Universitetet, emrat e fituesve të Fakultetit Ekonomik. MAS shpall listat paraprake

Publikohen emrat e fituesve në Universitete të raundit të dytë. Fakulteti Ekonomik ka qënë i pari, i cili ka publikuar emrat e fituesve në të gjitha degët.

Në Fakultetin Ekonomik janë shpallur fitues 931 kandidatë, por disa prej tyre kanë fituar më shumë se një degë. Burime të gazetës nga ky fakultet bëjnë me dije se janë 326 kandidatë të cilët kanë fituar më shumë se një degë dhe këto do të jenë kuota të lira pas raundit të dytë.

“Pas raundit të dytë të aplikimeve, janë shpallur 931 aplikime fitues. Ftojmë kandidatët fitues të bëjnë regjistrimet përkatëse në degën ku dëshirojnë duke respektuar afatet ligjore.  Ndërkohë, kandidatët jo fitues duhet të jenë shumë të vëmendshëm për fazat e mëtejshme pasi në Fakultetin e Ekonomisë, si rrjedhojë e formulës së ndjekur këtë vit për pranimet në IAL-të,  edhe nëse të gjithë aplikantët e shpallur fitues regjistrohen në degët e shpallura, përsëri mbeten 326 vende të paplotësuara,  duke qënë se aplikantët fitues janë shpallur fitues në dy apo më shumë degë”, – thotë Fakulteti Ekonomik.

Mundësitë

Pas raundit të parë, ku shumë maturantë ishin të pakënaqur për shkak se kishin mesatare të lartë por nuk iishin shpallur fitues, me raundin e dytë do të ketë ndryshim rrënjësor të listës. Shancet më të mëdha do t’i kenë maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë, por që kanë mesatare të lartë. Kjo do të jetë lista paraprake e fituesve, pasi lista përfundimtare e raundit të dytë, pritet të publikohet në datën 12 tetor. Më pas do të nisin regjistrimit e kandidatëve fitues nga data 12-16 tetor.

MAS

Drejtoreasha e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit Linda Pustina, tha dje në një dalje për mediat se studentët që do shpallen fitues do shpallen me ngjyrë jeshile.

“Maturantët duhet të jenë të qetë, pasi është një procedurë, e cila do të përsëritet si procedura e raundit të parë. Patjetër do të ketë më shumë maturantë që do të shpallen fitues më shumë se në një degë si në raundin e parë. Lista paraprake do të shpallet më datë 6. Ajo listë përfundimtare do të jetë lista që përdoret për raundin e dytë dhe në përfundim të raundit të dytë për të gjithë kuotat e mbetura bosh po e njëjta listë do të përdoret për të zbritur vizën. Nëse një studentë ka 4 degë ku është shpallur fitues do të shfaqen me jeshile, ndërsa degët ku nuk është shpallur fituese do të shpallen me të kuqe. Ndërkohë që studentë të tjerë regjistrohen dhe lirohen vende në degët e tjera, sistemi ka parashikuar që studentëve të tjerë të cilët nuk janë regjistruar ende për degët kur rezulton jo fitues dhe janë liruar kuotat, ky student mund të jetë fitues në fazën e zbritjes së vizës, studentit do t’i shfaqet me vijë të verdhë”- u shpreh Linda Pustina./ Report tv/

Lista e fituesve të Fakultetit Ekonomik