Sarandë, zbardhet vrasja e Aleksandër Bardhit

Policia e Sarandës ka zbardhur vrasjen e Aleksandër Bardhit, duke vënë në pranga dy autor të dyshuar dhe shpallur në kërkim të tretin. Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se janë gjetur edhe armët e krimit.

Të arrestuar janë Dhimitër Ciko, 20 vjeç, banues në Ksamil, i dënuar më parë për trafik narkotikësh, si dhe A. L., 18 vjec. Në kërkim është shpallur A. Xh, 20 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e A.Xh., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri “Automatik-model 56” si dhe 3 krëhëra të mbushur me fishekë, të cilat u dërguan për ekzaminime laboratorike.

Nga ekzaminimet laboratorike që u është nënshtruar këtyre armëve, ka rezultuar se të tre armët e mësipërme kanë realizuar qitje në vendin e ngjarjes për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Bardhi u vra me armë zjarri, në rrugën hyrëse të fshatit Shëndëlli të Sarandës.

Policia bën me dije se këta shtetas janë autorë në lidhje me një ngjarje tjetër të ndodhur në datën 21 shtator, ku në vendin e quajtur “Kthesa e shëtitorës” Ksamil, është qëlluar me armë zjarri në ajër, ngjarje për të cilën grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6-gëzhoja automatiku model 56, të kalibrit 7.62 mm.

Si rezultat i ekzaminimeve të kryera për 3 armët e mësipërme për vrasjen e Aleksandër Bardhit, ka rezultuar se 1 prej tyre është përdorur në këtë ngjarje të Ksamilit.