011 që ju përmendët kanë ndryshuar një sërë rrethanash, është evidentuar një qëndrim dhe një lëvizje qytetare qartazi në maxhorancë cilësore, e cila e ka kundërshtuar në bazë të argumentave të saj fokusuar kryesisht tek çështjet e mjedisit dhe zhvillimit të territorit. Ky ka qenë edhe qëndrimi për të cilën unë jam motivuar që panvarësisht që në momentin kur kërkesa për referendum adresuar Presidentit të Republikës kishte pikëpamje të ndryshme midis palëve politike unë vendosa në mënyrë institucionale dhe duke besuar fort që ishte qëndrimi më i mirë institucional, të marrë anën e atyre që kërkonin referendumin dhe dekretova referendumin, i cili për arsye që tashëm dihen nuk u realizua por gjithsesi vullneti i një shumice të madhe qytetarësh të angazhuar konkretisht por edhe atyre që përcillni mbështjen në formë dhe në frymë e qëndrim të atyre që ishin nënshkrues të refendumit, duket qartazi e evidentuar një shumicë dërmuese e qytetarëve. Ndaj besoj që edhe në rastin konkret përveç arsyeve, të cilat unë i kam renditur që vijnë kryesisht tek përcaktimet kushtetuese qofshin, edhe tek respektimi i disa standardeve që Shqipëria duhet të respektojë në procesin e integrimit Europian apo të konventave ku Shqipëria është palë pro. Mbi të gjitha tek unë dominion synimi dhe qëllimi që në një situatë kur ka një diferencë të madhe midis qëndrimit politik të maxhorancës politike në parlament dhe maxhorancës dërmuese të qytetarëve atëherë çështja duhet të shkojë drejtpërsëdrejtë drejt zgjidhjes përmes shprehjes së sovranit që është referendumi.

E kam cilësuar edhe në një nga çështjet kryesore të relacionit ku argumentoj kërkesën për rishqyrtim që në këtë situatë kur ka, pra për projektin në fjalë, nuk di në se projekti do të pësojë ndryshime në të ardhshmen, por projekti në fjalë duhet që patjetër në këtë diferencë të madhe qëndrimesh që ka mes maxhorancës në parlament dhe qytetarëve të opinionit publik duhet të shkojë drejt zgjidhjes përmes shprehjes referendare dhe kjo është plotësisht e mundur dhe nga ana tjetër unë besoj që ligji ka nevojë për ndërhyrje shumë esenciale të cilat duhet të garantojnë në fund të fundit opinionin publik që importi i mbetjeve nuk do të keqpërdoret, nuk do të ndikojë aq më tepër në realizimin e një situate kur kemi vetëm përfitimet e industrisë e cila pa dyshim që duhet edhe të kujdesimi për të , edhe të marrim masa legjislative e rregullatorë për të padyshim, por nga ana tjetër duhet të prevalojë interesi qytetarë në mënyrë që të ecim në mënyrë paralele ku edhe mjedisi, edhe territori, edhe shëndeti edhe jeta dhe ambienti ynë të jenë të mirëmbajtur por edhe të jenë në parametrat që meritojmë ne qytetarët që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend. Pra, ligji nuk kishte as garancitë minimale që qytetarët shqiptarë të garantoheshin që industria ricikluese pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji nuk do të bojkotonte tërësisht, marrjen e mbetjeve nga ato që prodhohen në Shqipëri dhe do të përshtaste tërësisht produktin e saj nga mbetjet e importuar nga jashtë, Pra qind për qind do të merrte mbetje nga jashtë sepse ia krijonte këtë hapësirë ligji. Dhe ligji duhet të parashikojë minimumin e garancive që pas periudhave të caktuara, pesëvjeçare, dhjetëvjeçare, pesëmbëdhjetëvjeçare dhe kështu me radhë industria ricikluese duhet të jetë e detyrua që të reduktojë në një përqindje të madhe importimin e mbetjeve nga jashtë dhe gjithmonë dhe më shumë ta adresojë përdorimin e mbetjeve që bëhen në vend dhe të jetë e detyruar që të investojë në ndarjen e mbetjeve në burim, në edukimin dhe arsimimin e qytetarëve dhe një sërë çështjesh të tjera që japin garancitë. Edhe industria në njëra anë funksionon por ajo që mbetet prioritare është që mjedisi, ambienti, jeta, shëndeti i qytetarëve të këtij vendit, të njerëzve që kanë vendosur të jetojnë këtu , të lindin fëmijët e tyre, të rrisin fëmijët e këtyre këtu , të jetë e garantuar në pikëpamja shëndetësore edhe e ambientit.

Gazetarja: Zoti President, një çështje që gjatë javës pati diskutim pati edhe jehonë nga opozita dhe Partia Demokratike ishte çështja e fillimit të procedurave të zbatimit të ligjit të Vettingut ” Për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” . Në ligj flitet për një afat 45 ditor në të cilën Presidenti duhet ta përmbush , por në fakt i referohet miratimit të Kushtetutës, dispozitave kushtetuese të 21-22 korrikut. A ka vend Presidenti për të hedhur hapa për të zbatuar gjithë atë procedurë që parashikohet në ligj në fakt për të marrë aplikimet, për të shpallur fillimisht vendet dhe për të marrë aplikimet, mbikëqyrjen me operacionin ndërkombëtar të monitorimit. Është një afat 45 ditor që kërkon sqarim në fakt në se ju do ta ushtroni këtë kompetencë, ka vend për t’u ushtruar kjo kompetencë apo i kalon Avokatit të Popullit automatikisht në këtë situatë ?

Presidenti Nishani: Unë me keqardhje kam konstatuar që hartuesit e këtij projektligji nuk kanë qenë të sinqertë në lidhje me të drejtat dhe përmbushjes së atyre të drejtave nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës Pra, ka pasur një mungesë sinqeritetit në raportet midis hartuesve të ligjit dhe institucionit të Presidentit të Republikës. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja që u shmang plotësisht konsulta me përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës në një ligj ku parashikohej përfshirja e institucionit të Presidentit të Republikës. Pse e them këtë? Ligji i referohet afatit 45 ditor jo të hyrjes në fuqi të ligjit, por i referohet afatit 45 ditor të hyrjes së Kushtetutës, ç’ka është një nonsens është një nonsens juridik por edhe logjik mbi të gjitha sepse ai ligj nuk mund t’i referohet një akti themeltar padyshim, por një akti të miratuar shumë kohë përpara në një kohë kur deputetët ishin mjaft të qartë që paketa e ligjeve nuk kaloi në të njëjtën ditë, nuk kaloi në të njëjtin proces votimi me paketa kushtetuese. Pra ligji u shqyrtua dhe u miratua në një kohë shumë më të vonshme dhe afati 45 ditor brenda të cilit presidenti duhet të përmbushte të gjithë angazhimet tij lidhjet me ndërhyrjen e kushtetutës që do të thoshte se afati i fundit i ndërhyrjes së presidentit ishte data 25 shtator. Sikur të kemi parasysh që presidenti të mos e lexonte fare ligjin, të mos e studionte fare ligjin, ishte një ligj shumë i rëndësishëm dhe voluminoz i cili mbërriti në Zyrën e Presidentit në 1 shtator, sikur Presidenti ta dekretonte ne datën 2 shtator, të hynte në fuqi në datën 3 shtator, të pritej 15 ditë nga hyrja e tij në fuqi që shkonte përafërsi përtej mesit të shtatorit. Pastaj duke llogaritur që ligji parashikonte që Presidenti duhet të linte 15 ditë afat njerëzve, të cilët duhet të aplikonin për vendet vakante, dhe pastaj edhe shtatë ditë të tjera për të shqyrtuar kërkesat dhe për t’ia përcjellë pastaj institucioneve të tjera. Pra, sikur presidenti ta kishte firmosur pa e lexuar ligjin që me datën 2 shtator, i gjithë procesi që duhet të përfundonte Presidenti minimalisht shkonte në datat 2, 3 apo 4 tetor pra, data 25 shtator i parashikuar në ligj si afati i fundit që presidenti duhet të përmbushte gjithë këto detyra, tejkalohej dhe nuk e bënte të mundur angazhimin e Presidentit. Megjithatë nuk është një proces që është në ngërç se vetë paketa kushtetuese dhe ligji ka parë që në rastet kur këto çështje nuk përmbushen nga ana Presidentit të Republikës është Avokati i Popullit ai që e kryen procesin e mëtejshëm. Ndaj tashti afatet e Presidentit kanë kaluar që në datën 25 shtator, madje që pa hyrë ligji në fuqi, por që tashmë i takon zyrës së Avokatit të Popullit që të vijojë me procedurën me çështjet që ligji parashikon. E rëndësishme është që procesi të kryhet me transparencë, të kryhet jashtë ndikimeve dhe kapjes politike është shumë e rëndësishme sepse vetë paketa kushtetuese dhe gjithë paketa e ligjeve të miratuar ka një sfidë shumë të madhe dhe të dy rreziqet apo le të themi të dyja çështjet qëndrojnë përballë në procesin e implementimit. Zbatimi dhe implementimi i suksesshëm i ligjit dhe i gjithë procesit dhe nga ana tjetër qëndron si një sfidë rreziku që të ketë një ndikim dhe kapje politike, ç’ka pastaj do të krijonte një dështim të cilin askush nuk do ta dëshironte, askush nuk do ta uronte, prandaj duhet të jemi të angazhuar për ta shmangur dështimin e këtij procesi. Unë jam besim plotë që është një proces, i cili ka të gjitha gjasat dhe mundësitë që të orientohet dhe të adresohet implementimi i tij, në rrugën më të mirë të mundshme.

Gazetarja: Besoni tek përfshirja e ndërkombëtarëve si mbikëqyrës të fortë në zbatimin e këtij procesi. Është një ligj që ju e keni lënë të hyjë në fuqi me heshtje në fakt. Ku e shihni rrezikun e kapjes?

Presidenti Nishani: Natyrisht nuk besoj që aktorët e ndërkombëtarë do të synojnë kapjen politike të institucioneve. Kapja politike mbetet gjithmonë si sfidë nga instrumenta dhe aktorët brenda vendit, por padyshim që secili prej aktorëve që është parashikuar të jetë i përfshirë në procesin gjatë implentimit të kësaj pakete ligjore , që të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre në raport me pritshmëritë e larta që kanë qytetarët shqiptarë, sepse në fund të fundit janë qytetarët shqiptarë dhe qytetarët ata të cilët janë investuar dhe duhet të investohen dhe duhet të marrin benefitet e implementimet dhe realizimit të mekanizmave të vërtetë ligjore të një shteti të së drejtës, të një shtetit ku ligji funksionon i barabartë për të gjithë.

Gazetarja: Ka pasur jehonë këto ditë një raport i PAMECA-s, Misionit të Bashkimit Europian që asiston Policinë e Shtetit. Ju keni qenë Ministër i Brendshëm, ishte një raport që media e publikoi në fakt, ishte një raport në fakt që kritikonte punën e Prokurorisë pikërisht në ato çështjet kryesore, që kanë bërë bujë dhe jehonë ndërkohë që vetë Bashkimi Europian apo institucione ndërkombëtare këmbëngulin që Shqipëria të ketë rekorde të arrestimit, ndalimit të atyre që i cilëson si peshq të mëdhenj. Ndërkohë që në këtë raport të PAMECA-s kritikohet puna e Prokurorisë Shqiptare pikërisht në këto raste të bujshme, të emrave që janë kritikuar edhe fort edhe nga ambasadorët. Ju si e keni parë këtë raport të kritikuar nga media?

Presidenti Nishani: Së pari më duhet të nënvizojë faktin se agjencitë ligjzbatuese në shtetin shqiptar për një periudhë shumë të gjatë në këto 25 vitet e fundit, kam pasur edhe një eksperiencë bashkëpunimi me organizata dhe institucione partnere, qoftë me ato të Bashkimit Europian, qoftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe në aspektin dy palësh me vende të Bashkimit Europian me vende anëtare dhe vende partnere. Nuk dua të përmend të gjitha eksperiencat, por kemi eksperienca shumë të mira gjatë këtyre viteve. Për sa i referohemi rastit të fundit të adresimit që vjen nga misioni PAMECA në drejtim të Prokurorisë Shqiptare, janë adresime të papranueshme. PAMECA ka dalë jashtë statusit të parashikuar për këtë mision për të cilën ajo ka ardhur në Shqipëri dhe duke dalë jashtë statusit ajo ka shkelur marrëveshjen me shtetit shqiptar.

Gazetarja: Pse çfarë duhet të bëjë PAMECA këtu?

Presidenti Nishani: PAMECA e ka të përcaktuar misionin e saj. Është një mision asistencë pranë Policisë së Shtetit Shqiptar për çështje që lidhen me performancën dhe trajnimet, strukturat. Pra është mjaft e qartë statusi dhe marrëveshja e shkruar midis shtetit shqiptar dhe Bashkimit Europian në lidhje me Misionin PAMECA. Misioni PAMECA në rastin konkret duke iu adresuar çështjeve që shkojnë tek Prokuroria shqiptare ka dalë përtej statusit të saj, ka dalë përtej asaj ç’ka vetë Bashkimi Europian e ka ngarkuar këtë si mision apo stafin aktual të PAMEC-es ndaj unë mendoj që kjo është një çështje që i takon tashmë trajtimit të autoriteteve që kanë mbikëqyrjen dhe monitorimin e misionit të PAMEC-ës në Bashkimin Europian por unë do të shfrytëzoj rastin për të nxitur dhe inkurajuar më tej institucionin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar veçanërisht në situatën ekstremisht shqetësuese të trafikimit dhe kultivimit të kanabisit që Prokuroria e Shtetit të mos përkulet ndaj asnjë lloj shantazhi apo debati të pavlefshëm, por ka sfidë shumë të madhe, posaçërisht Prokuroria e Shtetit Shqiptar ka një sfidë që duhet të fokusohet tek hetimi, zbërthimi dhe tek zhbërja e gjithë kësaj platforme dhe e rrjetit të krimit të organizuar që e ka kthyer Shqipërinë në një situatë problematike kryesisht me çështjet e stabilitetit social- shoqëror, stabilitetit politik, por edhe ekonomik ku kultivimi dhe pwr fatin e keq trafikimi i kanabisit por kthehet për fat të keq në rreziqe serioze të gjitha këtyre aspekteve që unë përmenda pak më parë dhe janë rreziqe që i kanosen gjithë qytetarëve, gjithë aktorëve dhe vetë aktorëve politikë.

Prandaj është momenti për në qasje të fortë, për një qasje shumë dimensionale në mënyrë të tillë që situata jo vetëm të mos agravojë por të marri përgjigjen e merituar në mënyrë që e nesërmja të jetë, një e nesërme krejt tjetër në raport me çështjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Gazetarja: Në fakt ka disa ndërhyrje të prokurorisë dhe me ndërhyrjen e disa të dhënave të Shërbimit Informativ të Shtetit por duket sikur ka një konflikt mes Prokurorit, prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit. Si e keni parë këtë komunikim duke pasur parasysh edhe ju si President i Republikës keni të dhënat tuaja. A është kaq serioze situata e kultivimit të drogës në vend sa ç ‘perceptohet publikisht në fakt megjithë argumentat e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, mbështetur edhe në të dhënat që ka dhënë monitorimi i Guardia Di Financa thotë se situata është më ndryshme se ç’ka qenë, është në përmirësim pra?

Presidenti Nishani: Unë nuk komentoj dhe nuk komentoj në asnjë rast deklarata që vijnë nga qeveria , qoftë që vijnë nga politika, ato le të mbeten pjesë e së drejtës së tyre. Të gjitha aktorët në vend kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre, të marrin pozicionimet e tyre, të debatojnë në lidhje me çështje. Unë po flas sot dhe në këtë moment nga pozicioni i Kreut të Shtetit Shqiptar dhe reflektimi i shqetësimit që vjen nga ana ime ka të bëjë jo mbi bazën e asaj ç’ka unë dëgjoj në debatin mes palëve dhe aktorëve , ka të bëjë me çfarë unë kam konstatuar nga institucione ligjzbatuese përfshi raporte që vijnë nga Shërbimi Inteligjent, përfshi raportet që vijnë nga partnerët tanë përfshirë edhe raportet që dalin përditë qoftë nga policia e shtetit shqiptar, qoftë edhe nga policia e shtetit italian apo të vendeve të tjera ku sekuestrohet pothuajse në mënyrë frekuente sasi shumë të mëdha të kanabisit të trafikuar nga territori shqiptar. Unë nuk i hyjë dhe nuk do t’i hyjë sot në këto momente në këtë pozicion që kam debatit sesa shumë është përkeqësuar apo a ka qenë dhe vazhdon të mbetet në ‘statusquo’ të caktuar çështja e kultivimit dhe trafikimit. Ajo që unë përcjell si shqetësim është shqetësimi që vjen nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, kryesisht nga pjesa më e përgjegjshme e opinionit publik të cilët janë realisht të shqetësuar sepse, përveç faktit të veprimtarisë së grupeve kriminale, janë konstatuar dhe dy elemente shumë problematikë në lidhje me çështjet e kultivimit të kanabisit. Së pari, sekuestrimi në mënyrë ilegale i pronave dhe i tokave të fermerëve nga grupet kriminale për të kultivuar kanabisin që është një veprimtari tjetër kriminale. Së dyti, gati-gati skllavërimi i grupeve të caktuara të qytetarëve të cilët punësohen edhe përmes forcës, edhe përmes detyrimit në arat, sektorët, fushat ku kultivohet dhe përpunohet kanabisi për t’u trafikuar. Pra, jemi në një kompleks të situatave që lidhen drejtëpërdrejtë me veprimtari kriminale dhe unë besoj që këtu nuk është koha për të marrë në analizë se cila është rëndësia e debatit politik apo cila është anësia e njërit institucion apo cila është anësia e institucioneve të tjera. Ky është një problem madhor. Në gjykimin tim me përmasat që ka marrë dhe ky është një alarm të cilin unë po ja drejtoj aktorëve të shoqërisë shqiptare. Është një alarm i cili nëse nuk do të merret seriozisht nesër në të ardhmen shumë të afërt do të na kthehet në një fatalitet që më pas do të na duhen forca, mundësi, mjete dhe sakrifica më të mëdha për ta rekuperuar. E përmenda dhe pak më parë, është një situatë e cila rrezikon stabilitetin social, ekonomik, politik, edhe stabilitetin shoqëror, dhe kur them stabilitetin shoqëror i kam parasysh të gjitha çështjet brenda, stabilitetet e sigurisë së shoqërisë në tërësi përfshi proceset elektorale sepse proceset elektorale janë procese politike, janë procese ku përfshihen individë, aktorë nga më të ndryshmit, por do të kthehet në një problem jo vetëm shqiptar, por dhe rajonal. Ne nuk mund të marrim përsipër përgjegjësi që Shqipëria të përkthejë dhe përcjellë probleme rajonale në një kohë që ne kemi hyrë në një rrugë pozitive të kontributit si shtet dhe si vend në aspektin dhe nivelin rajonal për çështje që lidhen me stabilizimin, mirëkuptimin dhe çështjet zhvillimore dhe jo me çështje që lidhin pastaj gjithë rajonin me krimin e organizuar. Unë kërkoj që të shikohet dhe të merret seriozisht çështja, të adresohet mirë shqetërsimi që vjen nga opinion publik sepse është një çështje shumë madhore, shumë serioze, pa dyshim që kërkon angazhim, kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjithë aktorëve, të instrumentave të shtetit në radhë të parë, por edhe aktorëve të tjerë në mënyrë të tillë që edhe ne mos të na dalë nga duart një çështje kaq problematike dhe të na kthehet në një rrezik potencial për një periudhë afatmesme që pastaj do të na kërkojë angazhime, resurse dhe energji shumë e shumë më të mëdha për ta ristabilizuar.

Gazetarja: Të dhënat flasin që Shqipëria mund ta marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim, por po ashtu nga përfaqësuesit politikë mendohet që nuk mund të hapë negociatat pa parë sesi do të jetë rezultati i zgjedhjeve që vijnë; do të jenë cilësore, do të jenë standarde apo jo? Nga kjo klimë që ju parafolët tani, duke pasur parasysh që rekomandimet e dy palë zgjedhjeve të OSBE-ODIHR ende nuk janë përmbushur nga Parlamenti shqiptar. Keni një mesazh për forcat politike të përfshira në proces?

Presidenti Nishani: Unë besoj fort që Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë hapjen e procesit të negociatave edhe për shkak të gjithë rrugëtimit që kemi pasur deri më tani, edhe për shkak të angazhimeve, reformave, zhvillimeve dhe atyre arritjeve që ne kemi. Nga ana tjetër, hapja e negociatave duhet të konsiderohet dhe si një shenjë inkurajimi për shoqërinë shqiptare, për qytetarët shqiptarë, për institucionet shqiptare pse jo, për vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve dhe të angazhimeve dhe jo vetëm për Shqipërinë. Unë besoj që çështja e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë edhe për vet BE-në. Është një çështje e cila nuk duhet të ndalë pavarësisht problematikave të ndryshme që mund të ketë qoftë brenda BE-së qoftë brenda vendeve të veçanta të BE-së, qoftë brenda vendeve asprirante për t’u anëtarësuar në BE. Besoj se procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i integrimit ka qenë dhe mbetet mekanizmi më i mirë dhe në aspektin e krijimit të një situate të shëndetshme në rajonin tonë. Është një rajon i cili ka kaluar në të shkuarën problematika shumë serioze; me luftëra, genocide, spastrime etnike, masakra dhe jemi në një stad krejt tjetër dhe në këtë stad kemi arritur për shkak të investimeve që janë bërë. Pa dyshim është kontributi i vendeve dhe popujve të rajonit, por është dhe investim i partnerëve tanë qoftë i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat përmes proceseve integruese dhe së angazhimit të hapësirës euro-atlantike besoj që ka arritur në këtë situatë dhe janë investime që duhen mbrojtur, ruajtur dhe duhen avancuar më tej. Unë besoj që hapja e negociatave me BE-në ndaj Shqipërisë unë besoj se duhet të jetë një çështje e merituar e shqiptarëve dhe pastaj të ecim në këtë proces në bazë të angazhimeve dhe përformancës sonë pa dyshim.

Gazetarja: Zoti President faleminderit për intervistën dhe që gjetët kohë për t’iu përgjigjur interesit tonë për këto çështje!

Presidenti Nishani: Kënaqësi dhe për mua!