Meta: Në politikën e jashtme të rëndësishme rezultatet, jo retorika

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku ka komentuar per akuzat e partise Demokratike ndaj tij ne lidhje me skandalin e CEZ. /r/n/r/nParliament Speaker Ilir Meta , speaks during a parliamentary session, which commented on the charges against his in connection with the scandal of CEZ.

Nga Ilir Meta.

Në fakt nuk doja sot të flisja për vizitën në Greqi për të respektuar vizitën e Kryeparlamentares së Italisë, znj. Boldrini e cila foli sot këtu.

Por duke dëgjuar edhe ‘Doktorin’ pak më parë që udhëtoi në histori, si dhe gjithë debatet e sotme, një pjesë të nxitura edhe nga spekulimet, keqinformimet, dezinformimet dhe mashtrimet lidhur me vizitën e një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë në Greqi të kryesuar nga unë, jam i detyruar që duke marrë shkas nga fjala e znj. Boldrini, të flas për këtë çështje sot.

Znj. Boldrini në mesazhin e saj thoshte në mënyrë të qartë dhe ligjëratë të drejtë se: “Evropa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në stabilizimin e një rajoni që përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe pështjellime nacionaliste”. Këto fjalë u thanë vetëm pak më parë në një ligjëratë të drejtë nga një personalitet i Italisë dhe i Evropës këtu në Kuvend.

Për shkak edhe të përvojës sime politike në marrëdhëniet ndërkombëtare, më duhet të them edhe pas kaq kohësh se gjëja kryesore për të cilën Evropa, Amerika, NATO, dhe bota demokratike ka nevojë për Shqipërinë është në radhë të parë aftësia e saj për të qenë faktor stabiliteti në këtë rajon të trazuar historikisht.

Unë e mbështes politikën e “zero problemeve” me fqinjët si një tentim, sepse më duket e pamundur që të mos kemi asnjë problem me fqinjët. Nuk pres të kemi probleme me Zelandën e Re apo me Australinë.

Natyrisht që edhe probleme do të kemi me fqinjët, sepse kemi probleme edhe me Kosovën për tregtinë, për çështje të ndryshme ku hyjnë interesa nga më të ndryshmet dhe që gjithnjë përpiqemi që t’i zgjidhim.

Unë jam një politikan, i cili ka vetëm tre tabu: Stabilitetin e Shqipërisë, integrimin evropian të vendit dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon. Kjo do të thotë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe Shqipëria si shembull për bashkëpunimin rajonal. Dhe besoj se të tre këto janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën.

E prita me kënaqësi këtë vizitë në Greqi, pavarësisht se nuk e kisha kërkuar, për arsye sepse Greqia ka qenë në një situatë jo shumë të qëndrueshme ekonomike, apo edhe politike. Parlamentet janë ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme dhe ishim të bindur se një vizitë zyrtare duhet bërë në kohën kur edhe mikpritësit tanë do të kishin më shumë mundësi për të diskutuar së bashku për të gjithë çështjet e bashkëpunimit të gjithanshëm.

Dhe jam shumë i kënaqur për këtë vizitë e cila ka ndodhur në një moment pak si jo shumë pozitiv në drejtim te atmosferës, të deklaratave, të kundërdeklaratave të faktorëve të ndryshëm politik, publik e kështu me radhë. Dhe besoj se ky delegacion dhe unë si Kryetar i këtij delegacioni parlamentar kemi bërë më së miri detyrën ndaj atyre qëllimeve që ka politika e jashtme e Shqipërisë.

Kam dëgjuar këtu se nuk është ngritur çështja “çame”. Jo vetëm kaq, por këtu kam dëgjuar që Kryeparlamentari ka thënë se ka qasje të ndryshme me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Bushati. Gjë që ka qenë një spekulim, sepse deklarata ime në përgjigje të pyetjes së gazetares greke pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Greqisë ka qenë shumë e qartë: që për çështjen “çame” kemi qasje të ndryshme. Në fakt ka qenë diplomatike si përgjigje, sepse qasjet ishin të kundërta me Ministrin e Jashtëm Grek.

Po kështu dua të shpreh keqardhjen time që theksohet këtu se unë jam shprehur që çështja “çame” është një çështje që i takon së shkuarës. Pra që nuk është një çështje aktuale dhe si e tillë nuk është një çështje që duhet zgjidhur.

Unë jam shprehur në mënyrë shumë të qartë se në historinë e vjetër të marrëdhënieve mes dy popujve që dominohet nga bashkekzistenca dhe nga bashkëjetesa, ka edhe disa plagë të cilat dhembin edhe kur i përkëdhel, jo më kur i ngacmon ashtu sikundër ndodh kjo edhe në trupin secilit prej nesh. Dhe e kam thënë në mënyrë të qartë që këto plagë duhet t’i kurojmë dhe t’i shërojmë me kujdes, me qetësi, në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të na dhembin sa më pak, dhe të mos krijojmë plagë të reja. Sepse kjo është një sfidë shumë e madhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe në marrëdhënien tonë me të gjithë vendet në rajon.

Dhe jo vetëm kaq, por jam shprehur që çështja çame është plaga më e thellë në historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe si e tillë sipas mendimit tim kërkon një klimë tjetër për të cilën duhet të punojmë të gjithë në mënyrë konstruktive.

Ne të gjithë e dimë se një problem i rëndësishëm për fat të keq, edhe pse sipas vlerësimit tim ne nuk ndjejmë asnjë rrezik nga Greqia, mbetet fakti që ligji i luftës është ende në fuqi. Kjo është paradoksale sepse ne jemi të dy vende anëtare të NATO-s dhe Greqia e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Kjo çështje, dhe çështje të tjera, sikurse janë edhe të drejtat pronësore të shqiptarëve që kanë jetuar në Greqi dhe që janë larguar me forcë nga Greqia, janë ngritur në mënyrë zyrtare në çdo takim dhe në çdo bisedë. Për fat të mirë ka vullnet për të dëgjuar pavarësisht nga reagimi për ato çështje të cilat janë diskutuar në mënyrë të vazhdueshme edhe nga ministrat e jashtëm, pra në nivele diplomatike.

Unë nuk isha në Greqi për të bërë negociata për këtë çështje apo për çështje të tjera të bartura. Kjo ka qenë një vizitë zyrtare. Ne kemi qenë në radhë të parë për të krijuar një klimë konstruktive, sepse mund t’ua them me bindje të plotë se ajo që ka penguar zgjidhjen e shumë çështjeve, të cilat në mënyrë konfidenciale të dy palët i konsiderojnë si paradoksale shpesh, janë fushatat elektorale në Greqi dhe në Shqipëri. Shpeshherë është klima që krijohet për shkak të fushatave që vë në pozitë të vështirë qeveritë për të marrë vendime të mençura.

Unë besoj se qeveritë që do të vijnë në të ardhmen në Greqi ndoshta nuk do të jenë kaq të disponuara pozitivisht për t’i shëruar më shpejt këto plagë. Kam vënë re një vullnet shumë pozitiv tek qeveria aktuale për shumë çështje, sidomos në drejtim të integrimit të emigrantëve. Hapa që nuk i ka bërë asnjë qeveri tjetër më parë. Kam vënë re një vullnet konstruktiv për të avancuar në një mënyrë të qëndrueshme drejt përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Ndaj besoj se ajo që na duhet është një klimë konstruktive këtu me njëri-tjetrin për çështje të cilat kanë të bëjnë në marrëdhëniet me fqinjët përfshirë edhe Greqinë dhe të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në çështje të fushatës së ardhshme elektorale. Unë personalisht nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë dhe më duket krejtësisht e padobishme, sepse unë mendoj që për të gjithë shqiptarët, dhe në mënyrë të veçantë për komunitetin çam që jeton këtu në mënyrë të veçantë e që u janë mohuar dhunshëm të drejtat e tyre, më e rëndësishmja është rivendosja e këtyre të drejtave, që janë të drejta themelore të njeriut.

Besoj që ne duhet të ecim në një mënyrë të mençur edhe për këtë çështje, si çështja më e vështirë, për të cilën deri tani unë nuk kam parë ndonjë forcë politike në Greqi që të jetë e gatshme për ta diskutuar. Përveç ndoshta Agimit të Artë, me të cilët as jam takuar e as nuk kam ndërmend të takohem si Kryetar i Kuvendit. Ndaj besoj se në këtë drejtim ne duhet që marrëdhëniet me fqinjët dhe jo vetëm me Greqinë t’i trajtojmë me më shumë përgjegjshmëri ashtu sikurse i trajton shpesh Komisioni i Politikës së Jashtme në mënyrë të veçantë kur nuk ka media.

Nuk duhet ta harrojmë edhe një herë mesazhin që dha znj. Boldrini sot këtu në Parlament vetëm pak orë më parë: “Evropa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në stabilizimin e një rajoni që përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe pështjellime nacionaliste”.

Nuk kemi asnjë interes të mos sillemi në mënyrë evropiane edhe kur vende anëtare të Bashkimit Evropian mund të mos e bëjnë këtë gjë, sepse ne për të zgjidhur çështje të tilla na duhet mbështetja e Bashkimit Evropian dhe gjithë partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe ata këtë gjë do të na japin kur të shohin se ne i ngremë problemet në mënyrë konstruktive. Nuk mjafton vetëm të kesh një të drejtë, por ka shumë rëndësi si e parashtron kërkesën për këtë të drejtë.

Dhe unë besoj se në raport me Greqinë, dhe në raport me vende të tjera, është shumë e rëndësishme të sillemi në një mënyrë evropiane. Ta paraqesim drejt këtë çështje, jo si një sfidë ndaj Greqisë, jo me një retorikë për të demaskuar Greqinë, se kjo nuk na ndihmon, sepse kjo nuk e zgjidh këtë çështje! Kjo nuk zgjidhet në mënyrë të njëanshme se ndryshe do e kishim zgjidhur me kohë!

Kjo çështje kërkon dialog, mirëkuptim dhe mirëbesim, që duhet të ndërtohet çdo ditë dhe jo të vritet. Qoftë edhe pa dashje. Qoftë dhe nga padurimi me të drejtë të shumë prej përfaqësuesve të këtij komuniteti të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlera. Qoftë për shkak të “patriotizmit” të gjithë ne të tjerëve që kemi një origjinë tjetër. Nuk kemi origjinë Çame, por jemi nga Skrapari, nga Tirana e kështu me radhë. Sepse nuk duhet të harrojmë se marrëdhëniet me Greqinë janë jetike, dhe duhet të jenë edhe vitale. Edhe Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë që e izoloi vendin nga e gjithë bota dhe që luftoi me grekët në 1949, në fund fare la një libër “Dy popuj miq”.

Prandaj unë mendoj që të gjithë në këtë sallë duhet të ngrihemi në një nivel më të lartë dhe duhet të tregojmë se të drejtat që duhet t’i fitojmë, nuk duhet t’i shpërdorojmë. Nuk duhet të sillemi në një mënyrë revanshiste.

Kush të ketë dëshirë, le të merret me mua, kjo nuk më shqetëson fare!

Unë u takova me Djukanoviçin në 1997 dhe u sulmova se takova njeriun e Millosheviçit, dhe jam krenar me atë që kam bërë më pas me të për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

E ndihmova UÇK-në, dhe nuk kam kërkuar asnjëherë medalje, lavdërime. Madje kur kanë dashur të më japin medalje, nuk e kam pranuar se e kam patur për detyrë. Por pasi u çlirua Kosova kam bërë gjithçka për përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dhe Kosovë-Serbi, edhe pse jam sulmuar.

Jam akuzuar pse kam hequr në mënyrë të njëanshme vizat me Serbinë. Ne e bëmë, sepse treguam që jemi një hap përpara.

Jam akuzuar pse kam shkuar në Preshevë i shoqëruar nga një ministër serb dhe s’e kam patur shqetësim sepse ka qenë diçka shumë pozitive, me qëllim që tani shqiptarët të shkojnë atje të pashoqëruar nga askush.

Por dua t’ju them të gjithëve se në qoftë se në politikën e brendshme secilit prej nesh i lejohet ose mund t’i pranohet një gabim, sepse është një gabim që i kushton secilit personalisht ose i kushton një grupimi të caktuar politik, në politikën e jashtme, gabimet, emocionet, vetërrëmbimet, dëshirat për të bërë patjetër një lajm, qoftë edhe të momentit, apo akoma më keq për të shmangur vëmendjen nga një çështje dhe për të kaluar në një çështje tjetër, aq më tepër kur është me karakter “patriotik”, mund të sjellin pasoja të gjata të cilat përsëri i vuajnë qytetarët dhe i vuajnë njerëzit, i vuajnë popujt dhe shumë pak politikanët.

Ndaj unë mendoj që këto gjëra t’i kemi në konsideratë. Unë kam respekt për mendimin e secilit, për opinionin e secilit. Kam dëgjuar këtu marrëzi të papara, deri sa mora vesh se edhe Arta Dade ishte “greke” përveç z. Dule, z. Tavo dhe z. Angjeli, madje dhe shumë pjesëtare të tjerë të delegacionit. Nuk habitemi. Këto janë reminishenca që vijnë nga e kaluara. Por unë mendoj që ne duhet t’i drejtohemi të ardhmes, duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit në mënyrë konstruktive dhe njëkohësisht në këtë mënyrë t’i drejtohemi edhe fqinjëve dhe kështu do të kemi mbështetjen e fortë dhe të vendosur të NATO-s, të BE, me mirëkuptimin e të gjithëve që t’i fitojmë ato të drejta që na takojnë dhe unë besoj se vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i fitojmë ato.

Në politikën e jashtme janë të rëndësishme rezultatet dhe jo retorika.