PD prezanton amendamentet për draftin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë 

PD prezantoi në komisionin parlamentar të Reformës në Drejtësi amendamentet e saj për Projektligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Ai është një nga ligjet më të rëndësishme zbatuese të Amendamenteve Kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe ka si qëllim përcaktimin e rregullave mbi organizimin dhe funksionimin e katër organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Opozita i paraqiti këto amendamente, pasi projektligji në fjalë është hartuar pa prezencën e saj në komision dhe versioni që i është përcjellë Kuvendit nuk është konsultuar me ekspertët e opozitës.

Sipas PD, projektligji ka bërë deformim në mënyrë flagrante të sistemit të emërimeve të përcaktuar nga Kushtetuta për anëtarët e jashtëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e shndërruar atë nga një sistem që përfshin ekskluzivisht në përzgjedhje vetëm Kuvendin dhe organet e tij të brendshme, në një sistem bashkëpunimi në emërim, që e ndërthurë veprimtarinë e Kuvendit me propozimin nga organe të jashtme, të paparashikuara nga Kushtetuta.

Po ashtu, PD-ja thekson se projektligji përmban parashikime që janë të papranueshme për statusin dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës, por edhe bie ndesh me nenin 179 të Kushtetutës.