Partia Republikane: Të ndalohet me ligj trafikimi i deputetëve në Kuvend

REFORMA ZGJEDHORE/ Nënkryetari i PR-së: PS-PD po abuzojnë me afatet, për të dëmtuar partitë e vogla. Të ndërhyjnë ndërkombëtarët, ashtu siç bënë me drejtësinë

Kriza e institucionit të Parlamentit shqiptar e këtyre viteve ka ardhur si rezultat e shkeljes së parimit të barazisë së votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, e cila nuk ka krijuar një stabilitet dhe besueshmërinë në reformat e shpeshta zgjedhore. Për të kapërcyer këtë krizë alarmante të përfaqësimit të qytetarëve në parlament, për republikanët ka ardhur koha që të hartohet një ligj i cili do të mund të garantonte në radhë të parë, ndalimin e trafikimit të deputetëve brenda Parlamentit. Në kuadër të diskutimeve që sapo kanë nisur për reformën zgjedhore, në një intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetari i Partisë Republikane, Arian Madhi, jep alarmin se  nëse sot tentohet blerja e votave tek zgjedhësit, nga ku do të dalin deputetë të blerë, nesër do të na ndodhi një e keqe akoma më e madhe, ku sipas tij, do të ketë një zhvlerësim të votës së blerë tek qytetari, sepse do të konsumohen para’ për të blerë deputetët direkt në parlament. “Mjafton të blesh 3-4 apo 5 deputetë dhe të prishësh pastaj tërë konfigurimin e parlamentit shqiptar. Pra, ne na mungon një ligj, i cili do të mund të na garantonte në radhë të parë, ndalimin e trafikimit të deputetëve brenda parlamentit, që një deputet të mos shkojë për llogari të një force tjetër”,- shprehet Madhi. Ai thekson se afati 3- mujor i punimeve të komisionit është i pamjaftueshëm për të realizuar një reformë të gjithëpranueshme, pasi ajo do të zgjidhë vetëm disa çështje teknike, por jo ato thelbësore. Më tej, nënkryetari i republikanëve flet edhe mbi platformën e PR-së për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar ndryshimin e formulës së përllogaritjes së votave përmes korrektimit kombëtar.

Zoti Madhi, si e shikoni procesin e reformës zgjedhore që sapo ka nisur. A është e mjaftueshme periudha 3-mujore që ka vendosur Komisioni i Posaçëm parlamentar për ta realizuar të gjitha ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor?

Realisht, komisioni është mandatuar sy herë radhazi nga Kuvendi nga 3 muaj, por aktualisht komisioni nuk ka asnjë veprimtari në funksion të amendimeve, apo të gjetjeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Justifikimi i dy partive të mëdha për këtë realitet, është mbi justifikimin se kanë qenë të angazhuar në reformën në drejtësi. Sigurisht që, Parlamenti ka qenë dhe është i angazhuar për reformën në drejtësi, por parlamenti nuk do të mundet dhe nuk do të ishte e justifikueshme që të neglizhonte çdo nevojë tjetër të procesit legjislativ me të cilin është i ngarkuar parlamenti. Pra, kjo nuk e justifikon, por unë mendoj, dhe jam i bindur për sa shpreh që konsumimi i kohës ka qenë një praktikë e hershme e dy forcave të mëdha politike, e kryesisht tashmë, e maxhorancës, e cila nuk ka shprehur vullnet dhe nuk ka angazhuar asnjëherë kapacitetet e saj përfaqësuese në komisionin e reformës zgjedhore, me gjithë përpjekjet tona përmes thirrjeve që ajo reformë është po kaq e rëndësishme, ndoshta edhe më shumë e rëndësishme se reforma në drejtësi. Sepse nëpërmjet një reforme zgjedhore, nëpërmjet një kuadri ligjor zgjedhor të përshtatshëm, ne do të duhet të ngremë institucionin, apo organin themelor që është Parlamenti shqiptar, nga i cili tashmë burojnë edhe të gjitha pushtetet e tjera. Dhe nëse ne nuk do të kemi një reformë zgjedhore, do të thotë që eventualisht ne kemi bërë shërbimin më të keq edhe lidhur me garantimin e veprimtarisë së ardhshme, me besueshmëri të plotë të asaj reforme që është në drejtësi, dhe të gjithë institucioneve dhe organeve të drejtësisë. Unë mendoj që edhe koha e konsumuar deri më sot, dhe ajo që ka mbetur deri në fund të dhjetorit, është tërësisht e pamjaftueshme për ti dhënë zgjidhje sfidave që janë mjaft të rëndësishme. Dhe mesa duket ky ishte qëllimi, që të shkohej drejt një reforme, e cila do të reduktohej vetëm në disa ndryshime, të cilat janë të karakterit teknik dhe të parashikuara edhe në rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR-it.

Si e shihni çështjen e zbatimit të dekriminalizimit dhe implementimi i tij në Kodin e ri Zgjedhor?

Sigurisht, që ne nuk mund të përjashtojmë asnjë angazhim tonin dhe për të përfshirë në Kodin Zgjedhor dhe kërkesat e kriteret e dekriminalizimit, por gjithsesi do të mbetej shumë i pamjaftueshëm. Kriza e institucionit të Parlamentit shqiptar, mendoj se nuk ka ardhur për faktin se ka munguar apo jo një proces që është i domosdoshëm si ai dekriminalizimit, që të trajtohet në Kodin Zgjedhor. Por përtej kësaj është shkelja e parimit të barazisë së votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, ajo e cila nuk ka krijuar një stabilitet dhe besueshmërinë në reformën zgjedhore.

Jemi tek pjesa e pamundësisë së realizimit në kohë të reformës, por kemi përpara sërish një palë zgjedhje që do të mbahen së shpejti në Kolonjë, ndërkohë që sapo përfunduan zgjedhjet në Dibër. Konkretisht, cilat do të duhet të jenë pikat kryesore për të korrigjuar problemet e hasura në Dibër? Kam parasysh fenomenin e shit-blerjes së votave.

Nëse po më thoni atë se çfarë ka ndodhur në Dibër, apo se çfarë mund të ndodhë në Kolonjë, një gjë është e sigurt që Kodi Zgjedhor i ndryshuar nuk mund t’i paraprijë këtyre fenomeneve, pasi ne sapo kemi filluar të përcaktojmë agjendën, rendin e ditës së këtij komisioni, pra jemi në hapat e parë të trajtimit të kësaj çështjeje nga komisioni për reformën zgjedhore. Unë nuk besoj se këto probleme do të zgjidhen nëse do të shfrytëzohet në mënyrë abuzive koha deri në dhjetor, sigurisht, që unë do të thoja që kjo reformë nuk do ti jepte asnjë zgjidhje të asnjë çështjeje, të cilat e kanë futur në një shqetësim mjaft të madh shoqërinë shqiptare, e cila kërkon që të përfaqësohet në një parlament i cili ka dalë nga vota e zgjedhësve. Nga ana tjetër, po ju kujtoj që e tërë shoqëria civile është në unison për nevojën dhe agjendën e ndryshimeve prioritare të reformës zgjedhore. Agjendë që ka të bëjë me ndryshimet e predispozitave lidhur me shpërndarjen e mandateve, llogaritjen e mandateve, garantimin e përfaqësimit të vullnetit të deleguar nga populli tek deputetët, që të shmangen fenomenet e një trafiku jo më të blerjes së votës, por të blerjes së deputetëve në parlament. Dhe në bindjen time, nëse sot tentohet blerja e votave tek zgjedhësit, nga ku do të dalin deputetë të blerë, nesër do të na ndodhi një e keqe akoma më e madhe: do të ketë një zhvlerësim të votës së blerë tek qytetari, se do të konsumohen para’ për të blerë deputetët direkt në parlament. Mjafton të blesh 3-4 apo 5 deputetë dhe të prishësh pastaj tërë konfigurimin e parlamentit shqiptar. Pra, ne jemi para një emergjence të madhe kombëtare, e cila kërkon të ngrihet një institucion, një organ, një pushtet, mbi bazën e parimeve dhe kritereve kushtetuese. Pra, ne na mungon një ligj i cili do të mund të na garantonte në radhë të parë, ndalimin e trafikimit të deputetëve brenda Parlamentit, që një deputet të mos shkojë për llogari të një force tjetër. Sepse kjo do të thotë deformim i vullnetit të zgjedhësve, dhe në shifra matematikore kjo do të thotë: se nëse do të kishim një mazhorancë me 73 deputetë dhe nëse do të bliheshin 4 deputetë për llogari të minorancës atëherë, minoranca do të bëhej maxhorancë, pavarësisht vullnetit të popullit. Dhe alarmi i parë është që në ligj (Kodin Zgjedhor) të ndalohet rreptësisht ky lloj trafiku. Por ne po shkojmë drejt heshtjes për këtë çështje. Pra, po kërkojmë që të gjejmë një zgjidhje për problemin e shit-blerjes së votës, e cila është një lloj trafikim i vullnetit, dhe lejmë ende të pazgjidhur një çështje, e cila kërkon vetëm një dispozitë ligjore, që të ndalohet trafikimi në parlament. Kjo sigurisht është një paralajmërim tek dobësia e Kodit Zgjedhor  dhe kjo sigurisht do të kërkojë reagim të menjëhershëm të shoqërisë dhe do të kërkojë ndërhyrje përsëri në Kodin Zgjedhor dhe unë nuk e di realisht edhe sa dekada do të presim për të hartuar një ligj.

Ju si parti parlamentare përveç kësaj, do keni propozimet tuaja në komision?

Padyshim. Ne kemi përgatitur një platformë, e cila parashikon jo vetëm këtë çështje, por parashikon një sërë çështjesh. Shpresoj, por pak besoj, në vullnetin e dy partive politike, të cilat sot kanë autoritetin vendimmarrës në komision. Është rast unik Shqipëria, ku komisionet që ngrihen për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë edhe përfshirjen e shoqërisë civile, komandohen në sistemin bipartizan. Pra, është e pamjaftueshme që të votojnë dy partitë e mëdha, të cilat sigurisht, kanë shfaqur tendencat për të rritur privilegjet, dhe pjesa tjetër që diskriminohet nga këto politika që janë: të gjitha partitë e vogla dhe tërë shoqëria që kërkon një rregull në përputhje me standardet, kjo është në opozitë. Sepse, unë nuk e dëshiroj, por do të na ndodhë që platforma republikane, apo çdo platformë tjetër, do të neglizhohet trajtimi i tyre, duke mos dhënë asnjë argument, por duke e rrëzuar ndoshta të gjithë platformën në emër të asaj që: “Nuk kemi kohë”, por që unë besoj se mbrapa saj fshihet një qëllim tjetër, për të realizuar deformimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet e vitit 2013 e provuan deformimin, sepse dy partitë e mëdha morën respektivisht në mënyrë të pamerituar nga 6 deputetë secila prej tyre, që erdhën në parlament nga votat e forcave të tjera politike. Parë në këtë këndvështrim nuk do ti interesonte, as PD-së dhe as PS-së ta prishte këtë Status-Quo që kanë ato. Është e pafalshme dhe e pajustifikueshme që në parlamentin shqiptar ka deputetë që kanë dalë me 4 mijë vota dhe ka parti me 28 mijë vota në Shqipëri që nuk ka asnjë deputet. Ky është një disporporcion i pajustifikueshëm për asnjë shkak. Edhe në qoftë se janë vendosur nga dy partitë e mëdha formula, të cilat rrisin privilegjet e tyre, ne do të kërkojmë që ti themi Ndal formulës, jo të kërkojmë ndryshimin e sistemit.

Si do të ishte kjo formulë?

Ne themi që të gjitha votat e një partie politike mund të llogariten dhe të korrektohen në nivel kombëtar. Pra, mblidhen të gjitha votat e partisë, gjendet numri mesatar i votave për një deputet dhe më pas të bëhet shpërndarja e tyre për çdo parti. Pasi nëse do të lejojmë që në të gjitha qarqet të jetë përllogaritje e ndryshme e votave, atëherë të gjitha votat që teprojnë i marrin partitë e mëdha. Dhe ato kanë zgjedhur këtë formulë që shkon drejt diskriminimit të të gjitha partive të tjera politike.

Kujtoj para pak muajsh keni pasur një takim të të gjitha partive të vogla ku keni shpallur dhe një sërë kërkesash lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor. Cili është fati i atij takimi?

Ky takim i 45 partive të vogla është kurorëzuar me një material, i cili në këtë situatë emergjente zgjidhen disa probleme që kanë të bëjnë me standardet e zgjedhjeve, kushtetutën dhe parimet. Çështja është se sa vullnet do të kenë dy partitë e mëdha politike të hedhin vështrimin në këtë qëndrim që kanë jo vetëm partitë politike, por edhe vetë shoqëria civile. Për kujtesë: në prill të vitit 2012, të gjitha forcat politike në Shqipëri, përfshi PS e PD, ranë dakord të angazhohen dhe të nënshkruajnë një dokument të përbashkët që është nënshkruar nga të gjithë kryetarët e partive, dhe kanë marrë angazhimin: 1) Përfshirje si pjesë të rëndësishme dhe të domosdoshme të reformës zgjedhore ndryshimin e formulës së përllogaritjes së shpërndarjes së mandateve, duke e plotësuar atë me korrektimin e votave në shkallë kombëtare, ose që do t’i jepte zgjidhje ndarjes së mandateve që kanë marrë konkurruesit në proporcion me to; 2) uljen e pragut elektoral. Pra, këtë e kanë bërë në mënyrë publike, kanë identifikuar problematikën dhe kanë thënë “Po” – duhet ta zgjidhim këtë çështje. Nga viti 2012 dhe deri sot në 2016-ën, kjo çështje ende nuk është futur në agjendën e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Ju do të ushtroni ndonjë presion që kjo çështje të zgjidhet?

Pa dyshim që po. Presioni jonë do të jetë deri në masën kur merr zgjidhje, sepse siç ju thashë, ne kemi një kufizim kohor për nga mënyra se si voton parlamenti. Pra, është e mjaftueshme që për një reformë zgjedhore të votojë PS-ja e PD-ja, të tjerat pastaj, edhe nëse votojnë kundër, nuk do të merret për bazë vota e tyre. Pra, e kanë minimizuar votën e të gjitha partive të tjera. Pra ne më shumë bëjmë thirrje ndaj opinionit publik, dhe kryesisht opinioni ndërkombëtar duhet të marrë rolin drejt një misioni që të ndërtojmë një Kod Zgjedhor, i cili përmbush të gjithë standardet e kërkuara. Me keqardhje mund t’ju them që roli i faktorit ndërkombëtar këtu, qoftë i kancelarive të përfaqësuara në Tiranë përmes ambasadave, apo të organizmave si OSBE, ka qenë minimal, ka qenë i tërhequr, dhe jo në një rol aktiv. Një rol aktiv i cili do ta sillte shoqërinë shqiptare dhe kryesisht faktorin politik drejt zgjidhjeve të gjithëpranuara. Atë që faktori ndërkombëtar e bëri për reformën në drejtësi, duke bërë që 140 deputetë të bien bashkë dakord për një reformë, duhet akoma më shumë të bëjë bashkë të gjithë faktorin shqiptar për të pranuar një reformë zgjedhore.

somario

“Po kërkojmë që të gjejmë një zgjidhje për problemin e shit-blerjes së votës, e cila është një lloj trafikim i vullnetit, dhe lejmë ende të pazgjidhur një çështje, e cila kërkon vetëm një dispozitë ligjore, që të ndalohet trafikimi në Parlament”