Dëshmia e kreut të KLSH-së, reagon Shalsi nga Greqia: E pavlefshme, s’kishte kuorum komisioni

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dëshmoi në Komisionin hetimor parlamentar të kërkuar nga opozita, në lidhje me rimarrjen në pronësi të shtetit shqiptar të kompanisë “CEZ Shpërndarje” në vitin 2014.

Mazhoranca nuk ishte e pranishme dhe kuorumi nuk u përmbush, por ky fakt nuk e pengoi kryetarin e komisionit, demokratin Edmond Spaho, që të vazhdonte me marrjen e dëshmisë.

Pipërisht për mungesën e kuorumit ka reaguar Partia Socialiste, e cila e quajti dëshminë e Bujar Leskajt të pavlefshme.

“Një mbledhje e tillë kaq e rëndësishme zhvillohet në kundërshtim me rregullat dhe për më tepër thirret një përfaqësues institucioni shumë të rëndësishëm të shtetit, i cili jep dëshmi në një mbledhje të paligjshme. Padyshim që dëshmia e tij është nul dhe nuk ka vlerën e provës në hetimin e kësaj çështjeje”, tha Vasilika Hysi, sekretare e komisionit hetimor.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe nënkryetari i Komisionit, Eduard Shalsi i cili pavarësisht se ndodhet në Athinë si pjesë e grupit parlamentar që po shoqëron kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, e ka dënuar ashpër mbajtjen e kësaj seance dëgjimore me kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj.

“Me keqardhje informojmë për shkeljen flagrante të Kryetarit të Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, i cili sot në shkelje të hapur të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ka zhvilluar mbledhjen e Komisionit pa patur kuorumin e nevojshëm. Kemi informuar zyrtarisht Partinë Demokratike që për arsye objektive, anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialistë e kishin të pamundur që të merrnin pjesë në këtë mbledhje. Mbledhja u zhvillua pa kuorum, pra nga 11 anëtarë mbledhja u mbajt me 4 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Qëndrime të tilla të mbajtura nga anëtarët e Partisë Demokratike në Komision, nuk i shërbejnë punës së këtij Komisioni dhe çështjes për të cilën është ngritur. Partia Demokratike ka vijuar me sjelljen e saj tërësisht politike me këtë shoë mediatik. Dëshmia e dhënë në këtë seancë nuk mund të shërbejnë si provë për këtë komision hetimor sa kohë që procedura e marrjes së kësaj dëshmie është në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit dhe me ligjin “Për Komisionet hetimore”- shprehet Shalsi në reagimin e tij për mediat nga Greqia.