Shehi: Kush ka gabuar në PD, të paguajë çmimin dhe të largohet

Flet për “Koha Jonë”, Dashamir Shehi, kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

Intervistoi: Redjon Shtylla

Debatet post zgjedhore në Dibër, për aleatin e opozitës, rezultati nuk ishte tragjik. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thekson se historia e personazhit lokal që në raport me votën është më i avantazhuar, ndodhi në Dibër. Sa i përket PD-së, Shehi beson se po të ishte vendosur një personazh lokal, do të ishte më e thjeshtë konfrontimi, por pohon se dega e PD-së në Dibër, mund të ketë pasur problemet e veta. “Po t’i bëjmë një analizë numerike, PD-ja mori më pak vota se sa mori një vit më parë, kur ishin zgjedhjet lokale. PS-ja kishte një shtim votash, se kush është logjika e këtij shtimi, si duket Shukri Xhelili ka punuar mirë, se nuk ka justifikim tjetër”.

Si i lexoni zgjedhjet në Dibër, kemi të bëjmë me një fitore të thellë të PS-së apo humbi shumë PD-ja? Votat në Dibër, a tregojnë se pas tre vitesh mund të kemi sërish besim dhe shpresë te opozita?

Po t’i bëjmë një analizë, janë të dyja. Në radhë të parë, zgjedhjet nuk ishin siç ne shpresonim, një pasqyrë transparence, e që kishin shansin për t’u bërë të pastra e të ndershme. Një rol pro PS-së e ka luajtur kandidati lokal, i cili duke qenë prezent, një mjek e me një rreth më të madh familjar. Ky është një element që ka favorizuar pozitivisht vota PS-ja, por jo sepse kandidati i PD-së ishte i keq, pasi nga ana cilësore, intelektuale, formimi i administratës dhe në konceptin e shtetit ishte më i mirë. Kjo është historia e personazhit lokal që në raport me votën është më i avantazhuar. Avantazhi i dytë është se në psikologjinë e njerëzve, nëpër qytete të vogla, ku nuk gjykohet politikisht, por njerëzit mendojnë se të nesërmen e zgjedhjeve qeveria në Tiranë është po ajo, e kjo përdoren nga qeveria si shtysë, pasi shihet si ofertë. Një element tjetër është se në të tilla zona, shteti ka mjaftueshëm para, presion, interesa, premtime, e kjo për të shkuar deri në qelizë tek çdo familje, tek çdo votë. Fryma e ndryshimit, opozita nuk ka kapacitetin për të përcjellë idenë e ndryshimit, sepse ndryshimi sado që të jetë do të jetë i pakët. Dhe ky ishte një avantazh që shkoi në favor të PS-së. Ajo që ndodhi në Dibër, është një frymë 26-vjeçare, ku një opozitë e ka të pamundur për të marrë një zonë të vetme. Po t’i bëjmë një analizë numerike, PD-ja mori më pak vota se sa mori një vit më parë, kur ishin zgjedhjet lokale. PS-ja kishte një shtim votash, se cila është logjika e këtij shtimi, si duket Shukri Xhelili ka punuar mirë, se nuk ka justifikim tjetër.

Pse dhe ku gaboi PD-ja?

Po të ishte vendosur një personazh lokal, do të ishte më e thjeshtë konfrontimi, por nuk zbres në detaje sepse mundet që dega e PD-së në Dibër, të ketë pasur problemet e veta dhe qëndron si pikë bazë.

A kishte PD-ja, koalicionin e duhur, pasi u panë eksponentë që janë shumë larg Dibrës?

Ideja për ta bërë aksion qendror për të gjithë politikën opozitare, si të thuash shpëtimi do të vinte nga Dibra edhe një mbingarkim emotiv politik i zonës, bëri që edhe pala tjetër ta merrte me tensione maksimale. Në analizë të fundit, nuk e konsideroj një dramë të madhe, në fund të fundit PD-ja ka marrë mjaftueshëm vota për të ngritur një opozitë, ka marrë 44 % të votimeve, një shifër, e cila të jep shpresë, një numër i mjaftueshëm për të përballuar çdo lloj kundërshtari. Opozita tregoi që ka kapacitet që mund të grumbullojë më shumë njerëz, që ka energji, të mbrojë votën, të mobilizojë masën. Në fund mund të them se zgjedhjet e Dibrës dështuan.

A do të shohim të tillë skemë edhe në zgjedhjet e vitit 2017?

Shpresoj që jo, pasi mjetet që ka qeveria do të shpërndahen në të gjithë territorin. Interesi i njerëzve për të ndryshuar gjërat është reale, sepse pas votimit mund të kemi një faqosje të re qeveritare në Shqipëri, maxhoranca mund të kalojë në opozitë dhe anasjelltas, kjo i jep entuziazëm njerëzve. Dibra kishte një histori të vetën që përbën faktor politik, por njerëzit nuk shohin mundësinë e alternimit dhe e mira do të ishte që kreu i ri i Bashkisë të ishte një personalitet me cilësi pozitive dhe kaq, pasi Edi Rama nuk do të thyhej në Dibër.

Lëvizja Socialiste për Integrim, shihet si një ekuilibër mes partive të mëdha. A vjen PD-ja në pushtet me një koalicion me LSI-në?

Unë e shoh opozitën në pushtet, të vetme. Kjo është dëshira ime, ëndrra ime dhe e shumë shqiptarëve. Unë besoj se kjo opozitë me në krye PD-në, por e mbështetur nga aleatët, është në gjendje të gjenerojë numra të mjaftueshëm për të kapërcyer këtë maxhorancë. Nuk e shoh të nevojshme, madje është e dëmshme një koalicion para zgjedhor me LSI-në dhe kjo është një skemë e konfirmuar tashmë. Është një histori që i ka dalë dhe boja, njëri majtas e djathtas, njëherë me PS-në e njëherë me PD-në. Do të jetë shumë e trishtueshme të mendohet se përmes kësaj formule PD-ja do të vijë në pushtet, nuk do të ishte shumë e moralshme. Nuk do të kishte ndryshim nga kjo qeveri që kemi sot. Për kolegët e mi opozitarë, për këtë rrugë që është në malore, ta ngjisim vetë. PD-ja duhet të ecë me këmbët e saja dhe nuk ka nevojë për paterica, për të ngjitur këtë malore. Brenda opozitës ka energji, njerëz për të mundur këtë maxhorancë.

PD-ja denoncon çdo ditë krimin e qeverisë, por a duhet të shohin shqiptarët më shumë veprim, që akuzat e opozitës t’i drejtohen institucioneve përkatëse, që të nisin hetimet. Apo e pengon ky mosveprim PD-në dhe që nuk ngjan besim?

PD ka një problem të vetin të brendshëm, një dualizëm mes dy grupeve të quajtura të vjetër dhe të rinj. Unë besoj se duhet të zgjidhet deri në zgjedhjet e ardhshme. PD-ja duhet të shohë përpara e mos ta kthejë kokën pas. Nuk po them që të mos shohë të shkuarën, por aty ku ka gabuar në të shkuarën dhe ka gabuar nuk ka nevojë të kthejë kokën dhe kush ka gabuar, të paguajë çmimin dhe të largohet nga kjo pjesë. Të shikojë përpara dhe t’i ofrohet shqiptarëve si një alternativë e re, moderne dhe jo si model i qeverisjes 8-vjeçare, se do të ishte gabim. Qeverisja 8-vjeçare u rrëzua, bëri punët e saj, ka shumë punë të mira sidomos në mandatin e parë. Mandatin e dytë pati shumë dështime, u rrëzua nga aleanca shpesh herë të papërshtatshme, rezultati qe i trishtueshëm. Ky grup që do të marrë, nuk mund të jetë vazhdim i rrugës, por me alternativa të saja, me rininë e vet dhe vetëm kështu, mund të ringjallë shpresë dhe të bindë shqiptarët që ne nuk jemi kushëri të afërt apo të largët me ata, por ne jemi e djathta e re në Shqipëri. Në vitin 2017 duhet të jemi pa kompleksin e gabimeve të së shkuarës, pa grupin e së shkuarës, por me një grup që ka ideologjinë e saj. Në qoftë se do të jemi si në të shkuarën, unë them që këtu fillon defekti, gjykoj që të lëmë mënjanë elementët negativ dhe të mos ketë dualizma të brendshme.

Ka debat nëse Basha ka autoritet në PD apo vazhdon ende Berisha?

Udhëheqja të jetë unike dhe opozita vjen në pushtet, kur nuk ka dualizëm të brendshëm, të mos ketë thënie që sot thuhen e rikthehen e ripërtypen. Z.Basha me kolegët e vet do të ngjallin shpresën deri për zgjedhjet e ardhshme, besoj se do të ketë sukses dhe entuziazëm, për të mundur maxhorancën.

Si e shihni fatin e reformës, a janë vetë partitë që po krijojnë ngërç? Do ketë efekt reforma?

Kisha besim se reforma do të kishte efekt edhe në zgjedhjet e ardhshme dhe mesa po shoh që me ritmin e ngadaltë dhe debate të vazhdueshme dhe është një vonesë që kapërcen pragun politik. Duhen rinegociuar formulat e drejtësisë në hartën e re politike. Një pjesë e reformës nuk ka dhënë rezultate të pritshme dhe besoj se në zgjedhje nuk do të kemi institucione të reja dhe jo më dënimet e para, vendimet e drejtësisë të një drejtësie morale. Kjo po shkon si zhvlerësimi që iu bë ligjit të dekriminalizimit, i cili u bë gati një vit që u miratua dhe efektet janë minimale, hetimet janë minimale. Ajo që ne prisnim që ky ligj do të pastronte politikën jo thjesht të sotme pasi është bërë kaq pis sa nuk e pastron asgjë, por atë të nesërmen. Mosdëshira tjetër lidhet edhe me ligjin e ri zgjedhor, ku po mbaron muaji shtator dhe jemi 7 muaj para zgjedhjeve të reja. Koha e shkurtër dhe dëshira për të bërë e pakët, kur ligjet dhe çdo procedurë duhet të jetë mbyllur tre muaj para zgjedhjeve. Kjo harresë e një teme dominante dhe kjo tregon që dy grupet e mëdha nuk kanë interes. Kjo është vdekje e demokracisë. Ligji i dekriminalizimit, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi nuk janë aty ku janë dhe nga kjo pikëpamje do të ketë një stinë të vështirë politike dhe një palë zgjedhje që nuk do të përfaqësojnë më të mirën që ka shoqëria shqiptare. Këto tre elementë duhet të rigjallërohen dhe në zgjedhjet e 2017-ës, të votohen njerëz që ka njerëz me duar të pastra e jo të pista dhe politika duhet t’i japë një marsh këtij ngërçi.