Zgjedhjet për kreun e LSI. Ja kush kandidon përballë Metës

Lëvizja Socialiste për Integrim në 6 nëntor të këtij viti do të zhvillojë zgjedhjet për kryetar. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, pas mbledhjes së kryesisë.

Rama theksoi se kandidatët kanë afat për tu regjistruar deri më 30 shtator,. Deri tani kreu aktual i LSI-së ka konfirmuar kandidaturën, ndërsa përballë tij do të jetë Shezai Rrokaj, i cili aktualisht mban postin e kreut të LSI-së në Tiranë.

“U vendos që zgjedh për kryetar të mbahen në të gjithë territorin e Shqipërisë më 6 nëntor 2016. Mbledhja gjithashtu rikonfirmoi vendimin që këto zgjedhje do të zhvillohen me pjesmarrjen e të gjithë anëtarëve, me respektimin e parimit 1 anëtar 1 votë. Deri më 30 shtator është afati për regjistrimin e kandidaturave për kryetar të LSI-së. Në këtë mbledhje kryetari i LSI, Ilir Meta konfirmoi kandidaturën për kryetar, edhe anëtari i kryesisë Shezai Rrokaj, i cili aktualisht është kryetar i LSI-së dega Tiranë, shpalli kandidaturën”, deklaroi Rama.

Deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama:

Dua t’ju bëj të ditur që në këtë mbledhje të Kryesisë së LSI-së u vendos që zgjedhjet për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mbahen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ditën e diel në 6 nëntor 2016.

Mbledhja gjithashtu rikonfirmoi edhe njëherë vendimin që këto zgjedhje do të zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LSI-së në të gjithë vendin duke respektuar me rigorozitet atë që tashmë është një vlerë e konsoliduar në Lëvizjen Socialiste për Integrim, që ka të bëjë me respektimin parimit një  anëtar, një votë.

Kryesia vendosi që deri më datën 30 shtator 2016 të jetë afati i regjistrimit të kandidaturave për kryetar të LSI-së mbi bazën e respektimit të parimeve dhe të kritereve që janë vendosur për këtë gjë dhe që miratoi Kryesia.

Në këtë mbledhje të Kryesisë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim konfirmoi kandidaturën për kryetar të LSI-së.

Ndërkaq, edhe anëtari i Kryesisë, njëkohësisht Kryetar i LSI-së së Tiranës, Prof. Shezai Rrokaj shpalli kandidaturën për Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Duke e konsideruar këtë fazë të zhvillimit politik, strukturor dhe organizativ të LSI një moment shumë të rëndësishëm për konfirmimin e vlerave që ka krijuar Lëvizja Socialiste për Integrim, por më shumë se për kaq.

Për ridimensioniomin e rolit të saj në përballimin e sfidave politike të së ardhmes nga selia qendrore e LSI-së ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit, votuesit e LSI-së të bëhen pjesë e diskutimit, pjesë e debatit, pjesë e fushatës së zgjedhjeve, duke ofruar kontributet, alternativat, propozimet, mendimet dhe vlerësimet e tyre për gjithçka ka të bëjë me mënyrën e funksionimit dhe të organizimit të LSI-së, prej Konventës së zhvilluar katër vjet më parë e deri më sot, dhe të jenë gjithashtu pjesë e debatit dhe diskutimit për të parë me sy realist dhe kritik platformat, alternativat që do të ofrojnë kandidatët në garën për kryetar.

Deri më 30 shtator është e hapur fushat e regjistrimit dhe ftoj cilindo tjetër që dëshiron të bëhet pjesë e garës për kryetar të paraqitet pranë strukturave organizative të LSI-së për të bërë regjistrimin si kandidat për kryetar i LSI-së.

Nga ky çast e në ditët në vazhdim ne do të jemi në kontakt dhe do t’iu informojmë herë pas here për gjithçka ka të bëjë me zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve në mënyrë të veçantë për garën për kryetar të LSI-së”.