BLENDI KLOSI: DIALOGU NDËRFETAR NË SHQIPËRI

Nga Blendi Klosi.

Tema që prekim sot, në këtë takim ndërkombëtar, më lejoni ta shpreh, është cështje krenarie kombëtare për ne. Ndoshta jemi nga vendet e pakta në botë ku bashkëjetesa fetare dhe dialogu mes besimtarëve  të përkatësive të ndryshme ka qenë e mbetet shembullor . Shqiperia, ky vend i vogël, në zemër të Ballkanit të trazuar historikisht, ku ndërthuren në mënyrë harmonioze pesë besime fetare, nuk ka njohur kurrë, në rrjedhën e historisë, konflikte fetare dhe kjo në sajë të pjekurisë dhe bujarisë së karakterit të këtij populli, por edhe të rolit paqëdashës të klerit shqiptar.

Përpara se të pasurojmë këtë panel me vijën shekullore të  ndërfetare të jetuar nga shqiptarët, le të kuptojmë cfarë do të thotë “Dialog Ndërfetar”. Vetë fjala  ka përcjellë në vetvete mesazhin e kesaj shprehjeje, duke u identifikuar në një marrëdhënie ndërveprimi mes personave e grupeve të besimeve të ndryshme duke cuar në mirëkuptimin, pasurimin ideor dhe respektin reciprok. Kjo do të thotë që besimtarët, duke i mbetur besnikë fesë së tyre të përkatësisë, respektojnë njëkohësisht  shprehjen  lirisht të feve të tjera.

“Dialogu ndërfetar” nuk është e nuk mund të mbetet vetëm  një fjalë apo një nocion utopik. Ai përfshin sfera të jetës të lidhura drejpërdrejt apo tërthorazi me besimin, shtrin efektin e tij në shtresa të ndryshme të shoqërisë, në mjedise formale e jo. Njerëz të feve të ndryshme ndajnë e përballojnë bashkë vështirësitë e jetës, ndajnë gëzimet, bëhen pjesë e aktive e jetës socio-ekonomike, politike, kulturore.

Dikur, ekzistonte një lloj ndarje gjeografike e feve; secila dominonte një nga rajonet e botës, nën një formë gati “monopoli”. Me kohët moderne, vetë fetë nuk mbetën statike. Ato iu përshtatën në njëfarë mënyre migrimeve të popullsive dhe ndryshimeve socio –ekonomike dhe demografike që ato sollën. Me miliona njerëz në botë janë fryt  i ndërthurjeve të racave e feve të ndryshme dhe “Dialogu fetar” për ta nuk është thjesht  një konsideratë  teorike, por merr karakter vital, praktikohet në jetën e përditshme në mënyrë  spontane e me natyralizëm.

Cilat janë kushtet e një “Dialogu të mundshëm fetar”?

1) Thjeshtësia e përulësia, jo të kuptuara si inferioritet ndaj fesë tjetër, por si mjet për të dëgjuar e shkëmbyer idetë, jo si një akt i thjeshtë etik i moskundërshtimit të tjetrit, por si një eksperiencë e rrahje mendimesh  teologjike e shpirtërore.

2) Mbrojtja e identitetit fetar që ekuilibron të parën, nëpërmjet të cilës shprehet këndvështrimi i bazuar në përkatësinë fetare, pa lënë mënjanë ballafaqimin e ideve.

Paul Tillich, një teolog e filozof i shquar ka thënë “Dialogu fetar është një union dialektik i pranimit dhe kundërshtimit”.

3) Thellimi i cështjeve që diskutohen, për të mos ndaluar në sipërfaqe por për të reflektuar e kuptuar thelbin e ekzistencës së tyre.

Janë këto parime, që ndër shekuj, ndoshta të panjohura e të pashpjeguara në këtë formë teorike, por të aplikuara në jetën e përditshme, nga njerëzit e thjeshtë, nga persona të të njëjtës familje, fisi, krahine, për t’u shtrirë më tej, në të gjithë trojet shqiptare, që kanë sjellë këtë klimë paqeje konstruktive që ne përjetojmë sot. Është falë pjekurisë, durimit, dashamirësisë, inteligjencës së popullit shqiptar e të krerëve të tij të kultit që ne të mund ulemi sot, krah për krah njëri-tjetrit, vëllezër të feve të ndryshme.

Por përse “Dialogu fetar” në Shqipëri, merr vlera e ngjyra të vecanta?

Ky Dialog është fryt i një procesi të gjatë konsolidimi, përmes vështirësive të historisë. Ky Dialog  ka qenë gjithmonë ngushtësisht i lidhur me fatet e kombit. Shqipëria ka qenë skenë e luftrave dhe ndikimeve të huaja, por hegjemonizmi për fenë, nuk është njohur. Përpara cështjeve thelbësore  kombëtare, kur vendimarrja ishte vitale, fetarë e laikë,besimtarë e ateistë,  myslimanë e të krishterë, intelektualë e drejtues shpirtërorë, kanë gjetur  gjuhën e përbashkët e të matur.

Vetë shteti shqiptar, krahas sakrificave të shumëllojshme, është fryt edhe i kësaj bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare. Sepse, mes përfaqësuesve kryesorë që na dhuruan neve shtetin që gëzojmë sot, ishin edhe prijësit kryesorë fetarë të besimeve të ndryshme, apo edhe intelektualët e kohës me përkatësi të ndryshme fetare.

Ata ishin krah njëri-tjetrit, të shqetësuar e të vendosur, në Kuvendin e Fanit, në mbledhjen e Kimzës, qenë Luigj Gurakuqi, Ismail bej Vlora, Shefqet Dajiu që ulur këmbëkryq, hartuan Deklaratën për  Shpalljes e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se, dialogu kërkon përpjekje dhe vullnet. E ndërkohë, modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të vullnetit dhe të kulturës së shoqërisë shqiptare. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar e forcuar duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.

“Dialogu ndërfetar” është pjesë e pandarë e shoqërisë së sotme shqiptarë, në përballjen e problemeve socio-ekonomike, arsimore, ideologjike dhe kulturore. Frutet  i këtij Dialogu  janë kontribut për gjithë shoqërinë shqiptare.

Zhvillimet  ndërkombëtare, me rreziqet ekstremizmit të dhunshëm, në vendin tonë hasi me barrierën e ngritur mbi themelet e e një fronti unik multifetar, i cili  nuk i dha terren keqinterpretimeve fetare, dhe për rrjedhojë izoloi menjëherë rastet e pakta të shfaqjes.

Unë sapo kam ardhur një aktivitet i vetëm pak ditëve më parë ne Asisi, të Italisë, ku pata privilegjin të përfaqësoj Shqipërinë dhe të sjellë shembullin e bashkëjetësës fetare  në Shqipëri,  nën   dritën   e   ngjarjeve   të   sotme   në  skenën ndërkombëtare,    kur  panorama  globale  paraqitet  e  ndërlikuar   dhe   komplekse.

Pavarësisht shembullit të treguar në të gjithë botën, se në këtë vend të vogël ka një vlerë të madhe të bashkëjetësës fetare, ne jemi të angazhuar plotësisht të mbetemi sa më larg ndikimeve të ekstremizmit.

Shqiperia, eshte e angazhuar ne luften kunder radikalizmit. Falë edhe këtij angazhimi,  ka me pak luftetare ne Siri e Irak,  duke e reduktuar numrin en zero 2 vitet e fundit.  Sfida e madhe eshte qe ta konkurojme oferten e erret ekstremiste me oferten tone per projekte per bashkejetesen fetare dhe e pergatitjen e te rinjve per te perballuar presionet ekstremiste. Alternativa jone eshte oferta jone e re per arsimin profesional, duke i ofruar  cdo te riu nje axhende dhe nje narrative per te ardhmen . Edukimi dhe punesimi i rinise, e ardhmja e rinise eshte ajo qe i paraprin ndalimit te ekstremizmit te dhunshem.   Jemi te vemendshme duke investuar shume tek rinia ne menyre qe te parandalojme cdo shfaqje te ekstremizmit te dhundshem.

Nje nga prioritetet tona eshte qe mireqenia sociale e njerezve te luftoje ekstremizmin.

Ne kete kuader po diskutohet mundesia qe ne Shqiperi te ngrihet qendra rajonale kunder ekstremizmit te dhundshme. Ajo qe duhet bere kujdes eshte qe pasojat e sulmeve terroriste te mos i vuajne emigrantet e pafajshem.

Sfida është ta ruajmë dhe promojmë sa më shumë bashkëjetesën fetare.

Fryt i dialogut ndërfetar janë aktivitetet e përbashkëta për paqen, iniciativat e ndërmarra në mbrojtje të shtresave në nevojë apo bisedat e hapura drejtuar të rinjve. Janë pikërisht këta të fundit, me përkatësi të ndryshme besimi, protagonistë të paneleve ku diskutohet hapur e me pjekuri, për të gjetur pikëtakimet e ngjashme të veprimit në plani teologjik.

Këto iniciativa vazhdojnë të hedhin një bazë edhe më solide, në themelet e Dialogut të së nesërmes sepse kjo është pasuria më e cmuar që duhet të trashëgojmë ndër breza. Por kjo duhet të na shtyjë më tej, që nën shembullin e mencurisë dhe bujarisë shekullore t’iu mësojmë të rinjve artin e dialogut e të dëgjuarit, në rrugën e progresit të vërtetë moral e civil.

Unë besoj se “Dialogu Ndërfetar është i domosdoshëm  sot dhe hapi i parë për vendosjen e tij është respekti dhe stimulimi reciprok i shoqëruar me përpjekjet e përbashkëta në rrugën e së drejtës.

Harmonia, bashkëjetesa dhe respekti ekziston në shpirtin e çdo besimi fetar, dhe unë mendoj se shqiptarët e kanë kuptuar drejt këtë aspekt të fesë duke e demonstruar më së miri prej shekujsh, për t’ua trashëguar brezave si një vlerë, tashmë të njësuar me vlerat kombëtare.