Fillon stërvitja e përbashkët e koduar “Joint Effort-16”

Filloi sot stërvitja e përbashkët “Joint Effort-16”, e cila do të zhvillohet në vendin tonë nga data 19-29 shtator 2016 . Kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO-n në 10 vitet e fundit. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është rritja e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe kapaciteteve operacionale të shtabeve dhe njësive të FA në procesin e planëzimit dhe ekzekutimit të operacioneve luftarake në mjedis të përbashkët (JOINT) dhe multinacional, në nivel taktik dhe operativ.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte zëvëndësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, atashetë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse në stërvitje të akredituar në vendin tonë si dhe komandantët e forcave dhe drejtorë drejtorish në Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Fjalën e hapjes e mbajti komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, i cili nënvizoi: “Është kënaqësia ime t’ju adresoj sot ju në këtë event kaq të rëndësishëm siç është fillimi i stërvitjes “Joint Effort 2016”. Si fillim do të doja t’ju uroja mirëseardhjen përfaqësuesve të Italisë, Kosovës, Malit të Zi, Britanisë së Madhe dhe SHBA. Jam i sigurt se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të përmirësuar aftësitë tona luftuese si edhe të ndajmë eksperiencat tona dhe praktikat më të mira të trajnimit me njëri-tjetrin. Në të njëjtën kohë ky është një shans i mirë për t’u njohur me njëri tjetrin, rreth historisë dhe kulturës tonë dhe të shijoni sa më tepër të mundeni mikpritjen tonë”.

Në fjalën e tij, zv.ministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi, pasi falenderoi të pranishmit në këtë ceremoni u shpreh: “Sot bashkarisht nisim stërvitjen “Joint Effort-16”, evenimentin më të rëndësishëm stërvitor të FA. Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të zbatimeve të detyrimeve të planit të aktiviteteve kryesore të FA për vitin 2016. Qëllimi i stërvitjes ‘Joint Effort-16’ është thellimi i njohurive dhe përmirësimi i mëtejshëm i njësive dhe komandantëve të njësive të FA dhe partnerëve ndërkombëtarë në planëzim dhe ekzekutim të operacioneve ushtarke me spekter të plotë, si pjesë e task-forcës së bashkuar të NATO-s me theks në nivelin taktik dhe operacional”. Sipas z. Koçi, planifikimi dhe ekzekutimi i stërvitjes së përbashkët rrit njohuritë, mësimet dhe kompetencën e njësive dhe drejtuesve të pjesmarrës, sidomos në nivel taktik aplikimi i doktrinës dhe procedurave NATO në të gjitha fazat e stërvitjes.

“Ky është një bashkëpunim konkret me përfitim të përbashkët midis vendeve pjesmarrëse. Ne e dimë se jetojmë në një botë të trazuar dhe sfidat e të ardhmes përballohen më me sukses dhe mes aleatësh të cilët para së gjithash kemi punuar dhe derdhur djersë në poligonet e stërvitjes”, tha zv.ministri i Mbrojtjes. Në fund të fjalës së tij z. Koçi u shpreh se duhet të konsiderojmë rolin e SHBA dhe Mbretësisë së Bashkuar, parë dhe në kontekstin e zhvillimeve brenda BE.

Stërvitja e Përbashkët e koduar “Joint Effort-16” do të zhvillohet nga data 19-29 shtator 2016, në rajonet: Garnizoni “Skënderbej”, Zall-Herr,Bizë, Kepi i Palit,Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë. Kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO-n në 10 vitet e fundit. Në Stërvitjen “Joint Effort-16” marrin pjesë 1500 trupa nga Shtabin i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda Mbështetëse dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe trupa dhe mjete ushtarake të Forcave të Armatosura nga SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova dhe Mali i Zi.