Shalsi: Rrezikonin të largoheshin kompanitë e riciklimit, ja pse e miratuam ligjin e mbetjeve

Kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, njëherësh deputeti i PS-së deklaroi se ligji i ri për mbetjet përcakton ndarjen e tyre në burim. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Shalsi theksoi se nevoja e ricikluesve çoi qeverinë para përgjegjësisë për të parë mundësinë e rishikimit të ligjit e më pas miratimin e tij.

Shalsi pohoi se nuk mund të ketë pastërti në vend pa industrinë e riciklimit, ndërsa shtoi se protesta për mbetjet nuk ishte negative. “Protesta për mbetjeje aspak negative. Ka një gjë të mirë që po ndodh këto kohë, pasi si asnjëherë më parë në këto 25 vite po flitet për menaxhimin e mbetjeve. Është e padrejtë që t’i thuash biznesit që çfarë keni bërë në këto vite. Disa individë që janë shfaqur, si ai rrugaç që u shfaq para zotit Besnik Bare. Nuk ishte fare normale reagimi i tij.”, tha Shalsi. Ai shtoi se para se ky ligj të miratohej Komisioni ka zhvilluar një sërë dëgjesash me përfaqësues të industrisë së riciklimit, të cilat parashtruan problematikat e veta në këtë sektor.

“Komisioni i Veprimtarive Prodhuese që unë kam fatin të drejtoj që prej 2013 ka marrë një numër të konsiderueshëm dëgjesash. Kemi bërë një sërë dëgjesash dhe një nga ato ka qenë me industrinë e riciklimit. Para 3-4 muajsh morëm indicie se shumë disa kompani riciklimi po zhvendoseshin. Ndaj ne ishim para një situate që të mbyllnim sytë apo të bënim ligjin”,- theksoi deputeti.