Basha përballë makthit trevjeçar

Nga Skënder Minxhozi/Në harkun e tre ditëve, Lulzim Basha duket se është kapur fort pas zhurmës së ligjit për mbetjet, për të bërë diçka që s’kishte guxuar ta bënte që nga dita e parë që ka hyrë në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike: të kërkonte ndjesë për gabimet e paraardhësit të tij. Pas deklaratës së parë, që ligji i mbetjeve i qeverisë Berisha ishte një gabim, të premten Basha ka bërë një tjetër deklaratë, e cila ngërthen një gamë më të gjerë sesa debati mbi plehrat. Me më shumë se tre vjet vonesë nga vera e vitit 2013, ai pranoi se PD ka bërë gabime në qeverisje dhe se ato kanë qenë pjesë e shkaqeve që e çuan në opozitë të djathtën. “Kemi bërë gabimet tona që i kanë kushtuar interesit publik. Gabime që padyshim patën rolin e tyre në rotacionin politik të vitit 2013. Duhet të jemi krenar për çfarë arritëm, por kokëulur, zemërhapur, t’i themi shqiptarëve, po kemi gabuar, kemi reflektuar, le të shkojmë përpara. Çdo ndjesë duhet të jetë e sinqertë dhe në funksion të një aleance të re me qytetarin shqiptar”, u shpreh Basha para politikanëve të rinj demokratë, duke shënuar kështu në rekordet e deklaratave të tij publike, të parën deklaratë të qartë ku pranohen gabimet dhe kërkohet ndjesë për atë që ndodhi gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha dhe të tijën, si ish-ministër e zyrtar i lartë i PD.

Lulzim Basha është ngacmuar shumë këto tre vjet, sidomos në muajt e parë pas kalimit në opozitë, që të bëjë, nga pozicioni i kryetarit të ri të Partisë Demokratike, një analizë të sinqertë dhe objektive të humbjes së rëndë elektorale të vitit 2013. Ai ka premtuar fillimisht se do ta bëjë këtë gjë, më pas ka thënë se partia po e bën analizën e humbjes në strukturat e saj, por kur gara mes tij dhe Sokol Olldashit kishte marrë fund dhe kur qeveria e majtë nisi nga puna, analiza në fjalë u arshivua dhe vendin e saj e zuri retorika e përditshme kundër qeverisësve të rinj.

Fakti që kryetari Basha shprehet, qoftë edhe me vonesë dhe në mënyrë të ndrojtur, rreth gabimeve që ka lënë pas trashëgimia politike e qeverisjes Berisha, është diçka pozitive. Sidomos për një kryetar që është akuzuar e shpotitur qindra herë në media dhe në jetën politike, për dobësinë dhe pamundësinë e reagimit ndaj hijes së rëndë të Berishës. Duke u shprehur se demokratët duhet të ulin kokën dhe me zemër të hapur të pranojnë se kanë gabuar, Basha bën një mea culpa të vonuar dhe të pjesshme. Por më mirë vonë, se kurrë. Më mirë pak, se aspak!

Duke e vonuar kërkesën e ndjesës për zgjedhjet e humbura, si dhe duke ja veshur atë (ashtu si dhe ndjesa për ligjin e mbetjeve), një debati të ndezur që po zhvillohet për riciklimin në politikën shqiptare, Lulzim Basha e ka relativizuar në ekstrem peshën dhe vlerën e autokritikës së tij publike. Për më tepër, që kundërshtarët e tij nuk vonuan t’i kujtojnë atij akuzat e reja dhe të vjetra, për të cilat kreu i PD ka mbajtur qëndrime të thata refuzuese.

Arsyeja e këtij reflektimi gradual të kreut të opozitës për qeverisjen e shkuar, duket se kalon përmes nevojës së ndërtimit sa më parë të një profili sa më të ndarë nga Berisha. Rezultati i Dibrës dhe preokupimi për zgjedhjet që po afrojnë, kanë pasur tek Lulzim Basha formën e një zileje alarmi. Vetëm dhjetë muaj nga zgjedhjet, ai duhet të ndërtojë një program politik dhe një ekip që ta përçojë programin tek votuesit. Por para se të bëjë të gjitha këto, Lulzim Bashës i duhet ende të luftojë me më të madhen e tabuve të tij, që nga dita e parë që ka hyrë në politikë: pavarësinë nga Sali Berisha.

Marrëdhënia e Bashës me Berishën në dekadën e fundit, ka qenë përcaktuese në mënyrën sesi ai e ka ndërtuar dhe formësuar karrierën e vet politike. Por në verën e ardhshme, në rast humbjeje të zgjedhjeve, do të jetë kryetari, e jo ish-kryetari, që mund të kryqëzohet për humbjen e rradhës. E cila mund të jetë dhe e fundit për Lulzim Bashën. Në këtë mënyrë, duket se kryetari i PD po përpiqet të ndërtojë me sa mundet llogoren e tij elektorale, duke i vënë më së pari një gardh sado të brishtë trashëgimisë hijerëndë të Berishës.

Basha e di se kredibiliteti dhe fuqia e tij si lider në verën e ardhshme, qëndron edhe në aftësinë e tij për të mos qenë më një “zgjatim” politik i Berishës. Dhe afrimi i zgjedhjeve e bën edhe më urgjente këtë nevojë divorci me të shkuarën e tij. Që ka qenë dhe është në fakt edhe makthi i tij më i keq i këtyre tre viteve. (Javanews.al)