Liverpool feston në “Stamford Bridge”, mposht Chelsea-n

Është e Liverpool klasikja e javës së 5-të të Premier League. “The Reds” skuqën “Stamford Bridge” duke u imponuar 2-1 ndaj Chelsea-t në një ndeshje spektakolare dhe plot rivalitet duke i shkaktuar kështu Bluve të Antonio Contes disfatën e parë sezonale. E nisi menjëherë me ritëm të çmendur skuadra e Jurgen Klopp në strofullën e Bluve, me Winaldur dhe Daniel Sturrige që ngrohën që në dy minutat e para dorezat e Thibaut Courtois. Të kuqtë morën inisiativën dhe qarkullimin e lojës duke vënë në vështirësi Chelsean për t’u shpërblyer në minutën e 17-të me golin e Lovren që shënoi i lënë i lirë në shtyllën e dytë pas krosimit të Coutinho.

Goli i parë për Lovren në Premier League, Rreshtim krejtësisht i gabuar i Chelsea-t në mbrojtje me plot 3 lojtarë të Liverpool-it në shtyllën e dytë. Dicka vërtet e pazakontë për skuadrat e Conte-s. Mund të festojë me mënyrën e tij unike në krahun tjetër Jurgen Klopp. Liverpool pavarësisht avantazhit vijoi të luajë më me personalitet dhe iniciativë dhe goli i dyfishimit ishte një perlë e vërtetë nga Jordan Henderson.

E pabesueshme trajektorja që i jep topit kapiteni i Liverpool-it që dhuron një supergol që meriton përsëritjen për t’u shijuar në maksimum. Chelsea në disavantazh të dyfishtë nuk ka më se ç’të humbasë dhe i duhet të hidhet dëshpërimisht në kërkim të rikuperimit, por në sulm nuk ka shumë fantasi dhe pjesa e parë mbyllet 2-0 për Liverpool. Conte nuk bën asnjë zëvendësim në pushim por Chelsea hyn me tjetër frymë në fushë në të dytën, dhe presioni i Bluve jep frytet e duhura në minutën e 61 . Matic depërton të të majtë duke i dhënë asistin e Diego Costës që shtyn me një prekje në portë.

Goli i pestë sezonal në po kaq ndeshje për Diego Costën, i rigjeneruar me Conte-n. Chelsea hidhet përpara në kërkim të golit të barazimit, por pa shumë ide, madje Liverpooli ka në minutën e 81 me Orgin edhe shansin për të shënuar golin e tretë, me Blutë që nuk arrijnë të ndryshojnë asgjë dhe në fund festa është e tëra për Jurgen Klopp dhe të kuqtë ndërsa Contes i duhet të pranojë disfatën e parë në drejtimin e Chelseat.