Nano polemizon me Stefanin dhe Zhejin për Ramën e Berishën

Në Zululandin e sotëm, Nano (pa asnjë të ftuar) u mor fillimisht me dukurinë e fact-checking-ut, dhe për ilustrim kish kapur reagimin e shtypit pas debatit presidencial në SHBA.

Më tej, Nano iu përgjigj dy kolegëve të tij, Andrea Stefanit e Artur Zhejit, të cilët kanë patur një debat në distancë ose me njëri tjetrin, ose me Nanon.

Ai kishte veçuar një pasazh të shkrimit të Stefanit, ku ky i fundit thoshte se Nano, me apelin që u bën socialistëve për të larguar Ramën, po çon ujë në mullirirn e Berishës. “Unë nuk jam anti berishist”, tha Nano qysh në fillim. Dhe më poshtë vijoi duke thënë në thelb se ishte kundër abuzimit me pushtetin, dhe prandaj, askush nuk duhet të shqetësohej që ai ishte kritik me kryeministrin, përkundrazi, do duhej të shqetësoheshin, nëse ai nuk do të ishte kritik, sepse kështu do t’i binte të ishte thjesht anti berishist.”

Në fund, i drejtohet Andreas me këtë fjalë: “Ne të dy Andrea jemi të parët që kemi të drejtë të jemi kritikë më këtë qeveri. Askush më shumë se ne nuk e ka këtë të drejtë. Sepse ne e kemi votuar atë. Dhe e kemi mbështetur gjatë kohës që ishin në opozitë.”

Së dyti, Nano foli për një kontrast midis këndshikimit të tij e të Zhejit, edhe pse ndodhen që të dy në të njëjtat frekuenca në këtë moment. “Zheji dhe unë jemi kritikë ndaj kryeministrit Rama, madje Zheji më shumë e më parë se unë, por kam frikë se ai e ka me Ramën, ndërsa unë e kam me kryeministrin”, tha ai.

Më poshtë ai foli për një kut të ndryshëm, gjë që e bënte atë të mendonte se Zheji e ka me Ramën personalisht, ndërsa unë e kam me praktika të caktuara korruptive e abuzive. “Po të ishte ndryshe, po të ishte se Zheji do ta kishte me drejtimin abuziv të vendit, do ta kishte ngritur zërin po kaq fort edhe në kohët kur qeveriste Berisha. Madje, do duhej ta kishte ngritur më fort, pasi në kohën e tij u vranë nga garda e republikës së tij katër vetë në bulevard. Mirëpo, Zheji atë kohë ka heshtur, ose ka mbështetur kryeministrin.”