Orlin: Dinjiteti njerëzor, ja çfarë u mungon shqiptarëve!

Flet presidenti i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që mbahet në Akademinë dhe multimedian Marubi,  Theodor S. Orlin, jurist ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, që ndjek prej 20 vitesh festivalin dhe ka krijuar një mendim mbi shoqërinë shqiptare. “Njerëzit kanë smartfona, telefona, kompjuterë dhe kanë më shumë informacion se sa kanë pasur më parë. Por sërish unë mendoj që ka diçka që mungon. Vlerat mbi të cilat qytetërimi duhet të ndërtohet… Vlera që dinjiteti njerëzor është një nevojë universale dhe me të drejtat individuale kemi detyra ndaj vetes dhe komunitetit sigurisht”.

***

Çfarë e provokon sot një shoqëri, në një rast si ky i festivalit të të drejtave të njeriut që po mbahet këto ditë në Akademinë “Marubi”? 

Prej 11 vitesh që organizohet ky festival janë konsideruar mjaft tematika, ku secila ka marrë rëndësinë e saj. Kështu për shembull, vitin e kaluar ne u përqendruam te tematika e korrupsionit, dhe vite më parë ne u morëm me diskriminimin gjinor… Por më herët dhe në vite të tjera jemi marrë me të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuar… Në të gjithë botën ka probleme të të drejtave të njeriut dhe ne, patjetër duhet t’i vëmë në fokus të gjitha këto probleme që janë sot. Këtë vit për shkak të krizës në Lindjen e Mesme dhe në Europë, tematika, apo pika kryesore është vendosur te migracioni. Problemi i krizës së emigracionit dhe azilkërkuesve është një problem si në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri.

Shpesh është pyetur, pse përfshihet  Shqipëria në hartën e azilkërkuesve…Është diskutuar se njerëzit nga lindja kanë luftë dhe kanë një arsye të fuqishme të emigrojnë. Pse Shqipëria në këtë hartë?

Në një farë mënyre ky është një kompliment për Shqipërinë, sepse këta njerëz që emigrojnë përballen me vështirësi shumë të mëdha në vendin e tyre deri te vdekja. Edhe pse Shqipëria mendohet si një vend i qetë dhe i sigurt sërish këta njerëz kanë nevojë të gjejnë një shtëpi.

Dhe historikisht ka prova për këtë. Në vitin 1999 Shqipëria hapi dyert e saj për miliona emigrantë sidomos në çështjen e Kosovës. Edhe gjatë luftës botërore Shqipëria njihet si një nga vendet që ka mbrojtur çifutët në ato kohë nga nazistët dhe persekutimi. Kështu që vendi juaj Shqipëria ka një reputacion shumë të mirë në momentin që merret me njerëz që janë rrezik.

Por në të njëjtën kohë dhe shumë shqiptarë të cilët kanë emigruar në vende të tjera.

Pas krizës së firmave piramidale në vitin 1997 mijëra shqiptarë fluturuan përgjatë Europës. Kanë qenë veta ata që i hipën anijeve dhe emigruan në vende që i quanin të sigurta, kështu që ata e kuptojnë shumë mirë. Si edhe çështja e diasporës shqiptare ka njohur shumë shqiptarë në Angli apo në Amerikë etj. Shumë refugjatë Kosovarë kanë gjetur azil, kanë gjetur shtëpi në Zvicër dhe tani jetojnë gjenerata të tëra në këtë shtet si dhe vende të tjera në Europë. Dhe prapë se prapë mbajnë një lidhje shumë të fortë me vendin e tyre. Kështu që kombi shqiptar është më i madh se sa shteti shqiptar. Kështu që Shqipëria është në një pozicion shumë të mirë për të marrë emigrantët, e kupton problemin sepse është eksperienca juaj.

Për këtë festival ka një program, por si janë përzgjedhur këta filma? Ka përballje, ka tabu, ndalime që vijnë në Shqipëri?

Nuk ka tabu, nuk ka ndalime. Zgjedhja e filmave bëhet nga një komision që drejtohet nga profesor Kujtim Çashku. Në çdo vit mbi 3 mijë filma pranohen për analizë, vlerësim që mbërrijnë nga e gjithë bota dhe ne duhet të zgjedhim vetëm 40 prej tyre. Kjo do të thotë që ata të përpiqen që të sjellin tematika që janë të rëndësishme që shqiptarët t’i kuptojnë. Kështu për shembull në festival këtë vit ne kemi një film nga Sudani që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi, i cili do të paraqitet në Parlament. Dhe ne e dimë që reforma në drejtësi është një pikë e nxehtë tani në Shqipëri. Kemi zgjedhur një film që ka kuptim për kulturën shqiptare, për njerëzit shqiptarë dhe për qeverinë, vendin tuaj.

A mund ta konsiderojmë politik këtë festival?

Në një mënyrë po dhe jo. Jo në një kuptim sepse ne nuk zgjedhim një parti politike mbi tjetrën. Por gjithçka në politikë merret me gjithçka tjetër në jetë. Dhe nëse do të merresh me deklaratën universale të të drejtave të njeriut duhet patjetër të marrësh parasysh dhe aspektin politik. Dhe shpresojmë që eksperienca nëpërmjet shikimit të një filmi dhe nëpërmjet regjisorëve dhe autorëve do t’i bëjë njerëzit që të mendojnë për problemet, dhe të formojnë opinionet e tyre për pozicionin e Shqipërisë, ai i cili duhet të jetë. Në hyrjen që kam shkruar për katalogun që është dhe on line dhe mund të lexohet, kam shkruar që të jetë e qartë që njerëzit që vijnë nga vendet e rajonit dhe sidomos rajoni shqiptar, diaspora shqiptare të mendojnë për problemet dhe të shikojnë qasjen e tyre ndaj problemeve të të gjithëve së bashku. Për shembull nxënësit e shkollave, të gjimnazeve ose në universitete që duan të mësojnë për këto probleme, duhet të jenë më të interesuar kur të shikojnë “koka” që flasin në televizion, që bërtasin me njëri-tjetrin atëherë do t’i kuptojnë më mirë problemet; nëse njerëzit me njëri-tjetrin debatojnë me nxehtësi, apo do të jetë më mirë t’i kuptojmë problemet të sjellë nga artistë e autorë që të prekin, jo vetëm mendjen, por dhe zemrën. Mund të jap shumë shembuj në historinë e botës që filmat, por jo vetëm filmat por dhe librat, letërsia, të prekin më mirë, më thellë problemet e botës. Për këtë arsye ftojmë dhe njerëzit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga  Shkodra për shembull që është shumë afër dhe mund të vijnë shumë lehtë në festival për të parë filmat; të vijnë dhe të marrin pjesë. Hyrja është e lirë në festival. Në një kinema mund të paguash shumë para për të parë filmat, ndërsa në këtë festival vjen dhe shikon mbi 40 filma, pa para, dhe kjo është gjë shumë e mirë. Ju i shikoni sa të bukura janë këto mjedise, ju mund të qëndroni këtu te kjo bahçe që ka akademia “Marubi”, të ndani birrat bashkë, të dëgjoni muzikë. Por dhe të 45 filmat janë të përkthyer në shqip, kanë dhe titrat në anglisht gjithashtu. Është një mundësi që njerëzit të shikojnë filmat nga e gjithë bota në gjuhën e tyre.

Sa mundësi të tilla janë këtu në Shqipëri?

Kjo është e veçantë. Unë kam mbi 20 vet që vij në Shqipëri dhe e kuptoj shumë mirë që njerëzit nuk duan të lënë qendrën dhe të vijnë deri këtu në Kinostudio, por ka njerëz që vijnë nga e gjithë bota, ka filma që vijnë nga gjithë bota dhe ju nuk mund të bëni një udhëtim që është kaq i shkurtër dhe të hyni për të parë dokumentarët që janë falas! Inkurajoj më shumë të rinjtë, të heqin dorë nga shqetësimet që kanë për muzikën rep ose gjëra të tilla dhe të zbulojnë se çfarë po ndodh tjetër në botë.

Dukeni pak i dëshpëruar nga ndonjë eksperiencë që ky festival ka shumë pak audiencë?

Në fakt kemi pasur pjesëmarrës shumë të mirë, por çështja është që ka mbi 1 milionë njerëz në Tiranë dhe kështu që ne po nxjerrim filma në dy vende, jashtë dhe brenda, dhe ndonjëherë të gjitha vendet janë të zëna, por sërish mund të improvizohet për të pasur vend. Dhe kur takoj njerëz herë të tjera më thonë nuk  e dija që ishte ky festival i filmit. Ja pse po bëhet dhe kjo që të nxirret mesazhi dhe janë të gjithë të mirëpritur.

Ju thatë që keni më shumë se 20 vjet që vini në Shqipëri, çfarë mendoni për shqiptarët për gjithë këtë tranzicion që ju siç duket e keni shoqëruar?

Herën e parë ka qenë në vitin 1992. Dhe më bënte shumë përshtypje numri i njerëzve që bënin drogë te Lana dhe numri i deleve në mes të qytetit. Tani pas 24 viteve më vonë Tirana është një kryeqytet europian, kanë ndodhur shumë ndryshime, por në të njëjtën kohë duhet të ketë dhe më shumë. Njerëzit kanë smartfona, telefona, kompjuterë dhe kanë më shumë informacion se sa kanë pasur më parë. Por sërish unë mendoj që ka diçka që mungon. Vlerat mbi të cilat qytetërimi duhet të ndërtohet. Vlera që dinjiteti njerëzor është një nevojë universale dhe me të drejtat individuale kemi detyra ndaj vetes dhe komunitetit sigurisht. Dhe shumë shpesh njerëzit duke menduar vetëm për suksesin e tyre dhe të familjes së tyre i harrojnë këto vlera. Me këtë ka të bëjë festivali, këtë ka për të thënë. Mund t’i mbani të gjitha këto, makinat, smartfonat etj., por duhen kuptuar vlerat.- Mapo.