Paloka: Në PD askush nuk përjashtohet për mendimet

Flet për “Koha Jonë”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka: Jemi me qytetarët në protestë. Të ndarë na do vetëm Edi Rama

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partia Demokratike do të jetë sot në protestë kundër ligjit të importit të mbetjeve. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka thotë në një intervistë për “Koha Jonë” debatet për ta ndarë protestën nuk i shërbejnë qëllimit të saj. “Debate boshe siç janë nxitur në raste të tjera, se e kujt është kauza e këtyre apo e atyre, e shoqërisë civile apo e politikës, i shërbejnë vetëm dështimit të kësaj kauze dhe kush i fryn kërkon vetëm që kjo betejë të dështojë pa filluar”. Paloka komenton dhe qëndrimin e PD-së, e cila kërkoi ndjesë për ligjin e vitit 2011. “Tek ky qëndrim dhe reflektim nuk u arrit papritur e pakujtuar, përkundrazi edhe në grupin parlamentar ka pasur një diskutim e analizë të gjatë e të thelluar. Ne kemi bindjen se ky ligj, por dhe lejimi i importit të mbetjeve në Shqipëri i shërben mafies dhe është kundër interesit të qytetarëve shqiptare. Këtë qëndrim ne e konkretizuam dhe e paraqitëm të detajuar në kërkesën e paraqitur në Parlament për referendum”. Paloka flet dhe për debatet dhe kritikat ndaj Bashës brenda PD-së pas humbjes së zgjedhjeve. Lidhur me masat që mund të merren ndaj kritikuesve, Paloka thotë se në PD askush nuk do të përjashtohet për mendimin ndryshe.

Paloka, ligji për importin e mbetjeve në vitin 2011 u pranua nga PD-ja se ishte një gabim. Në fillim dëgjuam deklaratën e z.Basha e më pas pendesën e z.Berisha. Pse duket sikur PS-ja dhe PD-ja kanë ndryshuar rolet, për mbetjet. A rrezikon PD-ja që kur të jetë një ditë në pushtet të ndryshojë sërish mendim?

Është e vërtetë që ka një ndryshim qëndrimi edhe në pozicionin e PD-së, i shpjeguar tashmë dhe i argumentuar nga dy personazhe kryesore të PD-së; ish-Kryeministri Berisha dhe Kryetari i PD-së, Basha. Tek ky qëndrim dhe reflektim nuk u arrit papritur e pakujtuar, përkundrazi edhe në grupin parlamentar ka pasur një diskutim e analizë të gjatë e të thelluar. Si përfundim, me dy fjalë ne kemi bindjen se ky ligj, por dhe lejimi i importit të mbetjeve në Shqipëri i shërben mafies dhe është kundër interesit të qytetarëve shqiptare. Këtë qëndrim ne e konkretizuam dhe e paraqitëm të detajuar në kërkesën e paraqitur në Parlament për referendum. Kjo kërkesë i jep përgjigje dhe pyetjes tjetër. Vendimi i marrë nga ne është jo vetëm për sot, por i përhershëm. Për këtë kërkojmë dhe referendumin, në mënyrë që edhe nesër, asnjë qeveri apo Parlament të mos ketë fuqi ta ndryshoj këtë vendim pa pyetur popullin.

Ben Blushi deklaroi dje në media se nëse deputetët e PD-së do kishin qëndruar në sallë në datën 22 shtator, ligji nuk do të kishte kaluar, pasi mori vetëm 63 vota të maxhorancës, duke aluduar për një marrëveshje të fshehtë. Si kryetar i grupit parlamentar, si i shpjegoni këto komente?

Aludimet e Blushit në rastin më të mirë vijnë nga mungesa e informacionit. Maxhoranca i kishte votat dhe kuorumin për të zhvilluar procesin e votimit, pra në sallë ishin të pranishëm mbi 71 deputetë të maxhorancës dhe kjo verifikohet lehtë nga votat për prezencën, por dhe nga votat e maxhorancës për ligjin e votuar pas ligjit të plehrave. Në asnjë rast ne si opozitë nuk mund të kalonim në numër 63 vota që rezultuan nga maxhoranca, pa i hyrë fare lojërave që kjo maxhorancë i bën sa herë nuk i cenohet shumica, ku ca bëjnë sikur abstenojnë e ca votojnë kundër po pa cenuar asnjëherë numrin e votave që ju duhet për miratimin e ligjit. Vota jonë edhe në  këtë rast, si në shumicën e rasteve, kishte vlerë politike dhe jo numerike. Sidoqoftë Blushi dhe kushdo tjetër kanë rastin, të bashkojnë votën me ne kur të votohet për referendumin në Parlament.

PD ka deklaruar zyrtarisht qëndrimin e saj pro kauzës së shoqërisë civile për mbetjet. Konkretisht, cili do të jetë roli i PD-së, do të thërrasë protesta dhe do jetë në krye të aksionit apo do ndjek rrjedhën e aktiviteteve të shoqërisë civile?

Në fakt PD ka shprehur qëndrimin e saj, qëndrim, të cilit ne do i dalim zot. Në këtë rast ne jemi bashkë me të gjithë ata që kanë të njëjtën kauzë; shoqëri civile apo qytetarë të lirë të këtij vendi. Thënë kjo, debate boshe siç janë nxitur në raste të tjera, se e kujt është kauza e këtyre apo e atyre, e shoqërisë civile apo e politikës, i shërbejnë vetëm dështimit të kësaj kauze dhe kush i fryn kërkon vetëm që kjo betejë të dështojë pa filluar. Kjo kauzë është tepër e rëndësishme dhe betejën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë ne se duam ta fitojmë. Të ndarë për përfitime dhe interesa të vogla na do vetëm Rama dhe plehrat.

Pas humbjes në Dibër ka disa deputetë në PD që kanë lëshuar kritika të ashpra ndaj Bashës dhe modelit që po ndjek opozita. Sa e dëmtojnë kritikat opozitën e sotme?

Asnjëherë kritikat dhe debatet që shërbejnë për rregullimin e gabimeve dhe zgjidhjen e problemeve nuk bëjnë dëm, përkundrazi. Zgjedhjet në Dibër i pa i madh e i vogël që ishin shembulli më i fundit se kjo qeveri e ky kryeministër nuk mund të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Jo vetëm opozita, por dhe mediat faktuan qartazi se në Dibër votat për “Rilindjen” u morën me të gjitha mënyrat kriminale që përmban repertori i dhunimit të vullnetit të lirë të qytetarëve; shantazh, dhunë dhe blerje e votës nga mafia e kanabisit dhe shtetit të mafies. Ai që deklaroi se fajin për humbjen e PD-së e kishte Lul Basha dhe vetë PD, ishte Rama.

A keni menduar të merreni masa ndëshkuese sipas statutit për ata që kanë dalë kundër linjës politike të PD?

As nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë ndonjëherë që të përjashtohet kush nga PD-ja për mendimet e tij!

Pas Dibrës testi i radhës janë zgjedhjet në Kolonjë. Çfarë do të rregullojë PD-ja në qëndrimet e saj në këtë fushatë të pjesshme?

Unë mendoj që në Dibër, PD ishte superiore në çdo aspekt ndaj kundërshtarëve; me kandidatin, platformën, mënyrën e zhvillimit të fushatës, punës së strukturës, organizimit deri ditën e zgjedhjeve, besueshmërisë dhe frymës që krijoi. Nëse ju me korrigjim nënkuptoni që ne të mbledhim banda dhe të shpërndajmë para për blerjen e votave siç bën Rama, kjo nuk do të ndodh.

Mbeten dhe më pak se 10 muaj nga zgjedhjet  e përgjithshme. Reforma zgjedhore nuk ka përfunduar. Çdo ditë bëni akuza për kartele droge, lidhje të politikës me mafia, korrupsion galopant etj. Në këtë situatë, cila është strategjia dhe programi i PD-së?

Sigurisht kjo është një nga situatat më dramatike për demokracinë në Shqipëri dhe përgjigjen për zgjidhjen e kësaj situate e ka dhënë z.Basha; aleanca me qytetarin dhe përballja deri në sakrificë është e vetmja zgjidhje.