Ligji i plehrave/ Në gusht Qeveria kundër Shalsit, në shtator e miraton !

Zbardhet dokumenti i Kryeministrisë/ Në muajin gusht, Qeveria deklaron se vendi rrezikon të kthehet në magazinë gjigante mbetjesh të importuara.

 Ligji i plehrave, Qeveria

pranon se janë me rrezik  

Sot Kryeministri Rama dhe qeveria janë pro importit të mbetjeve, por një muaj më parë ishte qeveria që kundërshtonte ligjin e propozuar nga deputetët, Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni. Një dokument i Këshillit të Ministrave që flet për rrezikun e mbetjeve në Shqipëri hedh poshtë qëndrimin e mbajtur këto ditë nga Kryeministri në mbrojtje të ligjit për importin e mbetjeve. Fushata e qeverisë pro plehrave të huaja në vend nisi pas miratimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar te mbetjeve” të ndryshuar” më datën 22 shtator në Kuvend. Ndërkohë rreth 50 ditë më parë, në muajin gusht qeveria, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij kanë qenë kundër këtij ligji. Dokumenti i datës 3 gusht, i miratuar dhe nga kryeministri Edi Rama, paraqet e bardha mbi të zezë qëndrimin e kundërt të qeverisë brenda pak ditëve për të njëjtën çështje.

Ja çfarë shkruhet dokumentin e Qeverisë: “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e ekspertëve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin milion kg mbetje të importuara shtesë.

Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.

Konkretisht dy janë pikat kryesore ku qeveria shpreh rezervat e saj për këtë ligj. Pika e parë ka të bëjë me mungesën e kontratave serioze mes kompanive vendase dhe atyre të huaja që do riciklojnë mbetjet dhe atyre që do i blejnë. Gjë që do të thotë, se pasi kanë ardhur mijëra tonë mbetje dhe janë përpunuar nga fabrikat në Shqipëri, rrezikohet që materialin e ricikluar të mos e blejë njëri. Pra, malli stoko mund të mbetet në Shqipëri, pasi nuk ka kontrata që garantojnë shitjen. Fjala mall është një term ekonomik, pasi në vend do të mbeten tonelata me plehra që nuk mund të kalojnë në asnjë dogane të vendi tjetër, por zgjidhja është groposja ose djegie.

Ky proces nuk quhet më riciklim, por kthimi i vendit në kosh plehrash. Problemi tjetër është se në rast se nuk garantohet tregu është shumë e vështirë që një kompani e huaj të marrë përsipër tregtimin e tyre. Kjo për faktin se tregu i huaj nuk pranon as produktet ushqimore bio që vijnë nga Shqipëri. Cili është ai vend që do të marrë plehra të përpunuara nga Shqipëria? Asnjë nuk e merr përsipër.

Por ajo që është më e rëndësishme dhe e drejtë në vërejtjet e qeverisë ka të bëjë me kapacitete  e kompanive. Është e vërtetë që këto kompani me drejtues shqiptar mund të kenë hedhur rreth 200 milionë euro investim, por është po kaq e vërtetë që ndërsa kërkojmë importin e mbetjeve nga vendet e tjera, nuk kemi pastruar ende mbetjet këtu te ne. Dokumenti i qeverisë sjellë dhe shifra që thotë 83 për qind e plehrave në vend nuk riciklohen.

Kur biznesi nuk ka arritur të zgjidh problemin këtu, me çfarë logjike ekonomike kërkohet të zgjerohet tregu duke marrë mbeturina nga jashtë? Duke pasur parasysh faktin se tregu për shitjen e mbetjeve të ricikluara që do vijnë nga jashtë nuk është i garantuar, por edhe faktin 83 përqind e plehrave në vend nuk përpunohen, ligji i ri rrezikon ta kthej Shqipërinë në një kosh të madh plehrash.

Problemi është se Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave janë në dijeni të kësaj situate. Madje dhe e kanë konfirmuar vetë në dokumentin e muajit gusht të këtij viti. Ajo që nuk kuptohet është se përse në muajin shator ndërruan mendje dhe votuan ligjin. Sot Rama çdo ditë del në media dhe Facebook dhe kërkon tu mbush mendjen qytetarëve për rëndësinë e ligjit. Në fakt, argumentet kundër për ligjin i ka dhënë vetë Kryeministri Edi Rama në dokumentin sekret që botohet sot.

Si ka mundësi që e njëjta qeveri brenda një muaji, në fillim thotë “jo” për ligjin e mbetjeve dhe shkruan për rreziqet e tij, pas një muaji ndërron mendje? Çfarë ndryshoi në pak ditë? Thelbi i ligjit? Jo, është pothuaj i njëjti projekt i gushtit të këtij viti.

Duket se kryeministri Rama ka mbetur shah-mat nga të tijtë dhe po sorollatet tashmë të dalë nga qorrsokaku ku e futën njërëzit e tij, por nuk del dot. Ka përballë një det 9 ballësh që po vjen drejt ditëve në vazhdim, ku “anijet e plehrave” do mbyten në këtë det me dallgë të shoqerisë civile.

Edi Rama bën gabim që tregohet kokëfortë në një ligj që nuk e ka jetën e gjatë, pasi shoqeria civile nuk do tërhiqet, ndaj kryeministri po merr barrë të rëndë mbi supe, 9 muaj para zgjedhjeve.

Qamil Xhani

km

Më 3 gusht 2016, qeveria shpreh zyrtarisht mendimin e saj për draftin. Në kopjen e dokumentit zyrtar  thuhet se qeveria e mbështet parimisht atë për arsyen e vetme se nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.

Por nga ana tjetër, kjo shkresë që mban emrin e kryeministrit Edi Rama dhe e firmosur në mungesë dhe me porosi të tij nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, pranon rreziqet që ka ky ligj. Rreziqet kanë të bëjnë së pari me ekzistencën e mundësisë që në Shqipëri të mblidhen mijëra kilogramë plehra. Së dyti, qeveria pranon po ashtu se përpara se të vendoset importi, duhet parë mundësia e rritjes së kapacitetit përpunues të mbetjeve vendase. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 17 % e mbetjeve tona arrijnë të riciklohen në vend. Kjo sasi përbën afro 30 % të nevojës që ka industria ricikluese. Thënë më thjesht, shifrat e dhëna nga qeveria, provojnë se industria ricikluese mund t’i plotësonte nevojat e saj vetëm me mbetjet urbane që gjeneron Shqipëria.

 “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e ekspertëve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin milion kg mbetje të importuara shtesë.

Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83 % e mbetjeve është në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.

Kjo është ajo çfarë thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave. Por një muaj më pas qeveria do të vendoste pro importit të mbetjeve, pavarësisht konstatimeve që e bëjnë të panevojshëm ardhjen e miliona kilogramëve plehra nga jashtë. Aq më tepër kur Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të kontrolluar se ç’lloj mbetjesh do të hyjnë në vend.

Dokumenti zyrtar pranon se në Shqipëri përpunohen vetëm 65 milionë e 743 mijë e 870 kilogramë mbetje. Ndërsa pjesa tjetër prej 302 milionë e 984 mijë e 780 kilogramësh mbetje nuk arrin të përpunohet. Kjo është një ndër pyetjet që i është drejtuar këto ditë kryeministrit Edi Rama nga qytetarë të shumtë që po organizohen në protesta masive kundër tij: përse nuk riciklon mbetjet që gjeneron vendi përpara se të sjellë në Shqipëri mijëra tonelata plehra të vendeve të tjera?

Si ndryshoi kryeministri në raport me plehrat?

Bujar Kapexhiu është kapluar këto ditë nga një krijimtari e paparë që kur kryeministri ka lërpirë gjithçka që ka pështyrë kundër ligjit të importit të plehrave. I bindur ndoshta se kujtimi i mashtrimeve, përballja e argumentave serioze, debati racioanal mbi atë që ka premtuiar dhe atë që po bën është tashmë i pabukë, karikaturisti ka vendosur të komunikojë me kryeministrin vetëm përmes humorit. Prandaj ai është përfshirë nga një prodhimtari jo e zakontë.