Botohen për herë të parë poezitë e Teodor Laços

 Në 80-vjetorin e lindjes “zbulojmë” talentin “e fshehur” të shkrimtarit të madh

Nga Halil RAMA/Teodor Laço, me korpusin e tij letrar, që përfshin mëse 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe.

Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.

Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, nga labirintet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.

Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqendrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit.

Gjen në këtë cikël tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet ” O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”

Në tërësinë e tij, ky cikël  (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

Këto risi të poezisë së tij mund t’i dalloni më së miri në ciklin që përzgjodhëm për botim në këtë nr. të gazetës prestigjioze “KOHA JONË”, të cilën Laço e vlerëson, jo vetëm për larminë tematike të botimeve, por edhe për cilësinë e produktivitetin e tyre.

KUJTIME PËR KOHË TË SHKUARA DHE NOSTALGJI RINIE

Teodor Laço ka filluar të botojë që prej viteve ‘60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ‘90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ‘94-‘97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse.

Shkrimtari, dramaturgu, skenaristi, dhe politikani Teodor Laço (29 shtator 1939) pas disa ditësh feston 80- vjetorin e lindjes.  Në këtë përvjetor të tetëdhjetë, ai sjell ndërmend kujtime, kohë të shkuara dhe nostalgji rinie, punë dhe përpjekje mes njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, prej të cilëve (siç shprehet ai me modesti), një pjesë të mbeten bashkudhëtarë dhe plot të tjerë, kanë kohë që kanë shkuar nga kjo botë duke lënë pas kujtimet.

Por për një shkrimtar tetëdhjetë vjeçar, jeta dhe bota, fare mirë mund të vijnë edhe përmes letërsisë së shkruar dhe botuar ndër vite, si një dritare e së shkuarës dhe të tashmes.

Ai u lind dhe u rrit në Dardhë të Korçës. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë; “në fshatin tim malor,- do shkruaj në një tregim,- netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë. Gjithësia e hap gjirin në një tejdukshmëri të ndritshme dhe atëherë, etja të duket më pranë së kurrë me hënën e madhe që lëviz si mbi një lundër në detin e errët të kreshtës mbi korijen e Shën Pjetrit, me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.

VEPRA LETRARE E LAÇOS NË TRI DIMENSIONE

Në letërsinë e Laços lëvrijnë pafundësisht vajza dhe gra, studente dhe gjeologe, agronome dhe fshatare, mjeke dhe artiste. Të dashuruara dhe fatkeqe. Me dramë të jashtëzakonshme si partizania e plagosur që përdhunohet prej Demos, deri edhe e vdekur, apo me fund të lumtur si Ana, tek tregimi me një antagonizëm dashuror të jashtëzakonshëm kur njeriu provon ta zgjojë atë tek vetvetja e harruar dhe e fjetur, apo “Ngrohtësia e të tjerëve”.

Në veprat poetike e prozaike, dramaturgjike apo studimore të Laços ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe me dramaticitet drithërues, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Siç është shprehur shkrimtari Andon Andoni  “vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione, të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli”.

 

BOX

Mesazh i z.Teodor Laço: “Koha Jonë” nxiton të kapë “kohën e humbur”

 

Faleminderit “Koha Jonë”

Zotit Nikoll LESI,

Ishte një përkim i këndshëm që tri nga gazetat, që ende lëvrojnë letërsinë dhe sidomos poezinë, gjejnë vend për këto “thërrime” të thesit tim poetik, i cili ndoshta do të mbetej nëpër dorëshkrime.

-Gazeta “Koha Jonë”, e para gazetë opozitare, me kontribut të jashtëzakonshëm dhe konkurruese e denjë në tregun mediatik,  duket sikur nxiton të kapë kohën e humbur me ajkën e letërsisë shqipe, por edhe me poetë të rinj, në suplementet dhe faqet e saj letrare.

I falënderoj dhe i uroj përzemërsisht!

-“Nacional”, sepse është e vetmja gazetë që i përkushtohet letërsisë dhe poezisë – sepse gara është e hapur në të gjitha trevat shqiptare, me një përkujdesje shembullore të botuesit të saj, mikut tim Mujë Buçpapaj, i cili më kujton fillimet e viteve ‘80-të, kur një tufë poetësh, zëra të rinj poetik derdhën frymëzimin e tyre, veçanërisht nga tre burime: Tropoja – farefisi Buçpapaj, Hamit Aliaj e të tjerë; Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Agim Isaku nga Lezha; Petrit Ruka, Ilirirjan Zhupa, Qazim Shemja nga Tepelena, “provincialë”, por që më vonë u bënë autorë të njohur të letërsisë dhe gazetarisë.

Nostalgjia zgjon kujtime të bukura, por dhe të dhimbshme! Ç’të thuash për djaloshin me fat dredharak, Ilir Balliu, i çmuar fillimisht tepër lart nga brezi i tij dhe që më vonë u harrua në gërxhet e Dajtit?!

-“Gazeta Shqiptare” me suplementin letrar të Ben Andonit, rreket të flasë me gjuhën e modernitetit poetik dhe kritik, e vetëdijshme se “Milosao” ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.

Dhe sërish “Nacional” që vazhdon të kërkojë mineral nga bjeshkët, atje ku është miniera e arit

Urime dhe gazetave të tjera që kujtohen se ka edhe poezi!

 

 

POEZI NGA TEODOR LAÇO

Pendim

Kur zë e ngryset dita e përhime

dhe nisin të përgjumen plot vegime

ca mllefe, ca inate, ca metime;

Një tog me hi, një mal zhgënjime

Filloj i flas e vras vetveten time.

Pse rashë pre e kotësisë

e kohëhumbjes, rastësisë

e rrethit mëkatar të prapësisë

ku plot shtriganë të babëzisë

Shtrëngojnë lakun e fatkeqësisë?

Kur zë e ngryset dita e përhime

filloji i flas e vras vetveten time….

                                                              20.3.1998

                                                           (Kafe “Fan Noli”)

 

FUNDSHEKULLI SHQIPTAR

Tymtarët e krimit

vjellin shtëllunga…

qiell i mbyllur, i blozët

hedh shira blozë.

Tymtarët e kartës

brerojnë breshër rrenash

tymtarët e gojës

cipën e ndrangur hedhin…

Fundshekulli shqiptar

ceremonial pambarim

i kortezhit të shpresave…..

                                                11.12.1999.

 

 

MOTIV LASGUSHIAN

                              –MIRJANËS-

Më trokite prej së largu

me një degëz dashurie

miturisht e çmendurisht

më vjen natën si një hije.

Grua je a lozonjare

kërkon prehje apo halle

qofsh çapkëne apo manare

ti më vdiqe, ti më ngjalle.

                                  11.12.1999.

 

MOS IA MËSONI EMRIN

Në qoftë se do të më kenë vrarë,

Vrasësin larg mos e kërkoni,

nëpër pyjet, rrugët, kafenetë

që aq shumë i kam dashur…….

Në qoftë se do të më kenë vrarë,

vrasësin kërkojeni brenda dhomës sime

me një dritare grilambyllur,

me një shtrat të madh për dy vetë

nën një jastëk të pazhubrosur,

me një kasetë të Hulio Iglesias

tangoja “Kaminito addios”

dhe një tjetër e një amatori korçar

ku ka një këngë për një grua që lëngon.

Vrasësi im ka disa emra

pasaportat i ndërron sipas ditëve

kurse netëve ka vetëm një emër….

Miqtë e mij, emrin mos ia mësoni

Ju dua, nuk do t’ua tregoj kurrë.

                                                             3.1.1998.

TRISHTIMI I IKJES

U zgjua atë ditë

Ish ditë e qullur

xhamat lotonin

kaktuse gjembathyer

Trëndafili vyshkej.

Zërat e dashur shuheshin

nëpër fletë të zverdhura

kurse zogjtë e gëzimit

cicëronin grykëmbytur.

U zgjua atë ditë

ish ditë e qullur

dhe befas e kuptoi.

Jeta kishte ikur…

                                            21.2.1995

I K J ET

O Zot, ç’e hodhe këtë epidemi?

Jetoj të shoh braktisjen, arratinë

“S’bëhet ky vend, ka mallkim

larg të ikim, pa mall, pa kthim”

Përbrenda zjej, shaj e bërtas

askujt një fjalë nuk mund t’i flas

Se do më quajnë të lig, të marrë

dhe shpresëvrasës e ziliqar……

                                                               Maj 1998

 

Nata e dytë në Berat

U shua hëna që u ndez mbrëmë

Çdo gjë u zhyt ne qetësi

Nga gjithë fjalët që më ke thënë

Njërën e dua ta kem gjithnjë

“Të dua shumë, tjetër nuk di”.

Ku shkoi magjia që kisha mbrëmë

Misteri i ëmbël që po më tret?

Nga gjithë fjalët që të kam thënë

Vetëm një dua ta dish gjithnjë

“Të dua shumë, tjetër nuk di”.

 

LUHACOVICE

Moravia jugore

qytezë e fshehtë

botë ceke, vetëm ceke

Këtu të gjitha ndjenjat

lindin e vdesin brenda ditës

shpejt, su drymemarrja.

                                           Luhacovicë 27.10.1998

KAFENETË E TIRANËS

Kioska, kafene

kryqëzime kryefjalësh

kryeqendra kryeqyteti

         .    .      .

Pagat në pus

Çmimet në qiell

raca e çuditshme

shtyn ditën,

vret kohën

kafeneve.

   .    .    .

Edhe një kafe e pimë

një “koka”, një çaj

Bajmë fjalë

qeveria të rrëzohet

duhet të bjerë

qeveri e mjerë!

    .     .    .

nga kioskat ryeza

qeverisim më mirë

pak kryeministër

pak president

   lumi i nxori në breg

  ne lundrojmë në pritje

  me turmën!

    .     .   .

Kioska kafene

kryqëzime kryefjalësh

kryeqendra kryeqyteti.

                                                15.5.1998

GJENERALËT PENSIONISTË

-Ah, çfarë kukulle, psherëtiu gjenerali

gishti i madh bëri shenjën e asit

-E mirë Mona, po s’është e jona

ia priti gjenerali tjetër

dhe, sytë kafshuan vithet e femrës.

Dy gjeneralët kishin fituar beteja

me armiq të shpikur dhe femra reale

pushtues, ngadhënjyes, lavdishkruar

që nga yjet e togerit gjer tek të gjeneralit.

Por kishte zbritur koha e humbjeve

nëpër presidiume shoqatash me emra buçitës

që të kujtonin qitjet e topave

rrekeshin ta dëbonin vdekjen e lavdinë…

U shfaq kjo femër e kolme me minifund

shpina e zhveshur, veluar me tyl

gjoksi provokues me jakën e hapur

dhe ata e kuptuan…..përkohësisht

s’u mbetej më asgjë për të pushtuar.

                                     Lisbonë, 21 tetor 1998.

L a k u

Mbi ju që lakun m’a shtrënguat

Në ditën time të vështirë

Po hedh përbuzjen e mëshirës

Dhe emrin e vetëm – faqenxirë!

Mëshira i ka hije veç të fortit

Krenarit të vetmuar, zog i qiejve

Që ngrihet e flatron mbi klithje e gjak

Dhe që nuk sheh zhabat zhytur në batak.

Mbi ju që lakun ma liruat

Në orën time të vështirë

Po hedh shkulmat e zemrës dlirë

Pa stepje, lehtësisht porsi fëmijë.

 

ZEMËRIMI

 

O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi

I lidhur në prangat e durimit!

Në mokrat e dhëmbëve bluaj qindra fjalë

Në zgavrat e dhembjes shuaj afsh të valë.

Po zjen në zemër zemërimi i zi

Përplaset, platitet e zjen përsëri.

Me muzgun muroset i mugët si murg

Me agun agohet i ashpër si gur.

Dhe prapë duron e hesht i pagojë

Ky shkëmb ku koha bën ç’të dojë……..

Dardhë, 31.7.1979.