Nipi i Qazim Mulletit: Xhaxhai im e ka mbajtur me bukë Enverin

Tirana dhe Shqipëria i ka një borxh të madh familjes Mulleti dhe ka gjasë që shkaku të ketë lidhje pikërisht me komedinë e famshme “Prefekti”. Nipi i ish-prefektit të Tiranës thotë se kjo ishte një hakmarrje e Enver Hoxhës ndaj xhaxhait të tij që e mbajti në Paris kur ai vazhdonte shkollën. Në komedinë e shkruar nga një anëtar i lëvizjes në kohën e luftës, Qazim Mulleti vihet në lojë duke përfaqësuar një njeri të prapambetur dhe në një nivel të ulët intelektual, aq sa edhe sot shprehja e “O Qazim more Qazim puna jote aferim….” vazhdon të jetë në kujtesën e shqiptarëve. Për autorin e libretit të komedisë, familja Mulleti ka mllef pasi ka qenë pikërisht ish-prefekti që e ka shpëtuar nga vdekja pasi Besim Lëvonja ishte arrestuar gjatë kohës së luftës. Tanush Mulleti ka shumë për të treguar për pasojat që patën si pasardhës të Mulletëve, por mbi të gjitha kërkon që shqiptarët ta njohin ashtu siç ishte Qazim Mulleti dhe jo ashtu siç e transformoi komunizmi. “Babai im e ka pasur vëlla dhe kujdestar Qazimin pasi ai është kujdesur shumë për të qysh kur i vdiq vëllai. Me largimin e xhaxhait, babai nuk u largua asnjëherë nga vendi. Edhe pse u betua se nuk do të merrej me politikë, kjo nuk e shpëtoi nga internimi e burgosja derisa vdiq në spitalin e burgut të Tiranës. Nënën e internuan në Kavajë dhe qëndruam deri në 59-ën kur edhe  na lejuan të iknim në Shkodër. Na morën të gjithë pasurinë. Edhe një pjesë që na e kishin lënë, e shtetëzuan në kohën që ishim në internim. Mulletët themeluan Tiranën, e megjithatë asnjëherë nuk u vlerësuan për kontributin e tyre edhe tani që jetojmë në kohën e demokracisë. Jo vetëm që nuk u vlerësuan por i morën të gjithë pasurinë e nuk pati asnjë gjest mirënjohje për kontributin e tyre. Madje i bënë të dukeshin qesharakë dhe pa shkollë, si në rastin e komedisë Prefekti.  Për këtë komedi ka një koiçidencë interesante, pasi Qazim Mulleti e ka shpëtuar nga pushkatimi Besim Levonjën. Besimi në atë kohë ishte i angazhuar në sekretariatin e rinisë së lëvizjes dhe kushurira jonë, vajza e Mytesim Këlliçit ndërhyri që ta lironin e xhaxhai i la të lirë. Janë disa raste kur vihet në lojë prefekti i Tiranës. Ata i janë përshtatur komedisë “Revizori”, por nuk duhet të kishin dalë me emër e mbiemër. Kështu ia shpërbleu Tirana prefektit të saj që ka bërë shumë për Tiranën. Shumë objekte, bulevardin, ujësjellësit madje dhe VC-të e nëndheshme si në Paris, Tirana i ka nga xhaxhai im Qazim Mulleti”, thotë i nipi, Tanushi.

***

Si reagoi Qazim Mulleti kur mësoi për komedinë “Prefekti”?

Në kohën e shkrimit të libretit, Qazim Mulleti ishte gjallë dhe jetonte në Romë. Ia dërguan dhe u njoh me tekstin e komedisë. Reagimi i tij ishte mjaft interesant. Ai u shpreh: “Më paskan bërë nder pasi më kanë bërë të përjetshëm”.

Si shkoi çështja e pronave për familjen Mulleti?

Me ligjin e parë të pafajësisë në fillim të viteve 90-të, babait i takonte t’i merrte të gjithë pronat. I paraqita në atë kohë dokumentet aq sa kishim pasi tapi e dokumente të tjera nuk rezistuan dot nga internimi e burgosja. Besova se do na ktheheshin.

Vetëm vjet e kam marrë shtëpinë. Në vitin ‘98 kemi marrë dyqanet , një pjesë të tyre kuptohet . Vazhdojmë nëpër gjyqe, nëpër hipoteka për pronat. Nuk do ndalemi deri në gjykatën e Strasburgut dhe kostoja do të jetë e madhe për shtetin shqiptar.

Familja e parë e Tiranës u godit më fort se të gjitha. Mendoni: ia mora pronën komunizmit me ligjin e pafajësisë, ndërsa në demokraci do të detyrohemi t’i drejtohemi organeve ndërkombëtare për të fituar të drejtën tonë.

Kur thoni Mulletët themeluan Tiranën por nuk u vlerësuan asnjëherë, çfarë nënkuptoni?

Familja Mulleti ka qysh në 1604 në Tiranë. Sulejman Pashë Mulleti themeloi Tiranën si qytet, por pak e dinë këtë gjë.  Më vjen keq që është bërë një monument si dordolec me qeleshe. Ai është pasha dhe si i tillë duhej vlerësuar edhe me këtë monument.

Është e dhimbshme pasi sheshi është quajtur “Sulejman Pasha”, por vetë monumenti është vendosur me kurriz nga sheshi. Nëse pyesim njerëzit askush nuk e bën lidhjen me themeluesin e Tiranës. Ndërkohë varri i tij është zhdukur.

E dini se poshtë “Ushtari i Panjohur” ndodhet varri i Sulejman Pashës. Në çdo  vend të botës themeluesin e nderojnë dhe varrin e tij e ruajnë. Vetëm në Shqipëri shkatërrojnë varre, dëmtojnë identitetin dhe nuk vlerësojnë figurat që kanë kontribuar.

Si përfundoi bashkëshortja dhe djali i vetëm i Qazim Mulletit?

Qazim Mulleti u largua për tu kthyer sërish dhe la bashkëshorten me djalin këtu. Ata pësuan të gjitha pasojat nga komunizmi. U internuan dhe jetuan mes vështirësive. Gruaja Hajria vdiq në interrnim ndërsa djali i tij i vetëm, Reshiti nuk u martua dhe vdiq para 10 vjetësh, natën që hyri në shtëpinë e vet.

Ai bashkë me të ëmën, veç internimin jetuan edhe poshtërimin e Qazim Mulletit. I biri ishte në shkollë kur doli komedia dhe të gjithë ia bënin me gisht si të birin e njeriut të prapambetur kur Qazim Mulleti ka qenë i shkolluar, njohës i 9 gjuhëve të huaja, kontribues për kombin dhe për zhvillimin e Tiranës.

Pse u vu në lojë Qazim Mulleti?

Komunizmi e kishte si objektiv vënien në lojë, uljen dhe krijimin e urrejtjes ndaj të pasurve. Xhaxhai im e ka mbajtur me bukë Enver Hoxhën kur ai ishte në Paris. Ai kishte një restorant në vendin e kulturës dhe Enveri ka qëndruar tek xhaxhai im në këtë kohë.

Ai e njihte shumë mirë kush ishte Enver Hoxha dhe kjo nuk i pëlqente diktatorit. Kështu gjeti mënyrën për ta ulur e për ta diskretituar duke përdorur një vegël të tij si Besim Lëvonja që shkroi libretin fyes.

Qazim Mulleti shiti pasurinë e tij në Paris e në Vjenë duke u kthyer në Shqipëri. Erdhi me qëllimin për të bërë Shqipërinë, por pikërisht kjo i hëngri kokën. Meritat e tij janë të shumta dhe nëse ia mohojmë do të jemi gjithmonë të mallkuar.

Qazim Mulleti njihej si fannolist. Pse Qazim Mulleti i shkroi Nolit pas vendosjes së sistemit monist?

Xhaxhai i shkroi Fan Nolit kur ishte në Itali aty nga viti 1946. Në atë kohë Enver Hoxha po përdorte Nolin por realisht miqtë e tij po i vriste dhe dënonte. Në një letër që e disponoj, xhaxhai i shkruante të reagonte pasi diktatori po shfaroste shokët e tyre dhe po ndërton një shtet terrorist. Qazim Mulleti është i pari që e përdori këtë shprehje dhe vërtet ashtu ndodhi me sistemin komunist.

Kush ishte Qazim Mulleti

Qazim Mulleti lindi në vitin 1895 në një familje tiranase. Pasi mbaroi Zosimenë në Janinë, kreu studimet e larta ushtarake në Gallatasaraj, Stamboll (Turqi), ku u dekorua me medalje ari, për të vijuar më pas dy vitet e fundit të studimeve në Vjenë.

Fare i ri ai ka shoqëruar patriotët e njohur në ngritjen e flamurit në Tiranë më 1912, ndërsa pak kohë më vonë u vu në krye të rinisë fanoliste. Qazim Mulleti ka qenë një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Më 1919-1920, tiranasi u bë komandant i forcave vullnetare në luftën kundër serbëve. Si delegat i zgjedhur në Kongresin e Lushnjës për 4 vjet ka qenë deputet në Parlament.

Në vitin 1924-1925 emërohet si prefekt i Matit. Pas Revolucionit të Qershorit dhe rimarrjes së pushtetit nga Zogu bashkë me 500 vullnetarë, Qazim Mulleti ikën në Vlorë, Bari, Zarë të Kroacisë për t’u vendosur në Vjenë. Në vitin 1931 bashkë me Ndokë Gjeloshin dhe Aziz Çamin i bëjnë atentat mbretit Zog në Operën e Vjenës.

Dënohet nga gjykata për këtë vepër me 6 muaj burg, ndërsa shokët e tij me burg të rëndë, duke u shpallur non grata në Austri. Qazimi shpërngulet në Francë ku bashkë me të vëllain hapin një hotel-restorant, duke u bërë njëkohësisht kryetar i shoqatës së emigrantëve jashtë shtetit.

Në muajin korrik të vitit 1939 disa muaj pas largimit të mbretit Zog, Qazim Mulleti kthehet nga emigrimi, ndërsa në Durrës e presin me dhjetëra njerëz të njohur. – “Tesheshi.com”.