Boçi: 20 mijë maturantë të braktisur, të kthehet sistemi meritë-preferencë

Pas 20 ditëve terrori psikologjik dhe padrejtësish, rreth 20 mijë maturante janë sot edhe njëherë të braktisur nga Edi Rama, deklaroi sot Partia Demokratike.

Nëpërmjet kreut të departamentit të Arsimit në PD, deputeti Luciano Boci, pohoi se:”Pas përfundimit të fazës së parë, mijëra maturantë me rezultate të shkëlqyera janë në pritje të tepricave, sepse kështu iu tek një ditë Edi Ramës dhe Linditës së tij,- tha Boçi.

“Të tradhtuar, të lënduar, të nëpërkëmbur, edhe pse për 3 vite studiuan dhe shumë prej tyre morën rezultatet maksimale, me mesatare mbi 9. Do  të aplikojne përsëri në raundin e dytë, u thotë qeveria, me 10 preferenca te tjera, që t’i mashtroje përsëri nga e para. Fakti që në raundin e parë u regjistruan vetëm 23% e maturanteve, dëshmon se modeli ka dështuar, ministria ka dështuar, Rama ka dështuar”, shtoi ai.

Në emër të PD-së, Boci deklaroi se janë në mbështetje të idesë të vetv maturantëve, që të rikthehet sistemi meritë-preferencë. “Maturantët sot nuk duan thjesht një diplomë, apo një të drejte studimi çfarëdo. Kjo ndërhyrje brutale dhe shkatërrimtare e qeverisë, është e papranueshme. Partia Demokratike kërkon dhe një herë me forcë rikthimin e meritës dhe të preferencës. Ne jemi në krah të maturantëve dhe të gatshëm të japim të gjithë mbështetjen tonë për cdo rast padrejtësie”, tha ai.

Ne i bëjmë thirrje dhe i inkurajojmë maturantët të rezistojnë e të kërkojnë deri në fund të drejtën e tyre, theksoi Boçi. “Ajo është e drejta e tyre e merituar, e fituar me mund e talent, dhe nuk mund të nëpërkëmbet e as të tjetërsohet nga asnjë qeveri”.