Demarkacioni me Malin e Zi, Ymeri-Kurti takim në Tiranë

Krerët e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe Albin Kurti do të marrin pjesë të martën në një takim publik të organizuar në Tiranë.

Takime të ngjashme liderët e Vetëvendosjes kanë mbajtur edhe në Prishtinë, pas tërheqjes së qeverisë së Kosovës nga marrëveshja me Malin e Zi për vijën e demarkacionit.

Burime nga kjo parti bëjnë të ditur se takimi do të mbahet në sallën e UNESCO-s, në Muzeun Kombëtar.

Prej më shumë se një viti Vetëvendosja është angazhuar në protesta të shumta popullore, për të mbrojtur, siç thotë ajo, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Aktivitetet e kësaj lëvizjeje, që prej kohësh sulmon politikat e qeverisë së Kosovës, kulmuan me protestën e 1 shtatorit në Prishtinë.