Shezai Rrokaj: Pse vendosa të kandidoj përballë Metës (VIDEO)

Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Sheazi Rrokaj shpalli sot kandidaturën për kryetar të LSI-së, përballë kreut aktual, Ilir Meta.

Në një prononcim për mediat, Rrokaj ka shpjeguar dhe arsyet se përse vendosi të kandidojë:

“Ju e dini shumë mirë që unë vij nga shoqëria civile. Gjithmonë kam punuar që LSI-ja të hapej ndaj shoqërisë civile. Idetë e mia janë bërë publike edhe në postin që unë kam mbajtur. Mendoj që pas një përvoje si kryetari i degës së LSI-së së Tiranës, së mëparshme dhe Tiranës tani si Bashki, mendova se idetë e mia, platforma ime, do ta shëndoshë LSI-në dhe në fund të fundit alternativat gjithmonë i bëjnë mirë një partie.

Partia ka nevojë të hapet më shumë ndaj bazës. Partia ka nevojë më shumë të rrit performancën e saj në bazë. Mendoj se idetë e mia do të dëgjohen me vëmendje nga anëtarësia e partisë, kështu që unë dhashë shembullin tim. Besoj që ndoshta mund të mos jem i vetmi, mund të ketë edhe anëtar të tjerë, sepse gara është e hapur për të depozituar emrat për kandidim. Kështu që do të shkojmë përpara, anëtarësia do të vendosë se kush duhet të jetë fitues.

Platforma ka elementët e parë, sepse siç ndërtohet çdo platformë në fillim ajo niset nga disa postulate kryesore. E thashë, hapja e partisë ndaj shoqërisë civile. Partitë tona kanë nevojë që të jenë më pak agresive. Shqiptarët kanë shqetësime shumë më të mëdha dhe mendoj që zbutja e toneve dhe e konfliktit do të jetë një nga drejtimet e mia ku shpresoj që partia të zbutet nga militantizmi dhe fanatizmi politik dhe të hapet më shumë ndaj shoqërisë, të bëhet më shumë qytetare dhe të promovojë më shumë vlerat e intelektualëve.

Ta dëgjoj më shumë bazën, sepse ndodh shpeshherë që partitë e shfrytëzojnë bazën për t’u zgjedhur apo në fushatat elektorale, qeveritarët apo deputetët e shfrytëzojnë bazën sa për t’u zgjedhur dhe pastaj nuk i kthejnë sytë nga ajo.

Unë jam për një model ndryshe. Vij nga shoqëria civile. Dua të sjell mendimin tim të shoqërisë civile. Unë kam garuar në pozicione të tjera, edhe në pozicione politike edhe në pozicione akademike, them që një frymë e tillë veç se mirë i bën LSI-së.